Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia Diellore, potenciali me i madh ne Kosove

Dje me datë 20.06.2013 në ambientet e Hotel Victory në Prishtinë është mbajtur tryeza e rrumbullakët me temë “Shfrytëzimi i energjisë alternative në zonat rurale” organizuar nga Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë të Kosovës – IADK dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme si Ministria e Bujqësisë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, si dhe prej disa ambasadave të vendeve të BE-së në Kosovë. Po ashtu kanë marrë pjesë në këtë tryezë të rrumbullakët edhe përfaqësues të organizatave të ndryshme që lidhen me aktivitetet e sektorit të bujqësisë apo me laminë e energjisë alternative.

Fjalën e hapjes e mori Drejtori Ekzekutiv i IADK-së, z. Zenel Bunjaku, i cili pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, theksoi rolin dhe rëndësinë e bujqësisë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Bujqësia tha ai kontribuon për 12% në produktin e brendshëm bruto, ndërsa nga aspekti i ndikimit ndotës në ambient përbën rreth 13% të totalit të ndotjes. Ndërkohë që Bashkimi Evropian dhe vendet e zhvilluara kanë si objektiv reduktimin e efektit serrë deri në masën 20%, shfrytëzimin e energjisë nga burimet alternative deri ne 20% për periudhën deri në vitin 2020. Pra formula 20:20:20. U theksua nga z. Bunjaku se në Kosovë nga qeveria dhe specifikisht nga Ministria e Bujqësisë nuk janë alokuar thuajse fare fonde në drejtim të inkurajimit të përdorimit të energjisë alternative. Z. Bunjaku përmendi se IADK-ja me kontributin e donatorëve nga Gjermania, Finlanda dhe Suedi ka filluar një iniciativë për promovimin e përdorimit të energjisë alternative në bujqësinë e Kosovës.

Më pas iu dha fjala ekspertit gjerman Bernd Sitzmann për të paraqitur rezultatet e një studimi të fizibilitetit financuar nga fondi i donatorëve të IADK-së për të vlerësuar potencialin e aplikimit të llojeve të ndryshme të energjisë alternative në bujqësinë e Kosovës. U prezantua se nga analiza e bërë prej formave të energjisë alternative të cilat mund të përdoren si biomasa, biogazi, energjia e erës dhe energjia diellore, në Kosovë potencialin më të madh e ka energjia diellore e cila ka edhe kthimin më të shpejtë në investim krahasuar me format e tjera të energjisë alternative.

Në prezantimin pasues nga z. Basri Hyseni, Drejtues i Departamentit të Hortikulturës dhe përgjegjës për energjinë alternative në IADK, u prezantuan format e përdorimit të energjisë diellore në bujqësinë e Kosovës si dhe u dhanë shembujt konkretë nga investimet pilot të financuara nga projekti i IADK-së. U theksua se energjia diellore mund të përdoret me sukses në disa sektorë të bujqësisë si blegtoria, prodhimtaria e pemëve dhe perimeve, përpunimi dhe bimët për qëllime të ndryshme si pasterizimi, pompimi i ujit për ujitje, tharja e bimëve dhe frutave të ndryshme. U përmend nga zyrtari i IADK-së se investimet pilot nga projekti i IADK-së janë në pasterizimin i qumështit përmes energjisë diellore me investim prej mbi 42,000 Euro te qumështorja Aldi në Mitrovicë, në pompimin e ujit 4 pompa për ujin me energji diellore me vlerë totale prej 24,000 Euro secila si dhe në tharjen e bimëve mjekësore janë bërë investime ne 2 operatore me vlere totale prej 15,000 Euro. Planifikohet që një investim tjetër pilot të jetë edhe në pasterizimin e perimeve te ndërmarrja Fitimi në Drenas. Përfitimet janë mjaft të mëdha në kursim të shpenzimeve të naftës dhe energjisë elektrike, dhe kthimi në investim është për një periudhë të shpejtë kohore. Jetëgjatësia e pajisjeve është 20 vjeçare, që mundëson një shfrytëzim afatgjatë dhe me leverdi në bujqësi.

Sipas drejtorit ekzekutiv të IADK-së z. Bunjaku është bashkëpunuar me dy kompani austriake dhe një gjermane, prodhuese të pajisjeve për shfrytëzimin e energjisë diellore SonnenCraft, Solar GMBH 23 dhe Cona Solar. Po ashtu është involvuar edhe kompania lokale Muqa Company.

Më tutje janë mbajtur prezantime të tjera nga Ministria e Bujqësisë ku ka prezantuar përfaqësuesi z. Lulzim Shamolli, i cili ka thënë se nuk ka pasur alokim të fondeve për energjinë alternative për shkak se prioritet ka qenë zgjerimi i kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese në bujqësi. Po ashtu z. Shamolli përmendi rëndësinë e influencimit për futjen në strategjinë e bujqësisë për periudhën 2014-2020 edhe të investimeve në energjinë alternative në bujqësi.

Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor e përfaqësuar nga z. Shpëtim Rudi po ashtu prezantoi prioritetet e kësaj ministrie në drejtim të përdorimit të energjisë alternative. Ai theksoi rëndësinë e përdorimit të kësaj energjie në zonat rurale, ku edhe potenciali është shumë i madh sidomos për zhvillimin e turizmit rural në zona ku mbulimi me energji elektrike nuk ekziston.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik e përfaqësuar nga z. Bedri Dragusha ka përshëndetur organizimin e kësaj tryeze dhe ka përmendur se është në përfundim edhe legjislacioni që ka të bëjë me energjinë alternative. Prioritet i kësaj ministrie sipas direktivave të BE-së është rritja e përdorimit të energjisë alternative deri në 29% në një periudhë të afërt. Po ashtu ai theksoi se disa donatorë si gjermanët dhe Banka Botërore kanë dhënë fonde në promovimin e energjisë alternative.

Në tryezën e rrumbullakët ka prezantuar edhe njëra prej kompanive furnizuese me pajisje për shfrytëzim të energjisë diellore.

Më tutje tryeza e rrumbullakët pasoi me diskutime të ndryshme të pjesëmarrësve lidhur me çështjet e promovimit më të mirë të energjisë alternative në përgjithësi si edhe në bujqësi. U vlerësua lart iniciativa e IADK-së për promovimin dhe investimet pilot në fushën e energjisë alternative në bujqësi edhe pse kjo iniciativë përbën një pjesë të vogël të fondit nga projekti i implementuar nga IADK-ja.

Ndër rekomandimet kryesore të tryezës së rrumbullakët ishin:

Ndikimi në rritjen e vetëdijes në përgjithësi si dhe të gjeneratave të reja lidhur me përdorimin e energjisë alternative dhe burimeve të tjera të ripërtëritshme të energjisë.

Koordininimi dhe kanalizimi i përpjekjeve dhe fondeve nga donatorët dhe institucionet edhe në laminë e energjisë alternative

Edukimi në sistemin parashkollor dhe të mesëm lidhur me mbrojtjen e ambientit dhe përdorimi i energjisë alternative si dhe trajnimi profesional edhe në faza të tjera të shkollimit për mirëmbajtjen e këtyre sistemeve

Përshkrimi i përfitimeve ekonomike të përdorimit të energjisë alternative, për arsye se në bujqësi inovacioni pranohet me vështirësi.

Të kalohet nga faza e pilotimit dhe të vazhdohet me kalimin në fazën e vendosjes si prioritet zhvillimi

Rritja e bashkëpunimit edhe ndërmjet institucioneve lidhur me energjinë alternative

Rritja e shkëmbimit të informacionit dhe koordinimi i akterëve të ndryshëm lidhur me iniciativa të tilla

Organizimi i tryezave të rrumbullakëta në vazhdimësi lidhur me çështjet e energjisë së ripërtëritshme

Ndikimi në heqjen e taksave doganore dhe TVSH-së për importin e sistemeve për energjinë alternative

energjia.al, 21.06.2013