Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Qeveria Greke dhe TAP bien dakort mbi Marreveshjen me qeverine e vendit prites

Qeveria Greke (Ministria e Energjisë, Mjedisit dhe Ndryshimeve Klimaterike – MEECC) dhe projekti Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) ranë dakord sot mbi Marrëveshjen me Qeverinë e Vendit Pritëse (HGA) në Athinë. 
HGA-ja vendos kuadrin me anë të të cilit projekti do të realizohet dhe do të operojë në territorin grek. Kjo përfshin procese lidhur me servitutin dhe blerjen e tokës, zbatimin e standardeve teknike, të sigurisë, mjedisore dhe sociale si dhe marrjen e lejeve përkatëse.
TAP-i do të jetë një nga burimet më të mëdha të investimeve të huaja direkte në Greqi dhe përllogaritet që kosto e tij për seksionin grek të kapë rreth 1.5 miliard Euro. Gjatë ndërtimit, pritet që TAP të krijojë rreth 2.000 vende pune të drejtpërdrejta dhe 10.000 jo të drejtpërdrejta në një sërë industrish, përfshirë prodhimin dhe shërbimet komunale, transportin, telekomunikacionin dhe shërbimet e biznesit e financiare. Projekt tashmë bashkëpunon më një sërë biznesesh dhe ekspertësh grekë dhe do të kërkojë të zgjerojë këtë bashkëpunim në përputhje me angazhimin e tij përsa i përket Përmbajtjes Vendore.
TAP do të përforcojë sigurinë dhe diversitetin e energjisë duke siguruar një burim të ri gazi. Gazsjellësi do të transportojë gaz natyror nga fushat gjigande të Shah Deniz II në Azerbajxhan përmes Greqisë dhe Shqipërisë për në Itali, nga ku mund të transportohet më tej për në Evropën Perëndimore e Qendrore.
Seksioni më i gjatë i gazsjellësit TAP do të jetë në Greqi. Gazsjellësi do të nisë në Kipoi në kufirin Turko-Grek dhe do të përshkojë rreth 550 km duke hyrë në Shqipëri në perëndim të Dipotamia-s. Si i tillë projekti do të mbështesë ambicien e Greqisë për t’u kthyer në një “Autostradë Energjie” me rëndësi. Për më tepër, pikat e planifikuara të interkonjeksionit dhe aftësia e rrjedhjes së kundërt e TAP-it do të mbështesin gjithashtu sigurinë e furnizimit për vende të tjera në rajon.
Kjetil Tungland, Drejtori Menaxhues i TAP-it, theksoi: “Tashmë kemi të gjithë marrëveshjet politike të nevojshme për vendimmarrjen e Shah Deniz-it. Kam besim të plotë se propozimi ynë është më i fuqishmi nga pikëpamjet teknike, tregtare dhe politike, duke qenë se kemi mbështetje të jashtëzakonshme nga qeveritë pritëse. Do të doja gjithashtu të falënderoja Qeverinë Greke në veçanti që bëri të mundur këtë arritje të jashtëzakonshme si dhe për mbështetjen e tyre të vazhdueshme për TAP-in.”
Rikard Scoufias, Drejtori i TAP-it për Greqinë, shtoi: “Përmbyllja e përmbajtjes së kësaj marrëveshjeje kërkoi shumë punë nga të dy palët. Kjo arritje nuk ka rezultuar vetëm në një komponent të rëndësishëm për sigurimin e ofertës së Greqisë dhe TAP-it për Korridorin Jugor të Gazit, por ajo gjithashtu përbën një pikë referimi ndërkombëtare për dobinë, lidhur me vendosjen e një klime investimesh pozitive. Me mbështetjen e siguruar nga Qeveria Greke, ashtu si edhe nga Parlamenti Grek, besoj se jemi në rrugë të mbarë për dorëzimin e një projekti që do të ketë ndikim të dukshëm pozitiv mbi objektivat energjetikë të Greqisë, rajonit si edhe Evropës”.

energjia.al, 21.06.2013