Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Vodhën me armë 6 pika karburantesh në një natë, prangosen dy të rinjtë

Zbulohet grupi i grabitësve me armë i pikave të karburantit dhe makinave, arrestohen dy prej tyre. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës, bëjnë me dije se janë vënë në pranga 20-vjeçari Pashk Qorri dhe 23-vjeçari Artan Koçeku, nga fshati Grudë e Re, të dy të dënuar më parë për vjedhje. Identifikimi i autorëve dhe zbardhja e disa vjedhjeve që bënë bujë në Shkodër gjatë një jave, u bë e mundur gjatë operacionit të koduar “Pikat e karburantit”. Sipas policisë lokale, dy të rinjtë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer disa grabitje me armë. Mësohet se rreth orës 22:00 të së enjtes, ata kanë shkuar tek pika e karburantit “Taçi Oil”, që ndodhet në rrugën nacionale Shkodër-Lezhë, afër Bërdicës. Janë afruar dhe nën kërcënimin e armëve kanë munduar të vjedhin 2 milionë lekë të vjetra, si dhe dy telefona celularë, të cilët ishin të punonjësve të karburantit. Vetëm pak minuta më pas, ata kanë shkuar në Bushat tek pika e karburantit “Argenti”, pak kilometra larg karburantit të grabitur fillimisht. Në këtë pikë, Qorri dhe Koçeku nuk kanë mundur të vjedhin, pasi kishte pasur shumë lëvizje. Ata kanë vazhduar aventurën e grabitjeve në dy pika të tjera karburanti në rrugën Shkodër–Lezhë, në Piraj dhe Gjadër. Janë kthyer drejt Shkodrës, për të vazhduar grabitjet në pikat e karburantit në Malësi të Madhe, konkretisht pikat e karburantit “Ada” dhe “Boka”. Të gjitha lëvizjet dhe grabitjet me armë, dy të rinjtë i kanë bërë më mjetin tip “Reno Klio” me targa Sh 3870 E në pronësi të D. Mirashit. Makina ishte e deklaruar e vjedhur një ditë më parë, pra më 13 mars, në lagjen “Tre Heronjtë”. Autorët e krimit, pasi kanë bërë grabitjet, kanë braktisur mjetin, i cili u gjet nga blutë në fshatin Mes. Sipas hetuesve të çështjes, Pashk Qorri dhe Artan Koçeku, kanë vjedhur edhe një makinë “Ford Fiesta” në fshatin Spiten të Lezhës. Si prova materiale janë sekuestruar një milion lekë, telefona celularë, ndërsa po hetohet për mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë në këtë grup kriminal.

Gazeta Shqiptare, 16.03.2013