Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

“Shqiptari” i gazsjellësit

Naskë Afezolli tregon si nisi projekti dhe argumentet pro – kundër

Shumë pak vetë janë në dijeni të faktit që shqiptari Naskë Afezolli, si një nga drejtuesit kryesorë të kompanisë zvicerane EGL nga viti 1995 (aksioneri kryesor i TAP-it), ka dhënë ndihmesën e tij të paçmuar në realizimin e këtij projekti gjigant, me përfitues kryesor Shqipërinë, por dhe rajonin (përfshirë dhe Kosovën). Me gjithë vështirësitë dhe pengesat nga projektet paralele, si dhe nga fqinjët “xhelozë”, Afezolli deklaron se ka punuar pa reshtur për 10 vitet e fundit për ta çuar përpara këtë projekt. Me krenari ai e sheh projektin e tij të realizuar me sukses, duke i hapur rrugë një epoke të re në tregun shqiptar të energjisë.

Rrëfimi…

Kam punuar në EGL për zhvillimin e tregjeve të reja që në vitin 1995. TAP si projekt është konceptuar fillimisht nga një grup prej dy-tre kolegësh, ekspertë të mirënjohur në fushën e energjisë që iu bashkuam kompanisë së mirënjohur zvicerane (aktualisht “Axpo” – 45% të aksioneve në TAP) në fillim të viteve 2000.

Ishte një periudhë jashtëzakonisht interesante ndryshimesh në tregjet europiane të energjisë. Eksperienca e suksesshme e reformimit dhe liberalizimit të tregut amerikan të energjisë elektrike dhe gazit natyror ishte tanimë zhvendosur dhe në zhvillim të plotë edhe në Europën e Bashkuar. Ishin ravijëzuar rezultatet e para të suksesshme të liberalizimit të tregjeve të energjisë elektrike e të gazit natyror në Europë. Kompanitë e mëdha energjetike, kampionet nacionale të vendeve të Europës Perëndimore, ishin të detyruar nga reforma e liberalizmit të tregjeve të energjisë të humbnin monopolin e transmetimit dhe t’u lejonin akses të gjithë lojtarëve të tregut në kushte të barabarta konkurrence.

Në këto kushte edhe EGL, që kishte pasur një pozitë dominuese gjeografike prej shumë vitesh me eksporte të konsiderueshme të energjisë në Itali, do të humbiste mundësitë e transmetimit në linjat e saj të interkonjeksionit me këtë shtet. Për të mbajtur pozicionet e saj në Itali dhe për të qenë konkurrent në treg, EGL mori vendimin për të investuar në ndërtimin e 2000 MW në centrale të reja për prodhimin e energjisë elektrike me gaz natyror.

Ne, një ekip bërthamë fillestar ekspertësh morëm detyrën për studimin dhe realizimin e sigurimit të burimeve afatgjata e më ekonomike të furnizimit me gaz të centraleve të ardhshëm në Itali. Pasi u studiuan të gjitha mundësitë, u fokusuam në dy alternativa. E para mundësi ishte të hynim në kontrata afatgjata me furnizuesit monopolistë të gazit natyror në Itali me çmime relativisht të larta dhe e dyta ishte të siguronim gaz me çmime konkurruese nga burimet e reja nga vendet me rezerva të mëdha të gazit e që dëshironin të hynin në tregun europian. Nga dy alternativat kryesore në EGL, zgjodhëm variantin e vizionit të së ardhmes, atë të furnizimit nga burimet e reja, që përfshinte edhe diversifikimin e burimeve të gazit për Europën dhe rritjen e sigurisë së furnizimit. Studimet e parafizibilitetit filluan në vitin 2003. Për mua shqiptarin e lindur dhe rritur në Shqipëri dhe që e kishte lënë vendin e tij, ky ishte shansi i madh që mund t’i vinte Shqipërisë një herë në shekull. Lindi shpresa që Shqipëria europiane e meritonte prej shekujsh të integrohej sa më shpejt “de fakto” ekonomikisht dhe politikisht në Europë nëpërmjet një korridori energjetik.

Projektet konkurruese ose forcave të caktuara nuk u intereson një Shqipëri europiane dhe e stabilizuar. Dhe me të vërtetë në shumë konferenca e takime përballë apo në prapaskena u ndesha shpesh me argumentin e stabilitetit të Shqipërisë. Argumentoja në shumë prezantime me krahasimin e TAP me një “Egnatia” të gazit natyror. Edhe fakti që Shqipëria u anëtarësua në NATO na ka ndihmuar jo pak në të gjitha forumet e konferencat ku kam prezantuar projektin TAP për dhjetë vjet rresht nga viti 2002 deri në 2012.

Duhet theksuar se në studimet e parafizibilitetit janë analizuar tri rrugë kryesore e një nga ato e përjashtonte Shqipërinë. Por edhe dy projekte të tjera rajonale që konkurronin për të njëjtat burime të gazit natyror dhe nuk e përfshinin Shqipërinë. Kompanitë dhe vendet që zhvillonin ato projekte ishin shumë të fuqishme dhe jo rrallëherë jam ndeshur me argumentet e tyre se përse Korridori Jugor i Europës i Gazit Natyror duhet të anashkalonte Shqipërinë. Argumentet tona themelore në të gjitha forumet e gazit ku e kam prezantuar projektin në emër të EGL kanë qenë dy. Së pari, ana ekonomike sepse kalimi nga Shqipëria ishte projekti me koston më të ulët dhe së dyti, ndikimi që TAP do t’i sillte Shqipërisë dhe mbarë rajonit të Europës Juglindore që ende deri më sot është plotësisht i varur vetëm nga një burim furnizimi e për më tepër disa vende, si Shqipëria, Mali i Zi, dhe Kosova nuk kanë asnjë akses në import. TAP nuk është vetëm një projekt për Europën Perëndimore, por një projekt që do të sillte një zhvillim rajonal të paparë, përfshirë edhe Shqipërinë dhe gjashtë vendet fqinje që nuk janë ende anëtarë të Bashkimit Europian, por që aspirojnë të gjitha të jenë.

Më kujtohet kur u pyeta në vitin 2004 nga drejtori i ECA në Bankën Botërore, Peter Thompson se ç’më shtyu t’i drejtohem BB për të prezantuar projektin TAP. Përgjigjja ime ishte se është i vetmi projekt i korridorit Juglindor që në dallim nga të gjithë të tjerët kalon në Shqipëri (që është anëtare e Komunitetit të Energjisë të Europës Juglindore (EnC)); së dyti, është projekti me koston më të ulët, sepse kalimi nga Shqipëria kursen qindra milionë euro; së treti, nuk do të duhen kosto shtesë (përsëri kursehen disa qindra milionë euro) për të sjellë gaz natyror nga burimet e reja të gazit në Shqipëri dhe rajon, sepse TAP në të dy fazat e tij e kryen atë automatikisht pa kosto shtesë për investime në gazsjellës shtesë. Pra me një gazsjellës do të mund të zgjidhim dy probleme madhore, diversifikim të burimeve të gazit në Europën Perëndimore e Itali dhe rritjen e sigurisë së furnizimit. Si dhe do t’i sjellim gaz natyror asaj pjese të Europës Juglindore që ende nuk ka gaz. Me të pasur një letër mirëkuptimi nga Banka Botërore do të fillonim nënshkrimin e marrëveshjeve me qeveritë e tre vendeve nga do të kalonte TAP. Letra pozitive arriti së shpejti nga BB në të cilën vlerësohej projekti TAP për specifikat e tij rajonale. Letra e Bankës Botërore na dha mundësinë e fillimit të kontakteve zyrtare me qeverinë e Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, nga ku ishte planifikuar të kalonte TAP (më vonë u vendos që TAP të kalonte nga Greqia në Shqipëri për në Itali).

Dhe ja erdhi ky çast simbolik i datës 28 qershor (fill pas 100-vjetorit të Pavarësisë).

Marrë me shkurtime nga intervista dhënë për “energjia.al

Revista Monitor, 08.07.2013