Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Privatizimi i “Albpetrol”, dëmi 85 mln euro

Garancia ishte fiktive, duhet të ishte në një bankë. Kontrollohet edhe “Patton Bogs”. 
Qeveria ka dështuar për të privatizuar kompaninë e prodhimit të naftës “Albpetrol”, duke shkaktuar një dëm që llogaritet deri në 85 milionë euro. Të paktën këto janë dyshimet e para të prokurorisë shqiptare, e cila ka nisur një verifikim të dokumentacionit për këtë tender. Qeveria duhet të kishte “fituar” të paktën 85 milionë euro, që ishte edhe garancia e kompanisë që u rendit e para, ndërsa zyrtarët e METE-s, që ishin në krye të këtij tenderi, duhet të kontrollonin të gjithë dokumentacionin e firmave pjesëmarrëse, nëse kishin vendosur apo jo garanci. Ka dyshime se shuma e akorduar ka qenë fiktive, ndërsa komisioni nuk ka bërë më të voglin kontroll në bankën e pretenduar që ishte edhe garancia. Ndaj, hetimet e njësisë Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës kanë nisur me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe shkelje të barazisë në tenderë për nëpunësit e shtetit, që kanë pasur të gjithë mundësinë për të kryer një tender të rregullt ligjor.

Shpërdorimi i detyrës

Zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë, që zhvilloi edhe tenderin për privatizimin e “Albpetrol” janë të gjithë objekt hetimi nga ana e Prokurorisë së Tiranës. Në “sitë” do të kalojnë kryesisht drejtuesit e kësaj ministrie, pasi edhe tenderi kishte një rëndësi madhore, ku do të bëhej i mundur privatizimi i një kompanie shtetërore, me asete qindra milionë euro. Megjithatë, tenderi ka dështuar dhe “fituesi” nuk kishte vendosur garanci pasurore, megjithëse ofroi 850 milionë euro për të privatizuar “Albpetrol”-in. Në atë kohë, qeveria do të shpejtonte të deklaronte se ky tender ishte më i suksesshmi i kryer ndonjëherë dhe një pasuri e shtetit u kaloi pronarëve për një shifër monetare rekord. Megjithatë, ditët kalonin dhe fituesit e “Vetro Energy” nuk derdhën shumën në arkat e qeverisë, madje kërkimet e palës shqiptare ishin të dëshpëruara. Në bankën amerikane nuk u gjet as garancia, që ishte kryesorja për pjesëmarrjen në tender. Sipas procedurave, nëse një firmë nuk vendoste garanci 10 për qind të ofertës, atëherë përjashtohej nga tenderi. Në rastin konkret, kompania që u shpall fituese, sipas dokumenteve që janë në prokurori, nuk ka vendosur garanci pasurore, duke shkelur haptazi procedurat dhe ligjet.

Hetime për mashtrim

Krahas akuzave për shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë në tenderë, Prokuroria e Tiranës po heton këtë çështje edhe për mashtrim. Anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, përveçse kanë pranuar dokumentacionet e kompanisë që ka marrë pjesë në tender, kanë bërë edhe shpalljen e fituesit, kompaninë “Vetro Energy” më datë 3 tetor të vitit të kaluar. “Dyshohet që kompania e shpallur fituese ka mashtruar me garancinë bankare, e favorizuar këtu edhe nga kompania konsulente “Patton Bogs”, e cila kishte për detyrë konfirmimin e garancisë bankare. Banka amerikane, garante e parave të kompanisë “Vetro Energy”, duhet të kalonte në llogarinë e shtetit shqiptar 10% të vlerës së tenderit, ose 85 milionë euro”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Tiranës. Sipas tyre, edhe pse kanë kaluar disa muaj, kjo shumë nuk është derdhur, çka i ka shkaktuar shtetit shqiptar një dëm financiar dhe dëmtim të imazhit.

Verifikimi i garancisë

Një nga pikat kyçe të hetimit do të jetë nëse METE ka kryer apo jo verifikimin e garancisë. “Në këto veprime hetimore, hetuesit do të nxjerrin një përfundim nëse konsulenti amerikan i qeverisë shqiptare, firma ‘Patton Boggs’, ka favorizuar apo jo konsorciumin”, pohojnë burimet nga akuza. Sipas tyre, nga verifikimet e dokumentacionit, ka rezultuar se kjo firmë ka dhënë konfirmimin e garancisë që kishte dhënë firma fituese, pra “Vetro Energy”, që më pas rezultoi se ishte e pavërtetë.

Të dhëna

Akuzat

Hetimi ka nisur për disa vepra penale që nga mashtrimi e deri tek akuzat e shpërdorimit të detyrës nga zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës…

Verifikimet

Po verifikohen të gjitha procedurat e ndjekura nga kompania konsulente e këtij tenderimi, “Patton Bogs” dhe shoqëria e shpallur fituese “Vetro Energy”

Garancia

Dyshohet që kompania e shpallur fituese ka mashtruar me garancinë bankare, e favorizuar këtu edhe nga kompania konsulente “Patton Bogs”

Qeveria

Kompania nuk ka derdhur për llogari të shtetit 85 milionë euro. Në atë kohë, qeveria së bashku me “Patton Boggs” deklaruan se garancia ishte verifikuar si e rregullt

Gazeta Shqip, 04.06.2013