Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

BERZH mbështet sektorin e energjisë në Kosovë

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka filluar dje vizitën zyrtare në Londër.
Ministri Hoxhaj të hënën është pritur në takim nga presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Suma Chakrabarti.
Investimet në projekte të mëdha infrastrukturore, mbështetja për ndërmarrjet e mesme dhe të vogla, stimulimi i investimeve të huaja në Kosovë, ishin disa nga temat e diskutuara.
Ministri Hoxhaj ka falënderuar presidentin Chakrabarti për mbështetjen që i ka dhënë Republikës së Kosovës për anëtarësimin në BERZH.
Kurse, presidenti i BERZH-it ka siguruar ministrin Hoxhaj se Republika e Kosovës do të ketë përfitime të shumta nga anëtarësimi në këtë Bankë.
Ministri Hoxhaj ka kërkuar mbështetjen e BERZH-it edhe në projektet infrastrukturore, të cilat do të mundësojnë shkëmbim më të madh tregtar me vendet e rajonit dhe shtetet e Bashkimit Evropian.
“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në BERZH do të na mundësojë rritjen e investimeve në sektorin e energjetikës, në infrastrukturën rrugore e hekurudhore, në ambient dhe shumë fusha të tjera”, ka thënë Hoxhaj.
Sipas tij, Republika e Kosovës me mbështetjen e BERZH-it do të investojë edhe më shumë në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat janë përcaktuese për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Ministri Hoxhaj po ashtu ka kërkuar nga presidenti Suma Chakrabarti, që përmes fondeve të kësaj të Banke, të mbështeten projekte investive të kompanive kredibile evropiane në Republikën e Kosovës.
Nga ana tjetër, presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Suma Chakrabarti ka thënë se investimi në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të jetë prioritet i kësaj Banke.
Ai ka siguruar ministrin Hoxhaj se BERZH-i do të mbështesë Republikën e Kosovës edhe në projekte tjera infrastrukturore, në sektorin e energjetikës dhe ambient.
Në këtë takim është biseduar edhe për takimin e 22-të të Bordit të Guvernatorëve të Bankës që do të mbahet në Stamboll. Në këtë takim është ftuar edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Ministri Enver Hoxhaj gjatë ditës do të ketë takime me zyrtarë të lartë shtetërorë të Mbretërisë së Bashkuara dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

energjia.al, 09.04.2013