Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ jep 50 milionë lekë reklama në gusht

Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar planin e shpenzimeve të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike CEZ, rikthyer në administrim shtetëror.

Pavarësisht se është e kredhur në borxhe ndaj shtetit e të tretëve, kreu i saj, Sahit Dollapi ka marrë OK, që të shpenzojë vetëm gjatë gushtit 5 milionë lekë të reja për reklamë. Kjo shifër është e barabartë me afro 36 mijë euro, ose më shumë se 1 mijë euro në çdo ditë të gushtit.

CEZ nuk i jep hollësi ERE-së lidhur me atë se kush do të jenë “fatlumët”, që do të përfitojnë nga një fond i tillë reklamash, por me situatën financiare në të cilën ndodhet kjo kompani, shpenzimet për qëllime reklamimi do të ishin të fundit për të cilat CEZ-i ka nevojë. Megjithatë, komisionerët e ERE-s nuk kanë ngurruar t’u hapin dritën jeshile planeve të tilla.

Ndër shpenzimet e tjera, bie në sy fakti që vetëm gjatë gushtit janë planifikuar të paguhen 2 miliardë lekë të vjetra për gjoba. Kjo është një shifër më e lartë se 1.4 milionë euro dhe do të kalojë në arkën e shtetit, duke qenë se në tabelën e shpenzimeve përfshihet në zërin e përgjithshëm “taksa”.

Kjo është një barrë shumë e madhe për këtë kompani, po të mendosh se për TVSH-në do të paguhet po e njejta shifër, 2 miliardë lekë, kurse për tatimfitim të kompanisë do të paguhen 1.1 miliardë.

Një shpenzim shumë i lartë, prej 150 milionë lekësh të reja vetëm për 31 ditët e gushtit, do të jepet për konsulencë. Sërish, nuk jepet e dhënë se në favor të kujt firme konsulence do të kalojë kjo shumë, më e madhe se 100 euro.

570 milionë lekë të reja ose mbi 4 milionë euro do të shpenzojë CEZ në gusht për import energjie, por kësaj shifre do t’i shtohet edhe shuma prej 300 milionësh për detyrime të prapambetura të importit të papaguar. Ndërkohë, nga KESH-i do të blihet energji e barabartë në vlerë me 8.5 miliardë lekë të vjetra ose mbi 6 milionë euro.

350 milionë të tjera do të paguhen për shërbimin e ofruar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, që siguron kalimin e rrymës elektrike nëpërmjet rrjetit të vet të transmetimit.

Ajo që bën më shumë përshtypje në këtë mes është shpenzimi shumë i lartë dhe i pajustifikuar, të paktën në këtë periudhë të vështirë financiarisht për kompaninë, kur çdo shkurtim do të ishte i mirëpritur për drejtuesit e saj. Kohët e fundit, që kur ka marrë drejtimin sërish Dollapi në emër të shtetit shqiptar, nuk është vënë re asnjë lloj reklame në media nga CEZ.

U ndërpritet pa njoftim energjia klientëve

E ndodhur në vështirësi fianciare, kompania CEZ Shpërndarje po ndërpret në mënyrë abuzive energjinë për shumë konsumatorë, të cilët shlyejnë detyrimet financiare nëpërmjet bankave. Vetëm në dy muajt e fundit në Tiranë janë regjistruar 189 raste të ndërprerjes së energjisë pa asnjë paralajmërim.

Kompania ka “zbuluar” mungesën e pagesave të kamatës në vite dhe ua kërkon këtë klientëve, që kanë paguar me banka. Por, në fakt, i takon CEZ-it dhe jo qytetarëve të zgjidhë problematikat me bankat tregtare dhe nuk ka asnjë të drejtë të marrë masa penalizuese për konsumatorët.

Ndërkohë, që prej tri ditësh, thuajse i gjithë qyteti i Fierit ka mbetur në terr, për shkak të ndërprerjes së furnizimit me energji nga CEZ Shpërndarje, duke lënë kalimtarët në rrugët e qytetit vetëm nën dritën e dyqaneve. Ka qenë një borxh i akumuluar prej 8.4 milionë lekësh, që bashkia e këtij qyteti i ka kompanisë CEZ, ajo çka shkaktuar një situatë të tillë. Kjo shumë rezulton e papaguar që nga muaji shkurt i këtij viti.

Sipas bashkisë, pamundësia për të paguar këtë borxh është krijuar nga qeveria qendrore, e cila ka bllokuar fonde të transfertave të pakushtëzuara në adresë të pushtetit vendor. Megjithatë, CEZ nuk merr masa të tilla në periferi të Tiranës, ku pagesat janë rreth 2% e totalit të faturuar.

Gazeta Shqiptarja.com, 14.08.2013