Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia, veriu i vendit së shpejti me 11 hidrocentrale të rinj

Në kaskadën e lumit të Currajt, në zonën e Lekbibajt të rrethit të Tropojës, do të nisin së shpejti punimet për ndërtimin e 11 hidrocentraleve të vegjël. Burime pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës bëjnë të ditur se kompania ndërtuese ka konfirmuar se tashmë janë zgjidhur të gjitha problemet mes pushtetit vendor dhe kompanisë ndërtuese. Kompania që ka marrë me koncension ndërtimin e këtyre 11 hodrocentraleve, ka pranuar që gjatë muajve të verës uji dhe kanalet t’u shërbejnë banorëve të fshatrave për ujitjen e të mbjellave, që ishte ndër problemet kryesore në interes të banorëve të kësaj zone të largët. Ndërtimi i 11 hidrocentraleve mbi lumin e Currajve është marrë përsipër nga shoqëria “Telemenia Curraj” sh.p.k. Kompleksi hidroenergjitik i përbërë nga 11 hidorcentrale të vegjël me fuqi të instaluar 105,193 kë gjithsej. Vlera e investimit për ndërtimin e këtij kompleksi hidroenergjitik arrin në 16 miliardë lekë. Mes veprave të shumta të artit do të ndërtohen edhe tunele, mes të cilëve më i madhi ka një gjatësi prej 3,1 kilometër. Kjo kaskadë përdor potencialin ujor të lumit të Currajve dhe degëve të tij, siç janë Përroi i Bardhë, Përroi i Zi, lumi i Pajës dhe lumi i Kuqit. Ndërtimi i këtij kompleksi hidrocentralesh mundëson edhe rritjen e punësimit të banorëve, ndërtimin e disa rrugëve automobilistike që janë të rëndësishme në këtë rajon të largët.

Në qarkun e Kukësit brenda pak viteve pritet të ndërtohen mbi 45 hidrocentrale të vegjël. Qarku i Kukësit ka mundësi të konsiderueshme ujore për zgjerimin e ndërtimit të hidrocentraleve të vegjël. Një gjë e tillë është vërejtur edhe në fillim të viteve ’70 kur u ndërtuan 10 hidrocentrale të vegjël, prej të cilëve 7 në rrethin e Tropojës, 2 në rrethin e Kukësit dhe një në rrethin e Hasit.

Revista Monitor, 09.08.2013