Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Qeveria, pazare deri ditën e fundit “Albpetrol” shet naftën që “nuk e ka”

 

Sektori i naftës në vend vijon të mos prodhojë ato sasi karburanti si një kohë më parë, por ama korrupsioni po thyen gjithnjë e më shumë rekorde. Pas skandalit të publikuar nga gazeta “Shqip”, ku AKBN autorizonte “Bankers”-in të importonte mbi 100 tonë karburant pa taksa, tashmë sërish kanadezët bëhen protagonistë, por me një tjetër institucion, po shtetëror, “Albpetrolin”.

Nga sa mësohet përmes një shkrese të publikuar nga Erjon Braçe, deputet i Qarkut të Fierit, zona që mbulon territorin e vendburimeve të naftës, Patoz-Marinzë, kompania e prodhimit të karburanteve i ka kërkuar paradhënie shoqërisë kanadeze një sasi prej 30 mijë tonësh, me vlerë tregu afro 15 milionë dollarësh.

Nga shkresa, firmosur nga drejtori i “Albpetrol”, Ferdinand Murati, drejtuar “Bankers” më 5 gusht, u bëhet e ditur kanadezëve se i detyrohet rreth 18 mijë tonë, por duke qenë se “gjithnjë e kanë gjetur gjuhën e mirëkuptimit”, i kërkon t’i japë në total 30 mijë tonë, paradhënie, për sasitë që do të marrë në muajt në vijim, dhe ku në fund të vitit 2013, të bëhen rakordimet.

Pra, Murati, që sipas Braçes, është kryetar i PD-së në Fier, e kërkon tani prodhimin e naftës që do të marrë në muajt shtator-tetor, për ta nxjerrë në shitje.

Nga sa mëson gazeta “Shqip”, me kërkesën e vetë drejtorit të “Albpetrol”, është zhvilluar më pas ankandi për shitjen e naftës bruto, prej 30 mijë tonësh, aq sa kishte kërkuar nga “Bankers”. Ankandi është zhvilluar më datë 19 gusht, pra dy javë pasi kërkoi naftën paradhënie te kanadezët.

“Korporata më e madhe në vend, ‘Albpetrol’, e drejtuar politikisht nga kryetari i PD-së së Fierit, ka tenderuar në vitin elektoral të gjithë sasinë e naftës që përfitohet gjatë vitit nga ndarja e prodhimit paraekzistues përmes marrëveshjeve hidrokarbure. Pra, ka tenderuar të gjithë sasinë e naftës që nuk e ka në fillim të vitit, por në muajt që vijnë”.

“Por nuk mjafton kjo” – vijon reagimin Braçe – “Pasi mëson se partia e tij ka humbur zgjedhjet, kërkon me ngulm para se të ikë naftën që nuk e ka, por atë që do të marrë në muajt në vijim, në muajt që nuk do të jetë drejtor politik i ‘Albpetrol’. Ky është shembulli i një sistemi zhvatës”.

Ankandi i shitjes së naftës bruto, e cila përfitohet nga kompanitë private koncesionare, jo pak herë ka qenë objekt diskutimi, akuzash dhe shumë pak hetimi nga organet kompetente. Duhet thënë se ky është ankandi i dytë i zhvilluar nga “Albpetrol”, i cili në muajin shkurt shiti 200 mijë tonë naftë, me vlerë rreth 100 milionë dollarë. Edhe në fund të vitit 2012, kompania zhvilloi një tjetër mega-ankand, me vlerë gati 50 milionë dollarë, shitje të naftës bruto, ku një pjesë e prodhon vetë dhe pjesa tjetër vjen nga prodhimi i koncesionarëve (kryesisht “Bankers”). Problemi qëndron në faktin se asnjë nga këta tenderë nuk është publikuar ndonjëherë fituesi i blerjes së këtyre sasive, në vlerë dhjetëra milionë dollarë. Procesi i ankandeve është shoqëruar gjithnjë me mister, në fshehtësi të plotë, por nga sa mësohet, tensioni ka qenë tepër i madh.

Kompania e prodhimit të naftës, e vetmja në pronësi të shtetit, e cila javën e kaluar ia dha me koncesion një shoqërie private edhe zonën e vetme nga ku nxirrte karburant, u shoqërua vitin e kaluar me një proces të gjatë privatizimi, por nuk u realizua, ku një ndër arsyet ishin problemet financiare dhe kompleksiteti i pronësisë (prona të paluajtshme dhe asete të paregjistruara).

90 milionë USD: Skandali, AKBN autorizoi 140 mijë tonë import pa taksa

Pak kohë më parë, gazeta “Shqip” publikoi shkresa të AKBN-së ku autorizonte kompaninë “Bankers” që të importonte sasi të konsiderueshme nafte pa taksa, me qëllim futjen e lëndës djegëse për proces teknologjik gjatë fazës së investimit. Gjithsej ishin 140 mijë tonë naftë dhe benzinë, me vlerë taksash të papaguara rreth 90 milionë dollarë, favor për kanadezët, por dyshimi qëndron në faktin se kjo sasi është e paprecedentë, pasi në çdo fillim viti vendoset plani se sa duhet importuar dhe kërkesa e “Bankers” përfshinte edhe vitin 2014, kur më parë duhet mbyllur aktuali.

Sipas ligjeve në fuqi, për të nxitur sektorin energjetik në vend, qeveria bën disa përjashtime për kompanitë në pagesën e taksave, me synim zhvillimin e projekteve të mëtejshme, rritjen e investimeve etj. Kështu ndodh me sektorin e hidrokarbureve, konkretisht me kompanitë e huaja që kërkojnë dhe nxjerrin naftë nga nëntoka shqiptare. Bazuar mbi planet e tyre të zhvillimit, qeveria ua lehtëson punën, duke i lejuar që atë pjesë e karburantit për nevoja të investimit (procesi teknologjik), ta blejnë duke mos paguar taksa, më konkretisht TVSH, akcizë dhe taksë doganore.

Dyshimi i parë lidhet me sasinë, pasi “Bankers”, në fillim të vitit, sipas planit vjetor, kishte marrë aprovimin të importonte rreth 80 mijë tonë, sasi e vlefshme vetëm për 2013! Nga ky plan, “Bankers” kishte tërhequr me autorizimin e AKBN rreth 70 mijë tonë dhe i kishin mbetur edhe rreth 10 mijë të tjera që t’i importonte. Por çfarë ndodh? Kompania paraqet pranë Agjencisë, më 18 korrik kërkesën për të importuar jo më 10 mijë tonë që i takonin, por plot 140 mijë tonë, gati dy herë më tepër se plani paraprak.

Transparenca: Kush e blen naftën bruto?!
Procedurat e ankandeve për shitjen e naftës nga “Albpetrol” shoqërohet gjithnjë me mungesë transparence, ku në asnjë rast nuk publikohet firma fituese, pra kush e blen naftën bruto.
Gjithnjë shtrohet kjo pyetje, por në asnjë rast, institucionet e shtetit, si Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ashtu dhe kompania e prodhimit të naftës nuk kanë denjuar të publikojnë firmat pjesëmarrëse, fituesit dhe me çfarë çmimi është shituar nafta e nxjerrë nga nëntoka shqiptare.
Ajo çfarë dihet me siguri, por e pakonfirmuar zyrtarisht lidhet me tensionin e lartë dhe presionet e vazhdueshme nga konkurrentët për të fituar tenderët, sidomos në rastet kur vlera arrin deri në 100 milionë dollarë.

Gazeta Shqip, 27.08.2013