Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Abonentët pa matës, dëmi në kurriz të CEZ, jo të qytetarëve

Ekspertët e Entit Rregullator të Energjisë kanë sqaruar dje se të 28 mijë abonentët që janë faturuar me zero nga CEZ për shkak se nuk kanë matës, nuk mbajnë përgjegjësi. Dëmi financiar, në kurriz të CEZ. Dollapi kërkon rikthimin e faturimit aforfe

Të gjithë ata abonentë të CEZ-it që nuk kanë matës dhe janë faturuar me zero kilovat, nuk do të mbajnë përgjegjësi financiare për situatën e krijuar. Ekspertët e Entit Rregullator të Energjisë kanë sqaruar dje se për këtë humbje do të ngarkohet financiarisht CEZ. Pajisja me matës ka qenë një nga obligimet themelore të CEZ-it, i cili nuk është realizuar të paktën në 28 mijë abonentë.

Zgjidhja

CEZ Shpërndarje ka ndërmarrë një aksion ditët e fundit ndaj debitorëve të energjisë elektrike. Mirëpo çështja mbetet pezull për abonentët që nuk janë pajisur me matës pavarësisht interesimit pranë CEZ. Ekspertët e ERE-s sqarojnë se barra e dëmit tashmë është në përgjegjësinë e CEZ-it dhe kjo kategori abonentësh nuk do të penalizohet për periudhën që nuk e ka patur matësin. Për t’i dhënë zgjidhje pagesës në kategori konsumatorësh CEZ ka propozuar faturimin fiks, i cilësuar si fatura aforfe.

Rikthimi i faturimit fiks, pavarësisht sasisë së energjisë që harxhon, është mjeti i vetëm që CEZ do të aplikojë ndaj abonentëve pa matës deri në momentin e instalimit. Vlerat duket se do të konsistojnë në një shifër mes konsumit më të lartë dhe atij më të ulët, sipas qarqeve. Në kërkesën drejtuar Entit Rregullator, CEZ shpjegon se mosfaturimi i kontratave impakton direkt shitjen e energjisë elektrike dhe për rrjedhojë, edhe humbjen. “Në këto kushte, si dhe duke konsideruar vështirësitë financiare të kompanisë në pamundësi për të bërë zëvendësimin dhe kompletimin me matës, është vlerësuar si një zgjidhje e kësaj problematike formalizimi i formës së faturimit me mesatare. Nga ana e tij, Enti Rregullator pohon se kjo problematikë po shqyrtohet nga drejtoritë teknike dhe para vendimit final do të bëhet edhe një seancë dëgjimore me kompaninë dhe me grupet e interesit, si Avokati i Popullit dhe Shoqata e Konsumatorëve të Shqipërisë.

Matësit

Sipas inspektimeve të ERE-s, matësit e energjisë mungojnë për një pjesë të konsiderueshme të konsumatorëve dhe të tjerët që ekzistojnë shfaqin defekte serioze. Kjo është situata aktuale në lidhje me sistemin e matjes së energjisë. Sipas raportit të ERE-s, rreth 25% e totalit të abonentëve faturohen me konsum “0”. Edhe vetë ambientet e CEZ- Shpërndarjes faturoheshin me konsum “0” apo me vlera aforfe.

Ndërkohë që CEZ para se t’i hiqej licenca pretendonte se 100% e klientëve kishin të instaluar një matës në banesat dhe mjediset e tyre. Ndërsa dje CEZ Albania ka ndërmarrë një aksion në rrugën e Elbasanit, ku kanë prerë lidhjet e debitorëve të energjisë. “Në ditët në vazhdim do të jemi në zona të tjera të Tiranës, duke u shtrirë në gjithë qytetin për të prerë të gjitha lidhjet e jashtëligjshme dhe ndaj të gjithë abonentëve që nuk paguajnë energjinë elektrike. Të gjithë qytetarët duhet ta kuptojnë se do të furnizohen me energji vetëm ata abonentë që paguajnë rregullisht energjinë elektrike. Lidhjet e paligjshme janë duke u zeruar, por ka ende punë për t’u bërë”,- tha Arben Kasapi, drejtor i Njësisë 1 të CEZ, Tiranë. Aksioni për t’u ndërprerë energjinë debitorëve është shtrirë në gjithë vendin. CEZ do të presë edhe të gjitha lidhjet e paligjshme të lidhura në sistemin e shpërndarjes së energjisë. Por një pjesë e madhe e këtyre abonentëve nuk kanë matës dhe nuk dihet ende se si CEZ do të bëjë pajisjen e tyre.

Sipas raportit të ERE-s, rreth 25% e totalit të abonentëve faturohen me konsum “0”. Edhe vetë ambientet e CEZ-Shpërndarjes faturoheshin me konsum “0” apo me vlera aforfe

ERE: CEZ duhet të importojë humbjet e energjisë

CEZ-Shpërndarje nën administrimin e shtetit duhet të plotësojë detyrimin për importin e humbjeve të energjisë, detyrim të cilin nuk po e përmbush. Mosrespektimi i këtij detyrimi çoi në heqjen e licencës ndaj çekëve të CEZ. Adriatik Bego, një nga komisionerët e Entit Rregullator të Energjisë, e ka cilësuar shqetësuese situatën aktuale, ku CEZ nuk po përmbush detyrimin ligjor të importit për të mbuluar humbjet. Por administratori i përgjithshëm i kompanisë së Shpërndarjes, Sahit Dollapi, tha se CEZ nuk ka patur mundësi për import, pasi i duhej të shlyente detyrimet e prapambetura ndaj kompanive furnitore. “Duke qenë se kompania ka patur detyrimet e vjetra kundrejt kompanive, ne kemi zbatuar një skedul dhe një grafik të likuidimit, qoftë të detyrimeve të reja, qoftë të detyrimeve të vjetra dhe besoj që deri në fund të muajit korrik dhe fillimin e muajit gusht, të gjitha detyrimet e vjetra që ka kompania me kompanitë e tjera, me përjashtim të kompanisë ‘CEZ Group s.a’ do të shkojnë në likuidim, çka na krijon neve mundësinë për rritje të konkurrencës për efekte financiare të uljes së çmimit”, tha Dollapi. Gjatë një takimi me drejtuesit e Entit, zoti Dollapi ka folur edhe për treguesit e kompanisë, të cilët sipas tij kanë ardhur në përmirësim që nga rikthimi i saj në administrim shtetëror, me përjashtim të qershorit, ku zgjedhjet kanë ulur arkëtimet dhe kanë rritur humbjet.

Gazeta Mapo, 09.07.2013