Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ s’ka matës, rikthehet aplikimi i faturave aforfe

Faturimi aforfe i energjisë mund të rikthehet sërish dhe, sipas një propozimi të CEZ Shpërndarje, kjo duhet të aplikohet për disa raste të mirëspecifikuara. Gjatë raportimit të CEZ Shpërndarje para ERE, theksohen edhe rastet se kur mund të aplikohet kjo, por aktualisht gjithçka mbetet një propozim që vetëm grupet teknike do ta vendosin nëse do të zbatohet, apo jo.
Propozimi
Kompania CEZ sqaron se mosfaturimi i kontratave prek direkt shitjen e energjisë elektrike dhe, për rrjedhojë, edhe humbjen. “Ndaj, në këto kushte, si dhe duke konsideruar vështirësitë financiare të kompanisë (pamundësi për të bërë zëvendësimin dhe kompletimin e duhur me matje, dhe kohën që duhet deri në instalimin e tyre), është gjetur si zgjidhje e kësaj problematike formalizimi i formës së faturimit me mesatare”, thuhet në sqarimin që CEZ i jep ERE-s. Pavarësisht kategorisë ku përfshihet konsumatori që nuk paguan energji për shkak të problemit që ka matësi apo të tjera aspekte, CEZ ka ndarë anomalitë që mund të trajtohen me aforfe në katër grupe. “Të gjitha anomalitë e mësipërme grupohen në kontratat si vijon: pa matje, me matës me probleme, me cenim të sistemit matës, pa seri matësi në sistemin e Billing-ut. Por, një vendim final për faturimet aforfe ende nuk mund të merret pa konsultime me një sërë grupesh interesi. “Kjo problematikë po shqyrtohet nga drejtoritë teknike dhe paraprakisht vlerësojmë si hap të parë të analizës së kësaj kërkese zhvillimin e një seance dëgjimore me kompaninë dhe me grupet e interesit”, shprehet CEZ.
Para se të parashtronte katër kategoritë që mund të përfshihen në faturimet aforfe të energjisë, kompania CEZ e ka bërë ndarjen mbi rastet tipike të konsumatorëve. Një rast i tillë është kur nuk gjendet matësi, çka lidhet direkt me një shtëpi të braktisur, abonenti banon, por nuk ka matës, ka pasur ose nuk ka më. Një rast i dytë i kategorizuar nga CEZ lidhet me emërtimin “jo i arritshëm”, çka lidhet me rastet kur matësi nuk ka energji për arsye teknike apo arsye të tjera. Një tjetër rast është ai kur matësi është i dëmtuar për arsye se është i djegur, nuk rrotullohet, rrotullohet mbrapsht, ose indeksi nuk mund të lexohet, pasi xhami nuk e lejon ose matësi është jashtë kushteve teknike, sepse ka ndërhyrë abonenti dhe të tjera. Kategorizimi i radhës lidhet me rastet kur matja nuk mund të realizohet, pasi mund të ketë problem teknik. CEZ merr parasysh edhe rastet kur konsumatorët janë sezonalë, pra kur jetojnë jashtë dhe vijnë me periudha në vend. Raste të tjera lidhen me vulën e cenuar, me lidhje abuzive apo konsumatorë që nuk janë të regjistruar në sistem.

Gazeta Panorama, 30.04.2013