Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bilanci energjetik shtet-privat

Shqipëria vazhdon t’i falet reshjeve, ndërsa diferencat e prodhimit të energjisë në vite dëshmojnë se sistemi është me risk. Si paraqitet bilanci sipas ERE-s për 2012-n. 

Mjafton të shikosh ecurinë e prodhimit në vite dhe kupton se sistemi energjetik në vend i falet tërësisht reshjeve. Në vitin 2010 prodhuam mbi 7 miliardë kilovat/orë energji elektrike, kurse në 2012, rreth 4.6 miliardë. Këto diferenca konsiderohen shqetësuese për Entin Rregullator të Energjisë, i cili në raportin e vjetër, dërguar Kuvendit dhe qeverisë, rekomandon marrjen e masave për gjetjen e rrugëve alternative të prodhimit të energjisë. Në vend ekzistojnë disa TEC-e, të cilat e prodhojnë energjinë duke pasur si burim naftën dhe gazin, ku kryesori është ai i Vlorës, me kapacitet 97 megavat, por asnjëri nuk ka prodhuar në 2012 (TEC-i i Vlorës ka kryer disa teste, duke gjeneruar jo më shumë se 2 milionë kilovat energji). Prej katër vitesh, kur hyri në fuqi ligji i ri për koncesionet dhe modelet e reja të tregut, qeveria ka miratuar me qindra kontrata të prodhimit të energjisë, jo vetëm nga uji (sistemi hidrik), por edhe nga era apo dielli (energji e rinovueshme, burime alternative), por rezultatet janë larg pritshmërive.

Në tërësi, viti që lamë pas u konsiderua i vështirë për shkak të thatësirës dhe problemeve të shkaktuara nga CEZ, e cila më pas futi në kolaps borxhesh edhe KESH-in.

Struktura e centraleve elektrike të prodhimit publik tregon se fuqia e përgjithshme e instaluar arrin në 1,531 MW, nga të cilat fuqia e instaluar e HEC-eve është 1,433 MW dhe e TEC-eve 98 MW. Duke marrë parasysh edhe fuqinë e përgjithshme të instaluar të prodhuesve privatë të energjisë elektrike prej 195 MW, fuqia e përgjithshme e instaluar në vendin tonë rezulton 1726 MW. Pra, siç duket nga të dhënat, kapaciteti prodhues në vend është i konsiderueshëm, por në realitet duket krejt tjetër. Një pjesë e nevojës për energji elektrike është siguruar përmes importit, në mbi 2 miliardë kilovat/orë energji elektrike, të cilat kanë kushtuar mbi 160 milionë euro, jo vetëm CEZ-it, shoqërisë private, por edhe buxhetit të shtetit.

Megjithatë, lajmi i mirë nga sistemi lidhet me HEC-et private, të dhëna me koncesion, të cilat po rrisin praninë në tregun e furnizimit. Në letër kemi shumë projekte, mbi 300, por në realitet vetëm 60 objekte prodhojnë. Pikërisht, këtu është sfida e vendit tonë, rritja dhe shfrytëzimi i rrjetit hidrik, dhe në vazhdimësi çuarja përpara e kontratave të prodhimit të energjisë nga era, dielli dhe hidrokarburet.

Shkalla e sigurisë

Në vija të përgjithshme, kemi prodhuar mbi 4.6 miliardë kilovat energji elektrike në 2012-n, kemi importuar 2.8 miliardë kilovat, dhe ku që të dyja bashkë plotësojnë nivelin e konsumit për të gjithë vitin. Eksportet kanë qenë në nivele modeste, rreth 280 milionë kilovat, shumë larg vitit 2010, ku KESH siguroi të ardhura të mjaftueshme.

Nga krahasimi i prodhimit të energjisë elektrike gjatë periudhës 2007 – 2012 vërehen diferenca jashtëzakonisht të mëdha. Prodhimi më i ulët vjetor gjatë kësaj periudhe është ai i vitit 2007 me 2,918 milionë kilovat/orë, ose me një prodhim mesatar ditor prej 7.9 milionë kilovat/orë. Ndërsa prodhimi më i madh është ai i vitit 2010, me 7,743.295 milionë kilovat/orë ose me një prodhim mesatar ditor prej 21.2 milionë kilovat/orë. “Sikurse vihet re, diferenca ndërmjet këtyre dy prodhimeve ekstremale arrin në 2.7 herë. Një tregues i tillë shpreh në mënyrë sinjifikative shkallën e lartë të riskut hidrologjik në stabilitetin e prodhimit të energjisë elektrike nga sistemet elektroenergjetike të mbështetur vetëm në HEC-e”, thotë kryetari i ERE-s, Sokol Ramadani.

2012-a, nga pikëpamja hidrologjike, vlerësohet si një vit, me prurje me shkallë sigurie jo të lartë, gjë që nuk ka ndikuar pozitivisht në prodhimin e energjisë elektrike në vend, duke arritur një prodhim afërsisht mesatar, duke u nisur nga historiku i të gjitha kohërave në Shqipëri.

Prodhimi dhe tregu

monitor 573.indd

Të dhënat tregojnë se shoqëria serbe EFT zë pjesën kryesore (mbi 60 për qind) të shkëmbimeve të energjisë elektrike gjatë vitit 2012, me KESH dhe CEZ, në shifrën e 1.4 miliardë kilovat/orë. Kjo energji është importuar, me çmim mestar prej rreth 64 eurosh. Shoqëritë e tjera, të marra së bashku, si GEN-I, “Rudnap”, GSA, etj., kanë pasur volum shkëmbimi prej rreth 1.2 miliardë kilovat/orë energji elektrike. Pjesa e mbetur nga totali i shkëmbimeve është kryer me korporatën e Kosovës (KEK-un), rreth 48 milionë kilovat, etj.

monitor 573.indd

Sipas ERE-s, prodhimi maksimal për vitin 2012, është shënuar në muajin dhjetor me 566 604 megavat/orë. Ky prodhim i lartë është realizuar nga hidrocentralet në administrim të KESH (pra, të shtetit), kapaciteti i instaluar i të cilëve është 1433 megavat. Për këtë prodhim, koha e shfrytëzimit me kapacitetin maksimal të instaluar, për çdo agregat në të gjithë HEC-et, rezulton rreth mbi 12 orë në 24 orë pune, ose një koeficient ngarkese mesatare.

Koha mesatare e shfrytëzimit të çdo agregati në HEC-et e kaskadës së Drinit gjatë vitit 2012 ka qenë mbi 45 për qind të orëve totale (8 760 orë gjithsej në vitit). “Natyrisht që agregatet janë vënë në punë në varësi të menaxhimit të rezervës ujore për të maksimizuar prodhimin”, sqaron ERE. Kjo tregon edhe një herë se vendi i ka sakaq kapacitetet e instaluara, por prodhimi është më i ulët në raport me mundësitë, për shkak të mungesës së burimeve hidrike, jo të qëndrueshme.

monitor 573.indd

Prodhimi mujor minimal gjatë vitit 2012 është realizuar në muajin mars me 224 236 megavat/orë. Sikurse paraqitet në grafikun e prodhimit të energjisë elektrike gjatë periudhës 1982 deri në 2012, vihet re nga krahasimi me rezultatet e prodhimit neto vendas se është 4722 mijë megavat/orë, pra një prodhim afërsisht mesatar.

Forcohet transmetimi

Me futjen në punë të linjës 400 kV Elbasan – Podgoricë (në gusht 2011) dhe të nënstacionit 400/220 kV Tirana2, kapaciteti i shkëmbimit të energjisë elektrike me vendet fqinje është rritur së tepërmi. Është krijuar mundësia e marrjes së sasisë së importit të nevojshëm në çdo kohë, pa prekur nivelin e sigurisë së sistemit elektroenergjetik. Në situata thatësire është arritur të importohet një sasi energjie elektrike me kapacitet deri në 700 MW në bandë. Fluksi i energjisë së importuar futet në sistemin tonë kryesisht nëpërmjet dy linjave 400 kV dhe transformohet në nivelin 220 kV në dy N/st 400/220 kV Tirana2 dhe Elbasan2, secili me kapacitet 600 MVA (2×300 MVA), i mjaftueshëm për çdo situatë.

Revista Monitor, 14.04.2013