Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Metrologjia “kujtohet” për kontrollin e sasisë së karburanteve

Drejtoria e Pergjithshme e Metrologjisë njofton se sot ne ora 10:00 do te zhvilloje një aktivitet demostrimi mbi matjet në fushën e karburanteve, tek pika e karburantit Kastrati, përballë Fabrikës së Miellit (fillimi i unazës së re).

Nëpërmjet këtij aktiviteti DPM dëshiron të ndërgjegjësojë konsumatorët për të denoncuar abuzimet në dhënësat e sasisë të karburantit dhe të përcjellë mesazhin se të gjitha strukturat e DPM-së janë të angazhuara për zbatimin e ligjshmërise së hartuar dhe nuk do tolerohet asnje abuzim.

Por DPM nuk ka bërë publik sa është numri i pikave që janë kontrolluar në të gjithë Shqipërinë, sa është numri i abuzuesve dhe më e rëndësishmja emri i tyre, në mënyrë që të shmangen nga konsumatori.

Komunikata e plotë për shtyp:

Drejtoria e Pergjithshme e Metrologjisë ka ndërmarrë hapa të rëndësishme për përmirësimin e treguesve teknikë dhe cilësorë në mbrojtje të interesave të konsumatorëve nga abuzimet me shërbimet dhe produktet jokonforme.

Per ti dhënë sigurinë konsumatorit se për vlerën monetare të paguar do të marrë sasinë e duhur të produktit që blen, DPM përdor masa me karakter parandalues dhe masa me karakter ndëshkues, duke miratuar dhe verifikuar instrumentet matëse dhe duke sanksionuar me gjobë abuzuesit.

Verifikimi periodik i instrumentave matëse gjatë përdorimit siguron saktësinë e instrumentit matës gjatë kohës qe ai eshte në përdorim. Në këtë mënyrë, instrumentët matës që janë lejuar të hidhen në treg dhe të vihen në përdorim dhe që i janë nënshtruar verifikimit periodik nga punonjësit e DPM-së konsiderohen që përmbushin kërkesat teknike metrologjike ligjore (pra janë të saktë).

Me qëllim që konsumatori të dallojë lehtësisht që një instrument matës është kontrolluar nga DPM dhe është i saktë, punonjësit e DPM-së që kryejnë këtë shërbim vendosin në ç’do instrument matës të kontrolluar shenjën përkatëse të verifikimit. Çdo instrument matës që nuk përmban këtë shenjë nuk është i saktë dhe konsiderohet abuziv dhe kundravajtës ndaj Ligjit për Metrologjinë.

Ky konstatim është i vlefshëm edhe për instrumentët matës që përdoren në tregtinë e karburanteve dhe konsumatori është i lutur që të mos furnizohet në pikat e tregtimit të karburanteve që përdorin instrumenta matëse të pa kontrolluar nga DPM, pra që nuk kanë të vendosur në vend te dukshëm shenjën e verifikimit ligjor.

Llojet kryesore të instrumentëve matës për të cilat DPM kryen shërbimin e kontrollit metrologjik ligjor në fushën e tregtimit të karburanteve janë:

– Pistoletat e distributorëve të karburantit
– Shpërndarësit (kontalitrat) e pikave të tregtimit me shumicë të karburanteve
– Shpërndarësit e LPG për automjete

Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë nëpërmjet strukturës së Inspektimit Metrologjik, ka të drejtë të vendosë masë administrative me gjobë për ç’do shkelje të dispozitave të Ligjit “Për metrologjinë” në dëm të konsumatorit dhe të kërkojë nga subjekti që të marrë masa për të korrigjuar shkeljet e konstatuara brenda një afati të caktuar kohor.

Subjekt kryesor i inspektimit janë dhe pikat e tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve, si dhe pikat e mbushjes dhe të tregtimit të gazit të lëngët.

Inspektimi metrologjik ushtrohet në ç’do kohë, pa asnjë praralajmërim ndaj subjektit që inspektohet dhe iniciohet përveç planifikimit edhe nga informacionet apo ankesat e qytetarëve, të firmave konkurente, nga njoftimet e mediave vizive dhe të shkruara dhe nga çfardo lloj burimi tjetër. Strukturat e DIM në rrethe kanë të drejtën e masave ligjore administrative ndaj subjekteve kundravajtës të Ligjit për Metrologjinë, si dhe të ligjeve të tjera që ngarkojnë DPM me keto detyra.

Është angazhimi dhe përparësia jonë që në një periudhë të shkurtër, nëpërmjet përdorimit efiçent të masave parandaluese, shtrënguese dhe promovuese- sensibilizuese të DPM-së:

– Të luftohen abuzimet në instrumentët matës ligjërisht të kontrolluar në vend-përdorim duke ulur ndjeshëm numrin e jo-konformiteteve në të gjitha fushat.
– Të rritet numri i subjekteve tregtues të karburanteve që i janë nënshtruar kontrollit metrologjik.
– Të rritet numri i pistoletave të karburanteve të kontrolluara periodikisht
– Të zvogëlohet diapazoni i gabimit në dhënien e sasisë së lëngut në distributorët e karburantit.

Nëpërmjet këtij aktiviteti duam të përcjellim mesazhin se të gjitha strukturat e DPM-së janë të angazhuara për zbatimin e ligjshmërise së hartuar dhe nuk do tolerohet asnje abuzim.

Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë ju bën thirrje te gjithë qytetarëve që kudo dhe kurdoherë të kërkojnë që t’ju shërbehet me instrumente matëse që e kanë të vendosur pullën e verifikimit. Jeni të lutur të denonconi ç’do dyshim apo konstatim abuzimi me sasinë e produkteve pranë institucionit tonë.

energjia.al, 16.07.2013