Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosova e përkushtuar për rritjen e efiçiencës së energjisë

Ministria e Zhvillimit Ekonomik e Republikës së Kosovës, Agjencia e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë nënshkruan dje një Marrëveshje Bashkëpunimi me “Fondin e Hapur Rajonal për Evropën Juglindore – për Efiçiencë të Energjisë” (ORF-EE), për zhvillimin dhe implementimin të një “Platforme për Monitorim dhe Verifikim të masava të ndërmarra në fushën Efiçiencës së Energjisë, projekt të cilin në emër të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, e implementon Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ).

Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil, Ismalji, Kryeshefi i Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Bedri Dragusha dhe përfaqësuesi i GIZ-it, Reinhard Trenkle në emër të “Fondit të e Hapur Rajonal për Evropën Juglindore – për Efiçiencë të Energjisë” (ORF-EE), ndërsa i pranishëm ishte edhe Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, Peter Blomeyer.

Ministri, Fadil Ismajli me këtë rast theksoi se Efiçienca e Energjisë në rastin e Kosovës ka rëndësi më të madhe se sa në shumë vende të tjera në rajon, duke pasur parasysh se kryesisht burimet energjetike në Kosovë janë burime fosile, ngase termocentralet tona janë të bazuara në thëngjill dhe kanë probleme në përcjelljen e diagramit të ngarkesës ditore, e në anën tjetër burimet alternative si ujin,diellin dhe erën nuk i kemi me bollëk.

“Me lansimin e këtij projekti gjegjësisht me nënshkrimin e kësaj marrëveshje Kosova do të ketë sistemin e modernizuar të monitorimit dhe verifikimit të masave të efiçiencës së energjisë në nivelin komunal. Me zhvillimin e kësaj platforme po ashtu do të ofrohet qasja me e lehtë për të gjithë akterët tjerë dhe pjesëmarrësit dhe marrjes së të dhënave të kursimit të energjisë”, tha Ismajli.

Sipas tij, të gjitha këto aktivitete, plane dhe masa që janë zhvilluar dhe po zhvillohen në kontinuitet po japin efekt të dukshëm në reduktimin e konsumit dhe nevojës për konsum të shtrenjtë të energjisë duke i dhënë mundësi më të mirë planifikimit strategjik të energjisë dhe politikave më efektive të zbatimit.

Ismajli tha se Qeveria me përkushtim do të vazhdojë implementimin e masave të efiçiencës, ndërsa falënderoi akterët tjerë të përfshirë në këtë sektorë siç janë: GIZ, KfW, Komisionin Evropian dhe Bankën Botërore për mbështetjen që kanë dhënë në këtë drejtim.

Nga ana e tij, Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Peter Blomeyer tha se kursimi i parave nuk është shtysa kryesore për kursimin e energjisë, ngase prodhimi dhe konsumi i energjisë kanë një rol vendimtar në ndryshimet klimatike, andaj të gjithë kanë përgjegjësi në ruajtjen e energjisë.

“Edhe Kosova e ka obligimin që të përdorë energjinë në mënyrë të përgjegjshme dhe duke qenë anëtare e Komunitetit të Energjisë kjo është pjesë e obligimeve në udhëtimin e saj drejt evropës”, tha ai, duke shtuar se puna e fondit ka treguar shumë rezultate shumë të mira për të çuar përpara eficiencën e energjisë dhe bashkëpunimin rajonal.

Përfaqësuesi i GIZ-it, Reinhard Trenkle tha se efiçienca energjisë kursen koston, përveç kësaj energjia mund të promovojë zhvillimin ekonomik të vendit.

“Efiçienca e energjisë apo teknologjitë e efiçiencës së energjisë të cilat mund të hapin rrugë të reja për krijimin e vlerave në këtë vend dhe për këtë arsye e kemi zgjedhur temën efiçienca e energjisë dhe energjia e ripërtëritshmne duhet të jenë temë e vazhdueshme në të cilat ne do t’i ndihmojmë Kosovës për zhvillim të mëtutjeshëm ekonomik”, tha ai.

Kryeshefi i AKEE-së Bedri Dragusha tha se qëllimi nënshkrimit të kësaj marrëveshje është që të lehtësohet puna e AKEE-së dhe zyrtarëve komunalë, pra të kemi një monitorim më të lehtë të masave të ndërmarra në nivel lokal dhe në nivel qendror.

“Kosova veç ka hartuar planin afatgjatë të veprimit për efiçiencë të energjisë (PVKEE) për periudhën 2010-2018 ku caku i kursimeve është përcaktuar të jetë 9%, gjithashtu mund të themi se në planin e parë afatmesëm 2010-2012 për efiçiencë të energjisë caku i kursimeve është 3 %”, tha ai. Gjithashtu u tha, se është hartuar raporti i progresit nga Plani i parë i PKVEE periudhën 2010-2012, si dhe Plani i dytë Nacional i Veprimit për Efiçiencë të Energjisë 2013-2015.

energjia.al, 16.07.2013