Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

450 pompa ilegale (karburantesh) punojnë në Kosovë

Një pjesë e konsiderueshme e pikave të shitjes së karburanteve në vend, po vazhdojnë edhe më tej të punojnë ilegalisht, duke mos u kontrolluar nga askush. Jo zyrtarisht bëhet e ditur se në vendin tonë janë të ndërtuara më shumë se 900 pika të shitjes së derivateve, por vetëm 454 prej tyre janë të licencuara nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ndërkaq pjesa tjetër llogaritet të jenë ilegale.

Visar Bajraktari, udhëheqës i divizionit për rregullimin e tregut të naftës, në MTI, tha se në Republikën e Kosovës janë të licencuara 454 pika të shitjes së karburanteve të naftës, të cilat aktualisht veprojnë në territorin e Kosovës. Sipas tij disa prej tyre janë në procedurë ose të ripërsëritjes së licencës, meqë licenca është valide për periudhë dyvjeçare.

Ai tha se i numri i licencave ka trend stabil, që nënkupton se disa mbyllen e disa hapen.

Zyrtarë nga MTI-ja kanë bërë të ditur se gjatë këtij viti rreth 15 pronarë të pikave të shitjes se derivateve kanë lajmëruar MTI-në se për një kohë e kanë pushuar veprimtarinë e tyre.

Mirëpo, në anën tjetër, burime të besueshme të gazetës bëjnë të ditur se numri i pikave ilegale të shitjes se derivateve ilegale është më i madh se i atyre që funksionojnë dhe operojnë legalisht.

“ Ka shumë pika të shitjes që janë ilegale. Ato nuk paguajnë as tatim, por edhe shesin derivate të dyshimta, pasi që ato askush nuk i kontrollon. Në Kosovë, operojnë diku deri në 900 pompa të derivateve. Ka shumë pompa, duke krahasuar me gjerësinë gjeografike që ka Kosova, ka më shumë se sa duhet. Kosova ka më shumë pompa krahasuar edhe me vendet e regjionit. Sllovenia, ka më shumë kilometra katrorë të sipërfaqes dhe ka më pak pompa se Kosova”tha burimi i besueshëm i gazetës.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovë Nazmi Bytyqi, tha se nuk ka të dhëna zyrtare te pikave të shitjes se derivateve në gjithë territorin e vendit. Sipas tij, këto të dhëna i ka vetëm MTI-ja. Bytyqi thotë se sektori i naftës është sikurse të gjitha bizneset tjera në vend, duke mohuar akuzat që iu janë bërë kohë më parë se ky sektor është i kriminalizuar

Sipas tij,në veriun e Mitrovicës mund të ketë kriminalizim jo vetëm në sektorin e naftës, por sipas tij, në çfarëdo sektori tjetër.
Mirëpo, ndryshe mendon Fadil Berjani, kryetar i Grupit Punues për projektligjin e naftës. Ai tha se sektori i derivateve është i kriminalizuar.
”Dihet kontrabanda në pikën 1 dhe 31, por askush nuk është dënuar. Veselinoviqi në veri është pasuruar dhe ai nuk ka mundur të pasurohet pa pasur bashkëpunëtorë brenda, në Kosovë”, ka thënë ai.

Gazeta Zeri, 27.08.2013