Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

ERE garanton konkurrencë të drejtë të tregut

Kreu i Entit Rregullator të Energjisë ERE, Sokol Ramadani, tha dje se detyrë e institucionit që ai drejton është monitorimi i tregut dhe garantimi i konkurrencës së drejtë.
Gjatë diskutimit të raportit vjetor të këtij enti në Komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, deputetët e opozitës thanë se, mungesa e linjës së interkonjeksionit 110 kw Shqipëri-Kosovë ka sjellë një izolim të sistemit energjetik shqiptar dhe varësi të krijuar nga linjat serbe.
Sipas tyre, anulimi i tenderit për ndërtimin e kësaj linje dhe zvarritja e projektit ka sjellë dëme financiare edhe për buxhetin e shtetit dhe operatorët energjetikë.
Nga ana e tij kreu i ERE-s, Ramadani, shpjegoi se linja aktuale prej 220 kv me Kosovën mbulon nevojat e të dy vendeve.
Ndërsa, linja 110 kw me Malin e Zi garanton furnizimin pa ndërprerje në çdo kohë, si edhe eksportin e energjisë së prodhuar në vend.
Megjithatë, ekspertët në sektorin energjetik shpesh herë kanë bërë të ditur se, mungesa e linjës së interkonjeksionit 110 kw me Kosovën ka penalizuar rëndë operatorët energjetikë, sidomos KESH-in.
Në periudha të larta prodhimi energjie, kur HEC-et tejkalojnë plotësimin e nevojave të vendit, Shqipëria arrin të depozitojë deri në 3 milionë Kwh në ditë në Kosovë, duke shfrytëzuar maksimalisht kapacitetet e linjës 220 kv. Pjesa tjetër shitet me anë të eksportit, dhe në periudhat e pikut të prodhimit energjetik nuk arrihet të merren çmime të larta për Kwh.
Projektet për linjat e interkonjeksioneve
Projekti për ndërtimin e linjës interkonjektive 400 kw Kosovë-Shqipëri është projekti i dytë kapital në Sistemin e Transmisionit të Republikës së Kosovës, i cili financohet nga Qeveria gjermane përmes Bankës për Zhvillim-KfW, pas paket projektit Peja 3, i cili u bashkëfinancua nga qeveria gjermane dhe qeveria e Kosovës.
Financimi i projektit të Autostradës Energjetike Kosovë-Shqipëri për pjesën e Kosovës do të bëhet nga qeveria gjermane bazuar në Marrëveshjen e Financimit që është nënshkruar në mes të KfW, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (qeveria e Kosovës) dhe KOSTT për hua dhe kontribut financiar në vlerën e përgjithshme prej 33.5 milionë euro, nga e cila 16.5 milionë euro grant dhe 17 milionë kredi.
Ngjashëm, qeveria Gjermane nëpërmjet KfW gjithashtu do të financojë pjesën e linjës në anën e Republikës së Shqipërisë.
Si shtesë e financimit gjerman, KOSTT dhe OST Shqipëri do të kontribuojnë me mjete vetanake.
Rritja e kapaciteteve transmetuese
Ndërtimi i linjës interkonjektive 400 kw Kosovë-Shqipëri do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve transmetuese ndërmjet dy vendeve dhe rajonit, ngritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektroenergjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, optimizmin e punës së dy sistemeve, duke shfrytëzuar burimet energjetike më efiçiente, do të mundësojë zhvillimin e tregut të dy vendeve si dhe tregut rajonal të energjisë elektrike. Për më tepër, ndërtimi i kësaj linje jep mundësinë e bashkimit të dy tregjeve të energjisë elektrike dhe krijon kushte për efiçiencë më të lartë të operimit të tregut të përbashkët që është në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian.
Me implementimin e projektit të Autostradës Energjetike Kosovë-Shqipëri, do të mundësohet shkëmbimi më i madh i energjisë në mes të dy vendeve dhe eliminimin e kufizimeve në rrjetin transmetues interkonjektiv rajonal.
Derisa Kosova dhe Shqipëria aktualisht janë të lidhura me një linjë interkonektive 220 kw, kapaciteti i transferit të interkonjeksionit me Shqipëri nga aktualisht rreth 200 MW, me vënien në operim të këtij projekti së bashku me linjën 400 kw Tirana-Podgoricë do të ngritet në rreth 900 MW.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, është i përkushtuar për planifikimin adekuat dhe zhvillimin e Sistemit të Transmisionit si shtyllë kryesore e zhvillimit të Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës që njëkohësisht paraqesin parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit tonë.

Gazeta Rilindja Demokratike, 04.04.2013