Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Albpetrol ashpërson kontrollin mbi kompanitë koncesionare

Pak muaj para zgjedhjeve parlamentare, “Albpetrol” vendos të ashpërsojë kontrollin mbi kompanitë koncesionare, të cilat tashmë zotërojnë pjesën më të madhe të puseve të naftës e gazit. Kështu, në fillim të këtij viti është vendosur të krijohet një strukturë të re, e cila do të monitorojë aktivitetin e kompanive koncesionare. Në fillim të këtij muaji ka nisur aktivitetin e saj kjo strukturë me rreth 25 nëpunës, e cila do të jetë e varur nga drejtuesi i “Albpetrol”-it. Lajmi është bërë i ditur nga burime të gazetës, të cilat sqaruan se krijimi i kësaj strukture duhej bërë që në fillimet e marrëveshjeve me kompanitë koncesionare. Kjo, pasi në këto marrëveshje, duhej parashikuar monitorimi i pandërprerë i këtyre kompanive, ashtu si e parashikon ligji shqiptar për hidrokarburet. Nga burimet mësohet se inxhinierët dhe specialistët e kësaj strukture do të kenë për detyrë të monitorojnë gjithë aktivitetin e katër kompanive koncesionare. Sipas burimeve konfidenciale nga “Albpetrol”, dyshohet se mungesa e këtij monitorimi sjell mundësi abuzimi prej kompanive koncesionare. Për të kryer monitorimin duhet që paraprakisht “Albpetrol” të informojë zyrtarisht kompanitë në fjalë. Pas informimit, specialistët e kësaj strukture do të kenë tagrin për të qenë të pranishëm në kryerjen e çdo aktiviteti që kryejnë në terren kompanitë koncesionare, ku më kryesoret janë ato të shpimeve të puseve të reja, nxjerrjes së naftës, përpunimit dhe shpërndarjes së saj. Ndonëse ekspertët e “Albpetrol”-it nuk mund t’u japin sugjerime këtyre kompanive, ata mund të shënojnë gjithçka dhe ta raportojnë tek drejtuesit e “Albpetrol”-it. Nga burimet bëhet e ditur se ky monitorim do të minimizonte abuzimin, ku më problematiku është ai i hollimit të naftës bruto që bëhet me qëllim qarkullimin më të lehtë të saj në tubacione. Kjo, pasi dyshohet se raportimet e disa kompanive mbi përdorimin e sasive të holluesve mund të mos jetë i vërtetë, duke ulur kështu cilësinë e naftës që i kalon “Albpetrol”-it nga koncesionarët. Gjithashtu, nga këto monitorime, nëse kryhen gjatë 24 orëve të çdo dite mund të arrihet të konkludohet nëse shpimet e puseve dhe nxjerrja e naftës kanë ose jo lidhje me lëkundjet e tokës në zonat naftëmbajtëse. Por, nga burimet e sipërcituara mësohet se puna e kësaj strukture të re nuk do të jetë edhe aq e lehtë për shkak të mungesës së kushteve teknike. Për një monitorim të pandërprerë 24 orësh të të gjithë aktiviteteve kryesore të kompanive koncesionare do të nevojiteshin më shumë nëpunës, më shumë mjete transporti në dispozicion të specialistëve të “Albpetrol”-it si dhe plotësimi i kushteve të tjera teknike. Mësohet se në të kaluarën, gjatë viteve ‘93-‘94, kur në Shqipëri mbërritën kompani të huaja, të cilat bënë kërkime për naftë, ka vepruar një strukturë e tillë, e cila monitoronte dhe regjistronte çdo aktivitet që kryhej prej tyre. Ndonëse “Albpetrol” ka dhënë me koncesion më shumë se 95% të aseteve që zotëronte dikur, është një nga kompanitë më fitimprurëse për buxhetin e shtetit, ku vazhdojnë të jenë të punësuar rreth 4500 punonjës.

Gazeta Shqip, 27.03.2013