Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bllokimi i ARMO, Puka: Humbje 30% për konsumatorët. Favorizohen kompanitë e tjera

Bllokimi i rafinerive të kompanisë ARMO dhe mungesa e produktit të naftës vendase në treg konsiderohet absurd nga ekspertë të fushës së hidrokarbureve. Vladimir Puka, ekspert në këtë fushë në një intervistë për AS bën të ditur se qeveria ka keqmenaxhuar gjithë sektorin e naftës dhe se mungesa e naftës së ARMO-s në treg i mban çmimet e karburanteve 30 për qind më të larta. Sipas tij shteti duhet të gjejë rregulla për të mos penalizuar biznesin dhe tregun njëherësh.

“Do ta quaja një situatë absurde. Nga njëra anë kemi një kompani e cila zotëron dy rafineritë e vetme që ekzistojnë në Shqipëri, ku më i rëndësishëm nga të gjithë është produkti diesel 10 pm i cili me përfaqësimin e tij në tregun shqiptar të hidrokarbureve amortizon në mënyrë të mjaftueshme tregun e këtij produkti. Do të bënte që tregu të ishte i ngopur me këtë produkt dhe me çmim të favorshëm. Pjesa që shkon në favor të kësaj proteste ose në disfavor të bllokimit të këtij produkti nga ana e shtetit, fakti që shteti ka qenë dhe është aksioner në këtë shoqërie rëndon më shumë pjesën e vet. Normalisht në një treg të tillë ku përfitimet nga produktet hidrokarbure janë të mëdha, shteti mund të përfitonte me një politikë më fleksibël, me një politikë e cila do të stimulonte brenda kuadrit ligjor ecjen përpara të rafinerisë, por në rradhë të parë të shfrytëzimit të produktit vendas”- thotë Puka.

Sipas tij duhen hartuar akte nënligjore që të zgjidhin situata të tilla, për me tepër në një sektor strategjik si nafta.
“Unë jam i predispozuar që të gjenden paketa ligjore ose inisiativa rregullatore”- thotë Puka.

Ai hedh hije dyshimi në marrëveshje të fshehta mes operatorëve të naftës në treg dhe segmenteve të shtetit në dëm të produktit vendas.

“Do veçoja marrëdhëniet e vështira që janë krijuar në këtë treg. Padyshim që shteti ka pjesën e vet, që nga menaxhimi që i ka bërë sektorit hidrokarbur, por edhe nga menaxhimi që i ka bërë gjithë burimeve vendase. Produkti vendas është shumë i rëndësishëm që të rifutet në tregun e hidrokarbureve”- thotë Puka.

Veç industrisë së naftës koston e kësaj situate të krijuar e paguajnë edhe konsumatorët, të cilëve iu mungon në treg nafta vendase, e cila do ju kursente 30% të çmimit që paguajnë aktualisht.

“Dieseli 10ppm e kërkon 70% e tregut. Nëse nga rafineria do të prodhohej një sasi prej rreth 60-70 mijë ton e më shumë, atëherë është e kuptueshme se sa do të ndikonte kjo në mbajtjen e çmimeve. Në rast se tregu ynë kërkon një sasi prej rreth 300 mijë tonësh karburanti diesel, është e natyrshme që rreth 50- 60 mijë ton e më shumë dhe 30% të çmimeve në treg do të ishte një ndihmesë e madhe në xhepat e konsumatorëve dhe biznesit”- thotë Puka.

Nga ana tjetër eksperti i fushës së hidrokarbureve është i mendimit se politikat fiskale në fushën e hidrokarbureve penalizojnë prodhimin vendas. Sipas tij afro 1 milionë ton naftë eksportohet, ndërsa ajo e përpunuar në vend rëndohet me taksa shtesë.

“Kjo është një nonsens që është kritikuar edhe nga Organizata e Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Nuk ka pse të goditet produkti brut i naftës që përpunohet nga rafineritë tona në raport me produktin e naftës brut që del nga shteti ynë. Është një trajtim që shteti e ka bërë preferencial. Është e pakuptueshme që 10% të penalizohet produkti vendas, kur ai përpunohet nga rafineritë tona”- thotë Puka.

Rafineritë e kompanisë ARMO janë bllokuar nga fillimi i korrikut nga organet tatimore me një urdhër verbal. Prodhimi është ndalur dhe punonjësit kanë mbetur pa punë. Ata janë hedhur në protesta dhe kërkojnë që rafineritë të punojnë. Punonjësit i janë drejtuar Presidentit të vendit Bujanr Nishani për t’i dhënë zgjidhje problemeve të tyre dhe janë në pritje të një takimi me kryetarin e shtetit.

TV Albanian Screen, 31.07.2013