Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Menaxhimi i mbetjeve, “pengu” i qeverisjes qendrore dhe vendore

Asnjë bashki e komunë në vend nuk bën ndarje të mbetjeve. Të gjitha plehrat depozitohen nëpër zona të caktuara, të cilat nuk plotësojnë kushtet e duhura inxhinierike për mbrojtjen e ambientit dhe janë subjekt i zjarreve të shpeshta. 
Komuna – Mbeturinat depozitohen në zona të pacaktuara, zakonisht pranë lumenjve apo buzë rruge. Në të shumtën e rasteve ato digjen ose akoma më keq, dekompozohen, duke u kthyer në vatra infeksioni.
Rrezikshmëria – Mbetjet e rrezikshme të sektorit industrial depozitohen në të njëjtat vende me mbetjet urbane të bashkive duke u trajtuar në të njëjtën mënyrë. Po këtë fat kanë edhe mbetjet spitalore.
Krahasimi – Në varësi të bumit të industrisë së ndërtimit ka variuar edhe sasia e mbetjeve inerte. Vitet 2003 e 2005 kanë shënuar shifrat më të larta. 2005-a duket se ka sjellë edhe një ndryshim të raporteve midis tipave të mbetjeve.

Menaxhimi i mbetjeve në të gjithë vendin mbetet një nga problemet kryesore të qytetarëve shqiptarë. Më shqetësuese situata është në qytetet më të zhvilluara me popullsi më të lartë, si Tirana, por edhe në qytete turistike, të cilat frekuentohen kryesisht muajt e verës nga pushuesit. Pavarësisht turizmit, gjatë 12 muajve të vitit situata e menaxhimit të mbetjeve është ende e paqartë dhe zgjidhjet akoma nuk janë të frytshme, pavarësisht përpjekjeve që janë bërë me ndryshimin e legjislacionit apo iniciativave të ndërmarra nga strukturat mjedisore, të qeverisjes qendrore dhe vendore. Mungesa e bashkëpunimit, por edhe mungesa e iniciativës nga qytetarët për të kontribuuar të gjithë së bashku për një ambient më të pastër, për një mjedis më të shëndetshëm ka bërë që sot ecuria e punëve në menaxhimin e mbetjeve të mos ketë bërë hapa përpara.

Konkretisht, në asnjë qytet në vend nuk ka kazanë mbeturinash ku të bëhet edhe ndarja e mbetjeve që në burim, njësoj si në vendet perëndimore sipas klasifikimit, qelq, letër, mbeturina konsumi. Po ashtu, edhe pas kaq shumë vitesh, në vend nuk ka ende një sistem kontrolli dhe përpunimi të mbetjeve tepër të rrezikshme, siç janë ato spitalore apo mbetjet industriale.

Shoqata e ricikluesve në vend ka deklaruar se shumicën e lëndës së parë për riciklim Shqipëria sot e merr nga importi dhe një përqindje e paktë e produkteve të riciklueshme merren nga mbetjet vendase. Të gjitha mbeturinat bëhen bashkë, nuk ka ndarje, nuk ka menaxhim të integruar dhe pjesa më e madhe e tyre digjen në ambient, duke sjellë pasoja të rënda për mjedisin, shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

Në fillim fajet ishin të papërcaktuara, e gjithë përgjegjësia binte mbi Ministrinë e Mjedisit, por dy vjet më parë, me miratimin e ligjit për menaxhimin e mbetjeve, kompetencat për administrimin dhe gjetjen e zgjidhjeve iu kaluan zyrtarisht bashkive, komunave, pushtetit vendor.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Mjedisit, ka një trend në rritje të mbetjeve totale të gjeneruara nga viti në vit.

Në një analizë të “Open Data Albania” rezulton se mbetjet urbane kanë qenë në rritje të vazhdueshme, mesatarisht 17% në vit.

Viti 2005, ka pasur rritjen më të madhe, me rreth 60% krahasuar me 2004-n. Ritme të larta kanë pasur edhe vitet 2006 e 2007, ndërsa në vitet e mëpasshme duket se ka pasur një “normalizim” të normave të mbetjeve urbane.

Trendi është i ndryshëm për mbetjet inerte.

“Nëse mbeturinat urbane janë deri diku më të miradministruara nga pikëpamja e grumbullimit, mbeturinat inerte duket se kanë pushtuar çdo hapësirë të mundshme të lirë nëpër hyrjet e daljet e qyteteve. Situata paraqitet shumë problematike, sidomos në qytetin e Vlorës (zona e hyrjes së qytetit dhe Pylli i Sodës), në Sarandë. Në varësi të bumit të industrisë së ndërtimit ka variuar edhe sasia e mbetjeve inerte. Vitet 2003 e 2005 kanë shënuar shifrat më të larta. 2005-a duket se ka sjellë edhe një ndryshim të raporteve midis tipave të mbetjeve. Deri në këtë periudhë mbetjet inerte ishin më të larta sesa ato urbane. Pas 2005-s, sasia e mbetjeve urbane ka qenë gjithmonë e më e lartë, derisa në 2009-n ato ishin gati dy herë më të larta sesa mbetjet inerte”, sqaron “Open Data Albania”.

Rritja e vazhdueshme e konsumit, zhvendosjet e popullsisë dhe zhvillimi ekonomik, të pashoqëruara me një administrim të kujdesshëm të mbetjeve, i kanë kthyer ato në një burim të ndotjes së ambientit dhe të sëmundjeve.

Në Shqipëri, një pjesë fare e vogël e mbetjeve riciklohen, shumë pak groposen dhe në të shumtën e rasteve depozitohen në zona të caktuara dhe digjen. Kjo sjell një ndotje të lartë të ajrit që thithin çdo ditë qytetarët shqiptarë. Situata përkeqësohet akoma dhe më shumë po të shtohet fakti se mbetjet e rrezikshme të sektorit industrial depozitohen në të njëjtat vende me mbetjet urbane të bashkive, duke u trajtuar në të njëjtën mënyrë. Po këtë fat kanë edhe mbetjet spitalore. Ato duhen asgjësuar në kushte totalisht të kontrolluara, pasi përmbajnë kimikate shumë të rrezikshme për jetën e njeriut. Por i vetmi spital që gëzon një makineri për asgjësimin e mbetjeve spitalore, e që punon me kohë të pjesshme, është spitali “Nënë Tereza”.

Gazeta Shqip, 06.06.2013