Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Privatizimi i KEDS dëmton ekonominë e Kosovës

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti në 11 maj një konferencë për media ku Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu paraqitën të dhënat mbi dëmtimin e interesit publik, dëmtimin e pronës tonë publike dhe parregullsitë, që janë rezultat i procesit të privatizimit të ndërmarrjeve publike në Kosovë, konkretisht i KEDS dhe Telekomit.
Privatizimi i KEDS
KEDS-i po del që nuk është shitur as për 26 milionë euro. Pas atyre 15 milionë eurove për orët digjitale tash po dalin edhe këto 17.8 miliona tjerë. Kësisoj, KEDS-in po del se i kanë dhënë para Çalik-ut që ta merr. Blerësit po del se shitësi i ka borxh.
Shtrohet pyetja se pse është caktuar kjo shumë 17.8 milion euro. Për shkak se koha sa ZRrE mund të ndikojë në çmim është e kufizuar. Me 1 janar 2015 ZRrE nuk do të mund të ndikojë në çmimin e operatorëve të liçensuar. Ligji 03/L-185 për rregullatorin e energjisë Neni 41, Pika 1.2. thotë:
“Pas 1 Janarit 2015 Zyra e Rregullatorit të Energjisë do të ndërpresë caktimin e tarifave të cilat u ngarkohen konsumatorëve nga ndërmarrja e energjisë elektrike që mban licencën për furnizim publik, përveç nëse Zyra nuk është e kënaqur me efektshmërinë e konkurrencës në furnizimin e energjisë elektrike”.
Neni më lart nga Ligji për rregullatorin tregon qarte se pas 2015, kur duhet të liberalizohet tregu i furnizimit, ZRrE-ja nuk do të këtë kurrfarë roli në përcaktimin e çmimit dhe të tarifave të energjisë elektrike. Gjate tërë kohës sa herë që është ngritur shqetësimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike ministri është thirrur në ZRrE-në. Ndërkohë që kjo, edhe po ta kishte mundësinë e plotë e reale tash për tash, këtë mundësi nuk do ta këtë as formalisht pas një viti e gjysmë.
Nuk ka asnjë justifikim apo shpresë se blerësi nuk do të kërkojë ngritjen e çmimit të energjisë. ZRrE mund të bëjë rezistencë edhe një apo dy herë të tjera por presioni i kompanisë tek KEK (furnizuesi) dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik shumë shpejt do të sjellë ose në ngritje të çmimit ose në mbulim të kësaj diference nga buxheti për llogari të kompanisë.
Që prej 2010 kemi pasur ngritje të çmimit të bukës paralelisht me atë të çmimit të energjisë. Siç e dini artikulli i parë që pëson rritje të çmimit pas asaj të energjisë është buka. Po ashtu nuk ka asnjë privatizim të kësaj fushe që nuk është shoqëruar me rritje të çmimit të energjisë. Ndërkohë që rritja ekonomike nuk përkon me çfarë një njësie (familje/individ) i duhet të paguajë.
Me faljen e KEDS-it monopoli publik po bëhet monopol privat. Nuk ka asnjë indicie që privatizimi i Distribucionit do të krijojë diçka “të re” në kuptimin e konkurrencës dhe “përfitimeve” prej saj pra çmime më të favorshme apo përmirësim cilësie në shërbime. Në kushtet e një monopoli të tillë, ku varshmëria e Qeverisë, e çdo qeverie jo veç e kësaj, nga Çalik-Limak është 100% rrezikohen seriozisht investimet e pretenduara në shifrën 300 milionë.
Mbifaturimi është i pashmangshëm në kushtet e një rrjeti me humbje, investimet për të cilin do të vonojnë, dhe në situatën kur një pjesë e territorit furnizohet me rrymë por nuk paguan për të. Duke ditur nivelin e varfërisë në Kosovë, mbifaturimi apo pagesa nga buxheti për Çalik-un është i pashmangshëm. Në këtë skenar ne vetëm kemi privatizuar fitimin ndërsa kemi rritur humbjet e shtetit, kemi shtrenjtuar rrymën dhe kemi ngarkuar qytetarin edhe më shumë.
Çfarë mund t’i bëjë qeveria nëse nuk i realizon investimet Çalik-Limak? Praktikisht asgjë. Meqenëse në të njëjtën kohë qeverisë i duhet minimalisht të ketë garanci që furnizohen me energji spitalet, shkollat, doganat, ujësjellësi, administrata, policia etj. Edhe nëse nëpërmjet ZRRE hapen procese apo konteste gjyqësore do të zgjasin me vite duke e futur vendin në një lloj kolapsi në sektorin e energjisë.
Kështu me shitjen 100% të aksioneve ne kemi siguruar një konflikt të përgjithshëm social dhe në afatgjatë. Pra lëndë të reja në Gjykata dhe raste të reja në polici.

energjia.al, 13.05.2013