Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Privatizimet, shumë zhurmë për asgjë!

Në këto katër vitet e fundit, qeveria bëri zhurmuesin me procesin “e madh” të privatizimeve, në mungesë të rezultateve konkrete. Duke i marrë me radhë, dështimet në shitjen e aseteve strategjike janë rrethuar me justifikime nga më të ndryshmet, por asnjëra “jo për faj të qeverisë”.
ARMO ishte një privatizim i shkëlqyer për nga niveli i të ardhurave, rreth 130 milionë euro, të cilat në një kohë krize (fundviti 2008), konsideroheshin luks për arkën e varfër të shtetit shqiptar. Do të rezultonte privatizim akoma e më pozitiv, në rast se shoqëria që bleu 85 për qind të aksioneve do të realizonte planin 200 milionë dollarë të investimeve. Rafineria e naftës aktualisht ndodhet në gjendje të vështirë financiare, aq sa nuk mundet të paguajë rregullisht rrogat. Duhet thënë se shkak i mosplotësimit të kushteve kanë qenë edhe kontrollet e shpeshta, të shoqëruara me gjoba të tatimeve dhe doganave ndaj ARMO-s private, duke krijuar një klimë aspak të favorshme për pronarin. Pavarësisht problemeve të menaxhimit, ishte vetë shteti që vendosi shkopinj mbi rrotat e investitorit.
Pas ARMO-s, në maj realizohet një tjetër privatizim, po aq i suksesshëm në letra, pasi një ndër investitorët më të mëdhenj në Europë, shtriu prezencën edhe në Shqipëri, duke blerë 76 për qind të aksioneve të sistemit të shpërndarjes (OSSH) për 102 milionë euro. Nuk kaloi gjatë dhe çekët kuptuan pas një auditimi të pavarur se shteti shqiptar e kishte mashtruar me manipulimin e bilanceve të humbjeve, duke shërbyer si “mollë sherri” në katër vitet e ekzistencës së CEZ në Shqipëri. Ata largohen në janar 2013, ndërsa shoqëria menaxhohet tashmë nga shteti. Edhe për këtë dështim, qeveria nuk pranoi asnjë faj, por bëri përgjegjës CEZ-in.
Kemi rastin e privatizimit të “Albpetrol”, që nisi në vitin 2010, por u bitis në dhjetor 2012, kur qeveria pranoi se “nuk kishte fitues”. Në fakt, fitues kishte, që ofruan 850 milionë euro për 100 për qind të aksioneve, por shteti shqiptar nuk ishte në gjendje të plotësonte disa kushte që lidheshin me transparencën e dosjeve të shoqërisë. Blerës doli pronari i ARMO-s (në bashkëpunim me amerikanët), i cili duke njohur problematikën e hasur me privatizimin e mëparshëm “nuk mund t’ia falte vetes” një tjetër gabim në raport me transparencën e të dhënave rreth asaj se çfarë po privatizonte.
Këto janë tri privatizimet të kthyera në show, por pa rezultatin e pritshëm, pasi në listën e dështimeve kemi edhe “telenovelën” INSIG, shoqëri sigurimesh në pronësi të shtetit shqiptar 100 për qind. Kompania ka dalë tri herë në shitje dhe vetëm në vitin 2010 qeveria u afrua drejt rezultatit final të shitjes me 50 milionë dollarë, por nuk e realizoi. Firma amerikane e shpallur fituese u tërhoq me argumentin se kriza financiare e kishte prekur edhe atë. Kemi të tjera dështime privatizimesh në sektorin energjetik të shitjes së disa hidrocentraleve dhe termocentraleve, ku këta të fundit kanë përfunduar për skrap. Sa u takon HEC-eve, qeveria ka hyrë në vitin e dytë të procesit dhe ende nuk e ka mbyllur. Shoqëria e shpallur fituese për të blerë 4 HEC-et, Bistrica I-II dhe Ulëz-Shkopet nuk po mundet të mbyllë operacionin e derdhjes së shumës prej 109.5 milionë eurosh. Shkaku? Ndoshta kriza, vonesat e mbylljes së marrëveshjes me bankat, por edhe e shtetit shqiptar, i cili nuk pranon njohjen e kthimit të TVSH-së së pagueshme nga kompania, në vlerë disa milionë euro (rimbursimi i taksës).
Në morinë e këtyre proceseve, ajo që bie në sy është fakti se asnjë nga kompanitë lider apo të njohura nuk janë afruar për të blerë asetet e shtetit shqiptar, ose për të qenë të pranishme në tregun tonë. Në të pesta rastet e lartpërmendura, jo vetëm fituesit e shpallur, por edhe garuesit në tender nuk ishin firma të njohura (përjashto rastin e “Albpetrol” me rusët e “Gazprom”, të cilët edhe ato paraqitën një ofertë qesharake, për të mos thënë tallëse, gati 15 herë më të ulët).
Këto dështime me dhimbje qeveria i ka kthyer “në forcë”, duke ofruar të paktën me koncesion disa shërbime te privati. Të gjitha proceset janë shoqëruar me mungesë transparente, të kontestuara nga sipërmarrja private, me kosto për konsumatorin dhe monopole me vlera disa qindra milionë euro.
Rezultati? Mungesa e besimit të investitorit serioz për të ardhur në Shqipëri, ndërsa qeverisë nuk i mbetet vetëm të gëzohet me shitjen e mbi 1200 pronave të vogla (mes tyre edhe ish WC-të publike etj).

Gazeta Shqip, 02.05.2013