Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosove: “Lulëzojnë” pompat, më shumë se në Kuvajt!

Miliona euro të investuara nga investitorët të cilat mund të dështojnë si pasojë e konkurrencës jolojale dhe mosmarrjes së përgjegjësisë nga ana MTI-së, përkatësisht ministres Mimoza Kusari-Lila e cila duhet të jetë rregullatore dhe zbatuese e ligjeve apo krijimit të tyre në favor të bizneseve. Për pasojë kemi ndërtime pa leje nga të “fortit” dukuri kjo që nuk ndalohet nga ana e institucioneve. Turpi shkon edhe më lart ku zëdhënësja e ministres Kusari-Lila nuk e din as cilat duhet të jenë kriteret e ndërtimit të pompave. Kosova ka ligje për mbrojtjen e konsumatorit, për mbrojtjen e konkurrencës, për tregtinë me naftë dhe derivate të naftës në Kosovë… por këto ligje përdorën nga ministrja Kusari-Lila dhe te tjerët vetëm sa për t’u prezantuar para opinionit ndërkombëtar se kemi ligje dhe jo për t’u kujdesur që të jenë të zbatueshme.

Rruga nga Llapushniku deri në Sllatinë, është e stërmbushur me pompa që merren me shitjen e derivateve të naftës. Në një largësi prej rreth 15 kilometrave nga 4 pompa të derivateve të cilat ishin deri para dy viteve, janë bërë hiq më pak se 11 të tilla në vetëm një drejtim.

Ndërtimet pa kurrfarë kritere vazhdojnë. “Këta janë të fortë dhe s’ka kush që i ndal”, thonin të tjerët rreth tyre, e të cilët ngurronin të flisnin për këtë gjë.

Fer, Al dhe HiB Petroll, që të tria ishin tashmë në vlugun e punimeve në më pak se 200 metra afër njëra tjetrës.

E derisa ata vazhdojnë punën e tyre, pa ua prishur askush, të tjerët ankohen se ndërtimi i një numri kaq të madh pompash dhe shumë afër njëra tjetrës, po e dëmton biznesin e tyre.

Muhamet Morina, menaxher në “BesOil”, thotë se dukuria e ndërtimit të pompave shumë afër njëra tjetrës po i dëmton tej mase ata. Ai thotë se megjithëse ekzistojnë kriteret dhe të distancës mes pompave, ato nuk respektohet aspak dhe se pompat kanë filluar të ndërtohen në distancë mes tyre vetëm nga 200 e 300 metra.

“Sigurisht që kjo e dëmton mjaftë shumë biznesin tonë. Pasi që ne si kompani Bes Oil, kemi bërë investime shumë të mëdha në këtë sektor. Sigurisht sidomos në aparaturën me moderne me standarde evropiane, si atë të shitjes dhe depozitave. Ne kemi marrë leje përkatëse nga ministria dhe atë në mënyrë decidive është e cekur që distanca mes pompave duhet të jetë minimumi 5.5 km, por fatkeqësisht kjo po ndodh që të ndërtohen në distancë 200-300 metra ndërmjet vete. Ne bëjmë kërkesë dhe thirrje që në mënyrë urgjente inspektorët përkatës të dalin në vend ngjarje”, pohon ai.

Mehdi Gjoka, pronar i “FerPetroll” nga Drenasi i cili nuk ka pranuar të flas para kamerës thotë se ka filluar ndërtimin e kësaj pike të karburanteve dy vite më parë dhe se tani kishte filluar punën sërish. Ai thotë se ende nuk e ka marrë licencën për ndërtimin e kësaj pompe, e cila ishte në përfundim e sipër, por se e ka bërë kërkesën për këtë.

Shumë afër tij, në largësi prej 50 metrave nga njëra tjetra po ndërtohen “AlPetrol” dhe “HIB Petrol ”. Gjoka thotë se ai i pari ka filluar të ndërtojë këtë pompë në këtë vend dhe më pastaj kanë ardhur dy kompanitë tjera HIB dhe AL. Ai madje thotë se gjithë këto pompa, nuk janë të ndërtuara as në Kuvajt.

“Para dy viteve kam fillu me punu. Tash kanë ardhur këta. Po dëmtohemi po s’kam çka me ba. Kam fillu para dy vjetëve krejt e dinë. Por tash këta janë ardhë dhe unë kam mbet. S’jam as që e lë në gjysmë punën. Kuvajt me pas kanë e me u ndërtu gjithë këto pompa e jo në Kosovë”, thotë ai.

Për dallim nga Mehdiu, i cili pranon të flasë për pompën e tij, e cila është në ndërtim e sipër, djali i Latif Kryeziut, pronarit te “Al Petrol ”, Lulzim Kryeziu, madje kërcënoi ekipin e Kosovapress-it, duke iu thënë se as që guxojnë të shkruajnë për të. “Kush të ka qu me ardh këtu tek unë. As nuk guxon me shkrujt dhe as me marr pamje”, ishin fjalët e vetme të tij. Edhe njëri nga menaxheret e pranishëm e “HIB Petrol” në vendin ku po ndërtohej pompa, tha se nuk mund të flas dhe se nuk na lejohej të marrnim pamje.

Nazmi Bytyqi nga shoqata e naftëtarëve të Kosovës, thotë se numri i pikave të karburanteve është tejet i madh dhe se pompat duhet t’i plotësojnë kriteret për ndërtim. Megjithatë ai i cili do të duhej te jetë mbrojtës i këtyre bizneseve nuk preferon që ta komentoj gjendjen e tanishme, kaosin e krijuar nga ky numër i madh i pompave, duke pohuar se kjo është kompetencë e Kuvendeve Komunale dhe MTI-së e cila lëshon licenca.

“Është një numër tej mase i pikave të karburantit. Më herët i kemi arsyetuar bizneset sa kemi qenë nën okupim. I vetmi biznes që janë bërë pompa pa standarde për me mbijetu bizneset. Por tash është një kohë krejt tjetër. Një kohë kur duhet të përmbushen standardet, duhet të përmbushen të gjitha kriteret që i kemi konform ligjeve të Evropës”, thotë ai.

Edhe ky është kujdesur për këtë rrëmujë duke ndërtuar një pompë në Krivovë, “Slovenia Petrol” e cila ka filluar punën para pak kohe.

Ndërkohë që Muhamet Morina, menaxher në “BesOil” thotë se ka marrë leje përkatëse nga ministria e tregtisë dhe Industrisë dhe aty në mënyrë decidive është e cekur që distanca mes pompave duhet të jetë minimumi 5.5 km, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), thotë se nuk është ajo që cakton distancën që duhet të jetë mes pikave të shitjes së karburanteve.

Arta Istrefi, zëdhënëse në MTI, përmes postës elektronike ka shkruar se në legjislacionin e nxjerrë nga MTI, nuk ka kusht për distancën minimale mes pikave të derivateve të naftës. Ajo edhe pse është zëdhënëse e Mimozës, duket se nuk ka njohuri të mjaftueshme në lidhje me ketë. Istrefi, gjithashtu, shkruan me dyshim se ndoshta komunat janë ato, të cilat me rastin e lëshimit të lejes e përcaktojnë një gjë të tillë.

“Legjislacioni i naftës i nxjerre nga MTI, nuk ka kusht për distancën minimale prej një stacioni te shitjes se karburanteve tek tjetri. Ndoshta Komunat kane kushte te tilla me rastin e lëshimit te lejes se ndërtimit apo Agjencia e Menaxhimit te Emergjencave, brenda MPB-se me rastin e dhënies se pëlqimit për mbrojtje nga zjarri”, ka shkruar Istrefi.

Por në Komunën e Drenasit, thonë se komuna nuk është ajo që cakton kritere dhe distancën për ndërtimin e këtyre pompave.

Bekim Dobra, zëdhënës i Komunës së Drenasit, ka pohuar përmes telefonit se prona në të cilën po ndërtohen këto pompa, është private dhe se ndërtimi i tyre po bëhet në rrugë nacionale dhe se kjo është kompetencë e MTI-së. Megjithatë, ai thotë se Komuna tashmë ka iniciuar procedurën për ndalimin e këtyre ndërtimeve dhe se kjo çështje mund të shkoj dhe në Gjykatë. Dobra, po ashtu, thotë se as Komuna e Drenasit, nuk është e kënaqur me mënyrën se si po bëhen këto ndërtime, por se procedurat janë në vazhdimësi dhe inspektorati po merret me këtë çështje.

“Komuna ka zhvilluar procedurë për ndalimin e punimeve edhe procesverbal dhe ka lëshuar dhe aktvendim. Mirëpo ky është një proces që zgjat dhe se ende nuk ka një përgjigje definitive. Ndërsa sa i përket distancës mes bizneseve, kjo është kompetencë e MTI-së, nuk është kompetencë e komunës. Kjo është kompetencë direkte e MTI-së, pasi që janë rrugë nacionale. Mirëpo pasi që pjesa ku janë ndërtuar është në komunën tonë, komuna ka zhvilluar procedurat të cilat janë në vazhdimësi, pasi që nuk është kohë e gjatë që kanë filluar të ndërtohen. Ne kemi iniciuar procedurat dhe as komuna nuk është e kënaqur, që këto ndërtime po bëhen afër njëra tjetrës. Por për me ia ndalu punimet, janë procedurat në vazhdim që inspektorati është duke i bërë, ka iniciuar procedurat dhe sigurisht që këto procedura do të shkojnë dhe në Gjykatë”, thotë ai.

Derisa MTI dhe Komuna vazhdojnë të mos e marrin përsipër përgjegjësinë për evitimin e këtij kaosi, ndërtimi i pompave po vazhdon, me ose pa i përmbushur kriteret.

Kosovapress, 13.07.2013