Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosove: “Limak” rikthen reduktimet

Rajoni i Drenicës, por edhe pjesë të tjera të Kosovës, ditëve të fundit po përballen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike. Kompania turke “Limak” e cila e ka privatizuar distribucionin e Korporatës Energjetike të Kosovës ka filluar të aplikojë reduktime deri në 4 orë në favor të territ edhe pse vendi po kalon në temperatura të larta deri në 40 gradë celsius.

“Që nga e shtuna e javës së kaluar, për çdo ditë ka reduktime, kryesisht duke filluar nga ora 18:00, e deri në orën 21:00. Ndërsa vetëm dje, reduktimet, sipas informatës që kam marrë në telefon, kanë qenë edhe 4:2 në favor të territ, mirëpo rryma ka ardhur në orën 21:00”, shkruan Besnik Kukaj nga Drenica, në një reagim dërguar mediave. Jo më mirë qëndron Vushtrria, ku sipas informatave të gazetës “Zëri”, në qytet dhe në fshatra rreth saj, ka dy javë që kanë probleme me reduktime të shpeshta të rrymës.

Probleme po kanë edhe qytete të mëdha si Peja, Gjakova, Mitrovica, Prizreni, por edhe në vende tjera, përfshirë edhe në disa pjesë të kryeqytetit dhe rrethinë të saj.

Guri Shkodra, zyrtar për informim në KEDS, bën të ditur se reduktimet e energjisë ditëve të fundit po ndodhin për shkak të riparimeve në njësitë gjeneruese të KEK-ut, si dhe për shkak të ndërprerjeve të paparashikuara të njësive gjeneruese të KEK-ut (termocentrali A4 dhe A5) që nuk mund të mbulohen nga KEDS në kohë të shkurtë me importim të energjisë.

“Mund të ekzistojnë faktorë tjerë që mund të shkaktojnë reduktime në afat të shkurtë kohor, kryesisht për shkak të punimeve të planifikuara për rehabilitimin e rrjetit të shpërndarjes nga ana e KEDS-it. KEDS është i përkushtuar të minimizojë faktorët që ndikojnë në reduktimet e energjisë elektrike dhe të bëjë përpjekje për të ofruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike për të gjithë konsumatorët”, ka thënë ai.

Por, në anën tjetër zyrtarë të prodhimit në KEK thonë se termocentralet e korporatës janë duke punuar me kapacitet të plotë.

“KEK-u është duke punuar me kapacitet të plotë sipas Bilancit Energjetik të aprovuar nga Bordi i Drejtorëve dhe Ministria për Zhvillim Ekonomik”, tha Besnik Haziri nga zyra për informim e KEK-ut.

Gazeta Zeri, 01.08.2013