Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosovë: 7 milionë euro derivate i “djegin” për tre muaj

Më shumë se 7 milionë euro kanë shpenzuar institucionet e Kosovës vetëm në tre muajt e parë të këtij viti në derivate të naftës, ndonëse Hashim Thaçi në fillim të mandatit si kryeministër i vendit kishte premtuar ulje të këtyre shpenzimeve.
Mirëpo, që nga viti 2008 e këndej shpenzimet për derivate janë në rritje e sipër, ndërsa zyrtarët e institucioneve ngritjen e këtyre shpenzimeve e kishin arsyetuar me shtrenjtimin e “arit të zi” në tregjet ndërkombëtare.
Shumicën e tenderëve për furnizim me derivate të naftës e fitojnë importuesit e mëdhenj si: “Hib Petrol”, “Petrol Oti”, etj, derisa disa anëtarë të Shoqatës së Naftëtarëve thonë se as nuk ja vlen të konkurrohet në tenderët e institucioneve, pasi që, sipas tyre, fituesit dihen paraprakisht.
“Nuk kemi gjasa t’i fitojmë tenderët e institucioneve për furnizim me derivate, pasi që fituesit shihen prej aeroplanit”, shprehet Fadil Berjani nga kompania “Dilloni Benz”.
Sipas Berjanit, kompanitë që shpallen fituese të tenderëve të institucioneve konkurrojnë me premium zero, pa fitim, ndërsa më pas bëjnë keqpërdorime duke i rritur faturat dhe duke e zvogëluar sasinë e derivateve, etj.
“Për dallaveret që i kanë bërë në furnizimin e institucioneve me derivate të naftës, këto kompani i kanë punëtorët e tyre në burgje dhe nuk e kuptoj ende se si vazhdojnë t’i fitojnë të gjitha tenderët”, shprehet ai.
Pronari i kompanisë “Dilloni Benz” thotë se është i bindur se përpos disa kompanive të caktuara, askush nuk mund t’i fitoj tenderët e institucioneve për furnizim me derivate të naftës, prandaj as s’ia vlen të konkurrohet.
“Mëkat për çdo kënd tjetër është të përgatis dosjen e tenderit, kur fituesit e tenderëve dhe mashtruesit brenda institucioneve shihen prej aeroplanit”, ka nënvizuar ai.
Edhe partitë opozitare kritikojnë drejtuesit e institucioneve për shpenzime astronomike për derivate të naftës, duke i harruar kështu premtimet e së kaluarës për zvogëlim të këtyre shpenzimeve.
“Kjo Qeveri dhe këta qeveritar nuk brengosen për taksat e qytetareve, e aq më pak për premtimet që i kanë dhënë në të kaluarën”, ka theksuar për “Zërin” Dardan Sejdiu nga Lëvizja “Vetëvendosje”.
Sipas tij, nëse analizohen shpenzimet e planifikuara për mallra dhe shërbime, do të shihet se i gjithë buxheti përcjellë logjikën e shpenzimeve të naftës.
”Këta qeveritar nuk janë të interesuar për mirëqenien e të gjithëve, por vetëm për luksin e tyre personal dhe kjo shihet në secilën vijë buxhetore, në secilin projekt, në secilin shpenzim”, ka nënvizuar Sejdiu.
Përndryshe, importuesit më të mëdhenj të derivateve të naftës në vend janë financuesit e partive kryesore politike në vend.
Pronari i kompanisë “Hib Petrol”, Ibrahim Bucaliu, muaj më parë pati pranuar për gazetën “Zëri” se i financon shumicën e partive politike në vend, ndonëse pati mohuar se më pas këto të fundit e shpërblejnë me tenderë për furnizim me derivate të naftës.
“Të gjitha partitë politike i financoj, aq sa kam mundësi, mirëpo nuk jam vegël e asnjë prej tyre. Gjithë kjo pasuri e imja është ajo që e kam pasur më herët dhe nuk jam favorizuar deri më tani nga askush”, pati potencuar ai.
Furnizuesit e institucioneve me derivate
Zyra e Presidentes- Petrol Oti Slovenia
Kuvendi i Kosovës- Hib Petrol
Zyra e Kryeministrit- Hip Petrol
Gjykata Kushtetuese- Petrol Oti
Ministria e Pushtetit Lokal- Hib Petrol
Ministria e Administratës Publike- Petrol Oti
Ministria e Zhvillimit Ekonomik- Hib Petrol
Ministria e Tregtisë- Petrol Oti
Ministria e Shëndetësisë- Hib Petrol

Gazeta Zeri, 13.05.2013