Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ngritja e njësisë shkencore hidrokarbure në Industrinë e Naftës dhe Gazit, domosdoshmëri e kohës

Industria e Naftës dhe Gazit në Shqipëri ka qënë dhe është një nga sektorët e ekonomisë më fitimprurës.Gjithë kjo punë e pakrahësushme e kryer në vite në të gjitha drejtimet ka patur rolin e pazëvendësueshëm të elitës intelektuale naftëtare (sizmik, gjeolog, teknolog, ekonomist etj.). Por në Janar 2007 me një vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në kuadër të riorganizimit të sistemit akademik në Shqipëri, pushoi aktivitetin e saj Qendra Kërkimore Shkencore e Hidrokarbureve në Fier (e cila u krijua nga bashkimi i Institutit Gjeologjik të Naftës dhe Gazit Fier me Institutin Teknologjik të Naftës dhe Gazit Patos) e vetmja njësi shkencore në vend për industrinë e Naftës dhe të Gazit. Kështu ju dha fund punës kërkimore, shkencore, projektuese, studimore, aplikative, laboratorike dhe modeluse në një prej fushave më fitimprurëse të ekonomisë shqiptare, asaj të naftës dhe gazit.

Do ta quaja me plot gojën fatkeqësi e madhe kombëtare. Në asnjë vend të botës së zhvilluar demokratike ku po aspirojmë të shkojmë, nuk mungojnë Institucione të tilla. Po përmend Institutin Amerikan të Naftës (API) SHBA, Instituti Shtetëror i Standarteve dhe Teknologjisë (NIST) SHBA, IFP Francë, AGIP Itali etj. Duke u mbështetur tek puna tekniko – shkencore, projektuese, përgjithësuese, aplikative, kontrolluse dhe audituse e kësaj njësie shkencore (pavarësisht nga emërtimi i saj) flet Ministri dhe Kryeministri i vendit. Është fat i madh që ne një vend i vogël kemi rezerva të tilla hidrokarbure. Dikush mund të shprehet mosbesues, mbasi Shqipëria naftën dhe gazin po i privatizon, po i jep me konçensione dhe forma të tjera të ekonomisë së tregut dhe është rritur prodhimi në vlera të konsiderushme si rezultat i punës së mirë të firmave që administrojnë atë. Shteti merr rentën minerare, tatimet dhe doganat bëjnë punën e tyre dhe kështu jemi në rregull. Por unë do kundërshtoja me argumenta dhe bindje të plotë duke u mbështetur tek puna e kësaj elite të pazëvendësushme në naftë. Si qytetar dhe patriot i vendit tim, i gëzohem pasurive të shumta që kemi, sidomos nafta, e cila ka bërë kaq shumë për zhvillimin ekonomik të vendit. Pikërisht privatizimi apo dhënia me konçension e industrisë së naftës firmave të ndryshme private si dhe blloqeve për kërkime të vendburimeve të reja shtron domosdoshmërisht ngritjen e një strukture tekniko shkencore për tu administruar shkencërisht kjo pasuri e pallogaritshme e shqiptarëve, mbasi të ardhurat në buxhetin e shtetit mund të jenë shumë herë më të mëdha. Mbase firmave private nuk u interson ngritje e një njësie shkencore të tillë por shtetit shiptar i nevojitet shumë. Në këtë punë kolosale,në këto vendburime të shumta nafte dhe gazi që u zbuluan në Shqipëri udhëheq,spikat dhe rrezaton puna e shkencëtarëve dhe specialistëve të naftës,të cilët nga kjo pasuri e madhe morën si shpërblim stres, vuajtje, internim, persekutim, pushkatim dhe një pension të vogël qesharak. Në asnjë vend në botë diktatorial apo demokratik nuk janë pushkatuar shkencëtarët e naftës, veçse në Shqipëri. I thashë këto, mbasi ata që riorganizuan sistemin akademik në Shqipëri, përfshi dhe naftën e gazin shpreheshin se ish.Qendra Kombëtare Shkencore e Hidrokarbureve në Fier ishte çerdhe komunistësh dhe të tjera argumente të pa bazuara nga ana shkencore dhe studimore. Jo zotërinj, jo njëmijë herë, ishte çerdhe shkencëtarësh, intelektualësh, njerëz të përkushtuar, që gjithçka e vunë në shërbim të industrisë së Naftës dhe Gazit, duke mohuar dhe familjet e tyre. Disa pseudo intelektual që kërkonin të sistemoheshin në Tiranë u bënë zëdhënës të zellshëm të këtij riorganizimi e cila e zhveshi naftën dhe gazin nga puna projektuese, studimore, shkencore, përgjithësuse, aplikative, kontrolluse dhe audituse. Gjithë firmat private apo shtetërore të huaja që kanë operuar dhe operojnë aktualisht në Shqipëri, mbështeten tek kjo punë e shkencëtarëve dhe punonjësve të tjerë që punuan në këto Institute (qendër më vonë). Se si do emërtohet kjo njësi shkencore hidrokarbure, kjo pak rëndësi ka. Rëndësi ka ngritja e një njësie të tillë shkencore me më të pregatiturit që ka industria e Naftës dhe Gazit në fushat përkatëse si dhe ata që duhet të përgatiten për këtë qëllim, për ta çuar më tej punën në zbulimin e vendburimeve të reja të Naftës dhe Gazit, thellimin dhe zgjerimin e atyre ekzistues dhe administrimin teknik dhe shkencor të kësaj pasurie në vlera të pallogaritshme. Specialistët që do punojnë në këtë njësi shkencore duhet me patjetër që ti nënshtrohen testimit (sepse na u mbush nafta me agronom, mercolog dhe veteriner) dhe politika të qëndroj larg kësaj njësie shkencore e cila të ketë një status të veçantë dhe special.

Nafta është pasuri e shqiptarëve dhe ata duhet ta administrojnë atë. Kemi mbi 25 vjet që nuk po zbulohet një vendburim i ri nafte dhe gazi në vendin tonë megjithëse shumë firma të huaja kanë shpuar dhe vazhdojnë të kenë aktivitet shpimi për nafte dhe gaz si në tokë dhe në det.

Objekti i punës i kësaj njësie shkencore hidrokarbure
Të mbikëqyr gjithë aktivitetin teknik, shkencor, projektues, studimor, përgjithësues, modelues dhe laboratorik në industrinë e Naftës dhe të Gazit.
Të hartoj rezervat për çdo vendburim në industrinë e Naftës dhe Gazit.
Duke u mbështetur tek puna e kryer, literatura bashkëkohore, bashkëpunimi me firmat që operojnë në Shqipëri, të jetë pjesë e grupeve teknike dhe shkencore (si përfaqësuese e shtetit shqiptar) në drejtim të zbulimit të vendburimeve të reja të Naftës dhe të Gazit dhe zgjerimin e atyre ekzistuese. Janë ende pa u sqaruar formacionet poshtë kripërave në Dumre, gëlqerorët në rajonin e Delvinës, struktura Shpirag-Osmenzezë, struktura në Ramicë-Velçë, strukturat në det etj. rajone me prespektiva të mëdha naftë gaz mbajtëse.
Të administroj, mirëmbaj, përpunoj dhe digitalizoi gjithë arshivat e naftës (sizmikë, gjeologji, gjeofizikë, teknologji).
Të përgatis paketa me të dhëna për firmat e huaja dhe vendase të cilat operojnë në Shqipëri si përfaqësuese teknike dhe shkencore e shtetit shqiptar.
Në kushtet kur industria e naftës ju nënshtrua një privatizimi totali, por vendburimet janë pronë e shtetit shqiptar, pra pronë publike, kjo njësi tekniko-shkencore të ndjek, kontrolloj dhe të kryej rolin auditues të këtyre shtresave naftë gas mbajtëse.
Të kontrolloj gjithë marrëveshjet konçensionare në fushën e naftës dhe gazit midis shtetit shqiptar dhe kompanive që ushtrojnë aktivitet.
Të botoj revistën Nafta dhe Gazi,dhe të vërë në efiçencë Biblotekën Teknike të Naftës,duke futur shkencën bashkëkohore në qarkullim.

Burimet financiare
Tranzicioni shqiptar po i afrohet fundit. Ekonomia shqiptare po rimerr vehten. Të ardhurat në naftë të kënaqëshme. E drejta e autorit duhet të funksionojë, mbasi shumë vendburime Nafte dhe Gazi kanë për autor ish.Institutet. Riorganizimi më i mirë dhe më i saktë i shumë strukturave të ngritura si Gjeoshkenca, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Agjensia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe Albpetroli janë një burim. Po jap një shembull: Drejtori hidrokarburesh ka Gjeoshkenca, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Agjensia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe Kompania Albpetrol ku pronar është Ministria e Industrisë, Energjitkës dhe Privatizimeve. A mos kryhet e njëjta punë në këto drejtori dhe shteti me taksat e shqiptarëve paguan specialist që thoni jemi naftëtar po naftën dhe gazin nuk e njofin. Le të verifikohet duke filluar nga tematika që kryejnë.

Vendndodhja e kësaj njësie shkencore hidrokarburesh

Në Fier ndodhen arshiva e sizmikës, gjeologjisë, teknologjisë të sistemit të naftës dhe gazit si dhe depua e kampioneve të marra gjatë shpimit të puseve për naftë dhe gaz (në administrim të Agjensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Tiranë) si dhe laboratorët e ish.Institutit Gjeologjik dhe të ish.Institutit Teknologjik (në administrim të kompanisë “Albpetrol sh.a,Patos).
Gjithashtu, në ndërtesën e ish.Institutit Gjeologjik në Fier Kompania “Albpetrol” ka Bibliotekën Teknike të naftës dhe po sistemon gjithë arshivat e qendrave në vartësi të saj (gjeologji, shpim, gjeofizikë, nxjerrje). Është ngritur dhe një grup me specialist për mirëmbajtjen, përpunimin dhe digitalizimin e këtyre arshivave..Godina për sistemin e kësaj njësie shkencore hidrokarburesh, mendoj të jetë ndërtesa e ish.Institutit Gjeologjik në Fier. Në Ministri ndodhet prej disa kohësh një material për rregulloren në industrinë e Naftës dhe të Gazit në Shqipëri ku trajtohet edhe ngritja e një njësie shkencore hidrokarbure, hartuar nga specialistë të Ministrisë dhe Kompanisë “Albpetrol”sh.a,por nuk dihet se në cilin sirtar apo zyrë po qëndron. Kjo njësi shkencore hidrokarbure mund të jetë dhe në përbërje të Kompanisë “Albpetrol”sh.a por me kompetenca të fuqishme në fushën e projektimit, kontrollit dhe auditit, kjo kërkon diskutime të shumta dhe përvojë ndërkombëtare.

Riorganizimi i Kompanisë “Albpetrol” sh.a.

Për sa i përket Kompanisë “Albpetrol”sh.a Patos ajo duhet me patjetër ti nënshtrohet një riorganizimi total duke patur një administrate sa më të vogël dhe efiçente. Objektivi afat shkurtër i kompanisë duhet të jetë monitorimi dhe rishikimi i marrëveshjeve hidrokarbure dhe rritja e prodhimit ekzistues në zonat ku administrohen prej Kompanisë. Mundësitë janë që prodhimi të dyfishohet. Gjithashtu duhet të evidentohen dhe grumbullohen në llogaritë e Kompanisë borxhet e shumta që i kanë kompanitë dhe firmat private dhe këto të ardhura të shërbejnë si për përmirësimin e teknologjisë në nxjerrjen e Naftës dhe të Gazit, por edhe për ristrukturimin e Kompanisë, pra asistencën e punonjësve. I bëj thirrje ndërgjegjes qytetare dhe patriotike të intelektualëve të naftës dhe gazit që janë të shumtë të japin mendimet e tyre në lidhje me ringritjen e njësisë shkencore hidrokarbure dhe riorganizimin e Kompanisë “Alpetrol”sh.a Patos në drejtim të rritjes së nxjerrjes të naftës dhe gazit.

Daut Vela – Gazeta Zeri Popullit, 24.07.2013