Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ, gjendje kaotike me faturat, transparencë zero me qytetarët

FORUM / Flasin për “Telegraf”: Gjergj Simaku, Pajtim Bello dhe Martin Cukalla. 
Situata energjetike në Shqipëri mbetet e njëjtë dhe me probleme edhe pas largimit të përfaqësuesve të CEZ. Probleme me faturat, probleme me kontrollin e faturave on-line, probleme me bërjen e ankesave dhe me furnizimin me energji. Edhe pse u bënë premtime të pafundme para pak muajsh, kur u bë kalimi i administrimit te qeveria, sot pas disa muajsh mund të thuash pa frikë që s’ka asnjë përmirësim. Përfaqësuesit që kanë marrë nën administrim energjinë elektrike, bëjnë shpesh deklarata, për rregullimin e situatës së energjisë elektrike. Por sërish ka qytete dhe fshatra që kanë ndërprerje, justifikimi është se po bëhen rregullime në linja. E si përfundim del që problemet e qytetarëve shqiptarë s’kanë të sosur me energjinë elektrike. Por problemi nuk qëndron vetëm me mungesën e energjisë në disa zona, në të cilat pretendohet se po bëhen rregullime. Problemi i qytetarëve është edhe më i gjerë, pasi një herë u vijnë faturat e larta një herë tjetër nuk vijnë faturat fare, sepse nuk punon sistemi. Edhe në rastet që shkojnë për të tërhequr faturat qytetarët duhet të presin me orë të tëra për të marrë faturën dhe këto vonesa vijnë për shkak të shërbimit jo të mirë që u ofrohet qytetarëve.
Problematika me faturat
Në asnjë moment nuk kanë reshtur së ardhuri fatura super të larta në adresë të qytetarëve. Edhe pse u mendua që me largimin e kompanisë CEZ, do të merrte zgjidhje situata asgjë nuk është përmirësuar. Ankesat vazhdojnë që të vijnë, ndërsa qytetarët detyrohen të paguajnë faturat e larta. Në lidhje me këto probleme kanë folur në një forum për “Telegraf”, inxhinier Martin Cukalla, Eksperti i energjisë, Gjergj Simaku, ish -zëvendësministri i Ekonomisë, Pajtim Bello.
Inxhinier Martin Cukalla
Zoti Cukalla, si e shikoni situatën energjetike në Shqipëri pas largimit të CEZ, e cila kaloi nën administrimin e qeverisë?
Ato çka shikojmë janë tjetër gjë: Një privatizim i dështuar i shpërndarjes (CEZ), një menaxhim që shpërdoron burimet e energjisë dhe që shpërndan humbjet e vjedhjet tek qytetarët që paguajnë apo në buxhetin e shtetit; një rrjet transmetimi për tensionin e mesëm e të ulët që ka përjashtuar çdo normë teknike të mirëfilltë e që grabitet sistematikisht; dhe, pa u ndalur në imtësi të tjera: një sistem energjetik të paqëndrueshëm si ndaj rritjes së shpejtë të konsumit mesatar edhe ndaj “Pikut” ditor e vjetor. Burime energjie kemi, nuk funksionon mekanizmi që i ve ato në përdorim të shpejtë. Sistemi energjetik i vendit tonë edhe tani, me mbi 20 vjet reformim, investime, privatizime, lëvdime, qortime, shkarkime, fjalime e plot …ime të tjera, nuk ka zënë ende nivelet e vitit 1986 në kapacitetet prodhuese e prodhim energjie, në sigurinë e rrjeteve të shpërndarjes dhe parametrat e cilësisë së produktit tek konsumatori i qyteteve të mëdha (jo më tek fshatrat e largëta), në parametrat tekniko-ekonomik të produktit, etj.
Faktin që vendi ynë importon energji në periudha të caktuara si u duket?
Pa përsëritur çka thashë më sipër, për importin në kohë të caktuara të energjisë elektrike shtoj: Kompleks në negativitetin e vet dhe një masë e detyruar për të ruajtur minimumin e furnizimit të popullatës e të ekonomisë. Është një barrë në bilancin negativ të importit ndaj eksportit si dhe një shteg që rrit ngarkesën në kostot e konsumatorit vendas. Është rrjedhojë e ndërtimit të pabalancuar të sistemit tonë energjik që është i mbështetur vetëm në hidro dhe nuk ka zhvilluar edhe termoenergjinë të paktën për aq sa të balanconte burimet me kërkesat gjithëvjetore si është vepruar në shtetet fqinjë dhe në shtetet e zhvilluara.
Eksperti i energjisë, Gjergj Simaku
Zoti Simaku, edhe pse kanë kaluar disa muaj nga kalimi i CEZ në administrimin e qeverisë përsëri situata mbetet problematike. Ju si e shihni situatën?
Është e vërtetë që situata nuk duket edhe aq optimiste. Gjithashtu është e vërtetë se CEZ la një mal me borxhe dhe krijoi një destabilitet tek konsumatorët dhe partnerët e CEZ. Por është e vërtetë që gjatë këtyre tre muajve është rritur prodhimi dhe është eksportuar energji elektrike. Por ajo që nuk i falet premtimeve të administratorit të ri të CEZ (Albania) është se nuk është bërë progres në arkëtimet e energjisë elektrike dhe nuk është identifikuar dhe falur tek konsumatorët mbi faturimi i gjatë largimit të CEZ.
Nuk dua të besoj se financat e CEZ përdoren për klientët e pushtetit dhe nuk dua të komentoj faktin se ka një seleksion në radhët e konsumatorit pa dallim partiak dhe elektoral. Kjo duket. Administratori i CEZ nuk ka entuziazmin e ditëve të fundit të janarit 2013, por ka rënë në rutinën e viteve më parë: “terror” tek punonjësit që nuk binden dhe një kujdes që vjen e venitet ndaj konsumatorëve. Bëj pyetjen? Mos e sheh veten si i përkohshëm?
Herë pas here ka ndërprerje të energjisë për shkak të problemeve në rrjet në zona të ndryshme. Edhe pse u premtua se do të ketë përmirësime dhe investime asgjë nuk ka ndryshuar, si e shpjegoni këtë?
Është besoj, “lajtmotivi” i justifikimeve për mosinvestimet korrekte në rrjetin e amortizuar të shpërndarjes. Gjendja është lënë pas dore nga çekët dhe është e vështirë të ndërhyhet në kohë të shkurtër. Ka shumë për të bërë por ajo që nuk dëgjojmë është se publiku nuk informohet në mënyrë transparente për çdo defekt, dhe në përputhje me kontratën kolektive, e cila për mendimin tim duhet të fillojë të zbatohet. Nga kush? Enti rregullator duket se është i pa aftë ta bëjë këtë dhe nuk ka kapacitete ti “dalë zot” problemeve të përditshme të konsumatorëve.
Ish- zëvendësministri i Ekonomisë, Pajtim Bello
Si e shihni situatën e energjisë elektrike pas largimit të CEZ, e cila sot ndodhet në administrimin e një administratori shqiptar?
Po ta shikosh situata energjetike në sektorin e energjisë nuk është aspak e mirë. Situata nuk ka ndryshuar aspak për mirë edhe në shërbimin ndaj klientit nuk ka ndryshuar asnjë gjë, situatës mbetet njësoj, por tani ka dhe një anë tjetër të papëlqyeshme nga qytetarët, pasi mungon transparenca. Njerëzit nuk kanë as ku të ankohen dhe as ku të ballafaqohen. Sepse këto sisteme në strukturën organizative të CEZ-it tashmë janë hequr. Tani qytetarët nuk mund të kontrollojnë në rrugë elektronike faturën e tyre, edhe sistemi i ankesave është hequr dhe tani ato kanë krijuar një rreth vicioz brenda vetvetes së tyre dhe kjo vjen si pasojë e lidhjeve nepotike dhe familjare që është krijuar në CEZ, nga shkurti dhe deri më tani. Kjo është bërë e qëllimshme pasi qeveria ka dashur që ta shfrytëzojë këtë për fushatën. Por kjo është bërë për të abuzuar me fondet.
Shqipëria herë pas here ka importuar energji, a është normale kjo për një vend si Shqipëria, e cila i ka mundësitë për të krijuar energjinë vetë?
Energjia nuk mund të prodhohet as për tre muaj, as për një vit, kjo do kohë. Kjo ka ndodhur pasi nuk janë krijuar burime të reja prej 30 vjetësh dhe Shqipëria ka nevojë për burime të prodhimit të energjisë elektrike. Por tashmë problemi i ri që ka dalë është se janë dhënë shumë kontrata konçesionare dhe nuk po ndërtohet në fakt sepse këto kontrata janë dhënë në mënyrë të dyshimtë korruptive dhe burimet ujore kanë ngelur peng të kontratave ujore konçesionare.

Gazeta Telegraf, 01.06.2013