Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rritet nafta teksa përmirësohet ekonomia

Nafta referencë amerikane, West Texas Intermediate (WTI) e mori veten në fund të javës, pasi prodhimi kinez u rrit, pretendimet për përfitime papunësie ranë në nivelin më të ulët që nga 2008-a dhe Rezerva Federale (Fed) e SHBA-ve mbajti programin e saj të blerjes së obligacioneve.

Kontratat e të ardhmes fituan 2.2%, teksa Indeksi i Blerjes së Menaxherëve në Kinë u rrit në 50.3 në korrik. Aplikimet për pagesë papunësie ranë me 19,000 një javë më parë, raportoi Departamenti i Punës i SHBA-ve. Ndërkohë Fed pohoi se inflacioni i ulët mund të dëmtonte rritjen ekonomike dhe u angazhua që të vazhdonte të blinte 85 miliardë dollarë obligacione çdo muaj.

“Nafta po rritet për shkak se të dhënat ekonomike janë pozitive,” tha Phil Flynn, analist i lartë në Price Futures Group në Çikago. “Shifrat e prodhimit kinez ishin më të mira sesa pritej dhe të gjitha të dhënat e fundit kanë qenë pozitive. Njoftimi i Fed se ata janë shumë të shqetësuar rreth deflacionit e bën më pak të mundshme që ata të reduktojnë stimujt në një të ardhme të afërt.”

WTI për dorëzimet në shtator u rrit ne 107.31 dollarë për fuçi në fund të javës. Kontratat e të ardhmes arritën në 107.38 dollarë, niveli më i lartë që nga 24 korriku. Çmimet përparuan 8.8% në korrik, duke shënuar të dytin muaj radhazi me rritje.

Nafta evropiane Brent për dorëzimet e shtatorit arriti në 108.90 dollarë për fuçi në Bursën e Londrës. Diferenca mes dy treguesve u ngushtua në 1.59 dollarë, në favor të Brent.

“Përveç lajmeve pozitive ekonomike, kemi një problem furnizimi në Libi,” tha Flynn. “Kjo do të ushtrojë sërish presion për rritjen e çmimeve. Rafineritë europiane do të duhet të kërkojnë për zëvendësim të ofertës dhe mund t’u duhet që të importojnë më shumë naftë nga SHBA-të.”

Kapaciteti eksportues i Libisë do të bjerë këto ditë, si rrjedhojë e protestave të punëtorëve, ka paralajmëruar ministri i naftës Abdulbari Al-Arusi.

Revista Monitor, 03.08.2013