Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çmimi i ushqimit në botë – pasojë e çmimit të naftës

Rritja kontinuele e çmimit të ushqimit në botë vazhdon të mbetet një nga problemet më të mëdha ekonomike. Çmimi i ushqimit vazhdon të shënojë rritje kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të lëndëve të para dhe shpenzimeve të tjera të prodhimit. Në kuadër të këtyre shpenzimeve çmimet e energjentëve janë ato të cilat kanë ndikimin më të madh në formimin e çmimit të ushqimit. Kur flitet për energjentët, duhet përmendur naftën si faktor kyç apo lëndë kyçe të prodhimit. 

Nafta është një input shumë i rëndësishëm për fermerët. Fermerët zakonisht përdorin makineri të cilat funksionojnë me naftë. Kur rritet çmimi i naftës kjo nënkupton edhe rritjen e kostos së transportit të gjërave ushqimore nga ferma deri tek konsumatori final. Rritja e çmimit të naftës si input ndikon në rritjen e kostos së prodhimit ndërsa kjo e fundit ndikon në rritjen e çmimit të ushqimit që për pasojë ka përkeqësimin e standardit jetësor të qytetarëve. Supozohet se rritja e çmimit të naftës më së shumti do të godasë ato vende ku 60% deri 70% të të ardhurave mujore shpenzohen për ushqim. Shikuar nga aspekti i qytetarit ky inflacion ka efekt negativ të dyfishtë për standardin e tij, çmim më të lartë dhe më pak produkte në treg.

Grafiku nr. 1, Pasojat e rritjes së çmimit të lëndëve të para

Rritja e çmimit nga pika P1 në pikën P2 zhvendosë lakorën e ofertës agregate nga OA1 në OA2 dhe si pasojë ka rëninen e prodhimit të ushqimit nga Y1 në Y2 dhe zhvendosjen e ekuilibrit në treg, nga pika E1 në pikën E2 ku kemi çmim më të lartë dhe më pak prodhim në treg. Duhet theksuar se kërkesa për ushqim është nevojë fiziologjike dhe është permanente. Ajo nuk është elastike dhe si e tillë mbetet e pandryshuar.

Inflacioni i shpenzimeve të lëndëve të para është sfidë e vertetë për tërë botën, për çdo qeveri, andaj nevoja për pavarësimin e vendeve nga aspekti i sigurimit të energjentëve dhe lëndëve të para është kërkesë dhe nevojë permanente.
Rritja e shpejtë e konsumit global të energjisë, veçanërisht në Kinë, ka ngritur shqetësimet rreth mungesës së naftës. Në grafikun në vijim është dhënë konsumi i naftës (në mijëra fuçi në ditë) për periudhën nga viti 1980 deri në vitin 2010. Konsumimi i mëtejmë i naftës në botë do të varët nga rritja ekonomike e vendeve (GDP-ja). Në rast se vazhdon trendi i njëjtë, parashikimi i konsumimit të naftës në nivel botëror për vitin 2014 është 91.944,71 fuçi në ditë, ndërsa për vitin 2015, 93.056,97 fuçi në ditë.

Grafiku nr. 2, Konsumimi i naftës në botë, mijëra fuçi në ditë, për periudhën 1980-2010

*Burimi: United States Energy Information Administration, World Crude Oil Consumption by Year

Përveç faktit se nafta gjithnjë po bëhet resurs më i rrallë, në çmimin e saj ndikon edhe politika. Ngjarjet e fundit në skenën politike në botë që për pasojë kanë acarimin e marrëdhënieve me vendet prodhuese të naftës, si për shembull situata e krijuar politike rreth programit bërthamor të Iranit, ka ndikuar në lëvizjen e çmimit të naftës në tregun botëror. Ekspertët kanë parashikuar se si pasojë e acarimit të marrëdhënieve me Iranin, çmimi i naftës në botë mund të rritet prej 20% deri në 30%. Kjo sigurisht do të ndikojë edhe në rritjen e çmimit të ushqimit.
Si të zgjidhet problemi i varësisë nga nafta? Zgjidhja qëndron në gjetjen e burimeve alternative, gjegjësisht në sigurimin e burimeve të energjisë së ripërtëritshme me qëllim që sa më shpejtë të jetë e mundur të zëvendësohen burimet tradicionale, apo energjentët tradicionalë. Burimet e energjisë së ripërtëritshme janë në një fazë të rritjes së shpejtë, por ato ende përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të furnizimit me energji primare. Deri në sigurimin e burimeve alternative nafta vazhdon të mbetet një nga energjentët më të rëndësishëm strategjik dhe si e tillë çmimi i saj do të vazhdojë të pasqyrohet në çmimin e ushqimit.
Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara të Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) ekziston një rritje kontinuele e çmimit të ushqimit në botë. Duke iu referuar periudhës 2002-2004 si bazë (I2002-2004=100%) gjegjësisht çmimeve të kategorive të produkteve: mish, qumësht, drithëra, vaj dhe sheqer, rritja e çmimit të ushqimit deri më sot është evidente. Vetëm në tre vitet e fundit kjo rritje është rreth 40%.


Grafiku nr. 3, Indeksi i çmimit të ushqimit (FAO) për periudhën 2002-2013.

Se çmimi i naftës padyshim pasqyrohet në çmimin e ushqimit është vërtetuar nga të dhënat empirike. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara të Ushqimit dhe Bujqësisë shihet qartë se ekziston një korrelacion i përsosur ndërmjet variablave çmimi i naftës dhe indeksi i ushqimit. Në grafikun në vijim janë dhënë lëvizjet e këtyre dy variablave për periudhën 2000-2010.


Grafiku nr. 4, Çmimi i ushqimit dhe çmimi i naftës sipas FAO, 2000-2010.

*Burimi: US Energy Information Administration and FAO.

Fidan Kosumi, MBA

energjia.al, 11.07.2013