Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ministri Gjiknuri në Kroaci, pjesë e takimit ministerial për gazsjellësin Adriatik-Jon (IAP)

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Z.Damian Gjiknuri mori sot pjesë në takimin e përbashkët me ministrat e ekonomisë dhe energjisë të Kroacisë, Bosnje Hercegovinës dhe Malit të Zi, mbajtur në Zagreb.

Tema kryesorë e takimit ishte unifikimi i qëndrimeve dhe angazhimeve në kuadër të projektit të gazsjellësit Adriatik-Jon (IAP) i cili synon të lidhë sistemet ekzistuese dhe të planifikuara të transmetimit të gazit të Kroacisë përmes Malit të Zi dhe Shqipërisë me sistemin e TAP. Projekti shihet me rëndësi të madhe për të gjithë tregun rajonal të gazit.

Gjatë bisedave të zhvilluara, Ministri Gjiknuri vuri theksin tek fakti se projekti IAP ka një rëndësi të madhe ekonomike dhe politike për rajonin tonë. Në vlerësimin e Ministrit, vendet tona janë ekonomi në rritje dhe me nevoja gjithashtu në rritje për energji.

Z.Gjiknuri u shpreh se ka rëndësi që të ecet me një projekt unik, për vendet nga ku do të kalojë IAP-i, ndërsa rasti i projektit TAP mund të shihet tanimë si një eksperiencë suksesi. Ministri kërkoi që të gjitha vendet të mund të aplikojnë bashkërisht për të siguruar mbështetje nga Bashkimi Evropian për këtë projekt.

Në përfundim të bisedimeve, ministrat nënshkruajtën një dokument në të cilën deklaruan përkushtimin e plotë për realizimin e projektit IAP, në përputhje dhe paralelisht me zhvillimin e projektit TAP.

Ministrat shprehën gatishmërinë e vendeve të tyre për të garantuar mbështetjen politike për realizimin e projektit IAP.

Ministrat konfirmojnë se përmes projektit do të mund të ketë një përfitim direkt të vendeve të rajonit sa i takon furnizimit me gaz ashtu sikurse edhe përfitim për vendet e tjera evropiane.

Në deklaratë u ra dakord që të intensifikohet puna e përbashkët për të formalizuar veprime konkrete në gjashtë muajt e ardhshëm ndërsa do të duhet që të përfundojë studimi i fizibilitetit dhe sidomos në drejtim të përcaktimit të modelit të biznesit.

Takimi i ardhshëm mes ministrave është përcaktuar të zhvillohet në Tiranë gjatë tremujorit të parë të vitit 2014 ndërsa do të ftohen të marrin pjesë partner potencialë dhe strategjikë.

energjia.al, 26.09.2013