Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Qeveria “vulos” marreveshjen ndershteterore per TAP-in

Këshilli i Ministrave miratoi sot projektligjin për ratifikimin e marrëveshje, trilaterale ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Greqisë dhe Republikës së Italisë për gazsjellësin Trans Adriatik (Projekti TAP).  Projektligji u prezantua në mbledhjen e qeverisë nga Kryeministri Berisha, për të cilën u shpreh se zbatimi i këtij projekti përbën për Shqipërinë, zbatimin më madhor në historinë e saj dhe me ndikim më të fuqishëm në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Ky projekt  përbën për qytetarët shqiptarë , për çdo familje shqiptare një ulje të qartë të kostos së jetesës apo të shpenzimeve që ato bëjnë sot për ngrohje dhe gatim. Përbën një mundësi tjetër të re të madhe për Shqipërinë superfuqi energjetike në Rajon. Një burim tjetër të fuqishëm energjie për Shqipërinë vend me zhvillim të shpejtë dhe me rritje të madhe të kërkesave për energji. Projekti TAP përbën gjithashtu në vetvete një nivel të ri marrëdhëniesh ekonomike, por jo vetëm ekonomike dhe më shumë”, – theksoi Kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha u shpreh  se kjo marrëveshje, përbën një zhvillim të madh në marrëdhëniet me vendet dhe kompanitë që janë  aksionere në Shah Deniz 2.
Më tej kryeministri Berisha theksoi se TAP është një projekt  transformues dhe  ky projekt, që është në krye të listës për vendimin historik që do të merret në muajt që vijnë. Gjithashtu Kryeministri garantoi të gjithë aktorët e mëdhenj të këtij projekti të madh, që Shqipëria si kundër deri më sot do të përmbushë me përpikmëri të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje dhe zbatimi i këtij projekti, transformues për vendin tonë.
Në fjalën e tij për këtë projekt Kryeministri u shpreh:
“Kryefjala e kësaj mbledhje të Këshillit të Ministrave është projekti TAP, Gazsjellësit  Trans- Adriatik. Ne miratojmë sot këtu, marrëveshjen trilaterale, marrëveshja e parë e këtij lloji në historinë e zhvillimit të këtij vendi  midis Shqipërisë-Italisë-Greqisë,  vende këto fqinje njëra me tjetrën dhe në territoret  e të cilave kalon aktualisht projekti i ardhshëm më i madh i kohës për Europën, siç është gazsjellësi  Trans- Adriatik.
Me këtë rast unë dua të përshëndes  ekipin negociator  të qeverisë shqiptare dhe të dy qeverive të vendeve mike. Të përshëndes qeveritë e dy vendeve fqinj  e mike, për vendosmërinë që treguan, përparësinë që i dhanë në axhendën e tyre këtij projekti , që siç theksoj edhe njëherë do të jetë më i madhi projekt në Rajon dhe në Europë për kohën që vjen.  Kjo marrëveshje, sposton shkallën e bashkëpunimit mes tre vendeve tona, në një nivel të ri të panjohur më parë, shumë më të madh. Marrëveshja është një kuadër i shkëlqyer ligjor, i cili i jep epërsi të padiskutueshme projektit TAP, ndaj projekteve të tjera në diskutim, nga konsorciumi  i Shah Deniz 2.
Të dashur qytetar dhe qytetare
Zbatimi i këtij projekti përbën për Shqipërinë, zbatimin e projektit më madhor në historinë e saj dhe me ndikim më të fuqishëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Përbën për qytetarët shqiptarë, për çdo familje shqiptare një ulje të qartë të kostos së jetesë, apo të shpenzimeve që ato bëjnë sot, për ngrohje dhe gatim. Përbën një mundësi tjetër të re të madhe, për Shqipërinë superfuqi  energjetike në Rajon. Një burim tjetër të fuqishëm energjie për Shqipërinë vend me zhvillim të shpejtë dhe me rritje të madhe të kërkesave për energji. Projekti TAP përbën gjithashtu në vetvete një nivel të ri marrëdhëniesh ekonomike, por jo vetëm ekonomike dhe më shumë. Nuk duhet të harrojë askush se kjo materie është materia më politike sot. Përbën një zhvillim të madh në marrëdhëniet me vendet dhe kompanitë, që janë  aksionere në Shah Deniz 2.  Azerbajxhani një vend mik, por dhe kompanitë e mëdha të Britanisë së Madh, Francës, Norvegjisë dhe vendeve të tjera, përben një nivel të ri marrëdhëniesh me vendet, kompanitë e të cilave ndërtojnë gazsjellësin Trans- Adriatik. Përbën një marrëdhënie të re , të shkëlqyer me Republikën e Turqisë, me Zvicrën, me Norvegjinë me Gjermaninë. TAP është një projekt transformues dhe  ky projekt që është në krye të listës për vendimin historik që do të merret në muajt që vijnë. Dhe njëherë dua të garantoj të gjithë aktorët e mëdhenj të këtij projekti të madh, që Shqipëria si kundër deri më sot do të përmbushë me përpikmëri  të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje dhe zbatimi i këtij projekti, transformues për vendin tonë”.

VENDIM PËR PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PER RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, REPUBLIKES SE GREQISE DHE REPUBLIKES SE ITALISE, PER PROJEKTIN PER GAZESJELLESIN TRANS ADRIATIK (Projekti tap)”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pika 2,  dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
Vendosi:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Greqisë dhe Republikës së Italisë, për projektin për Gazsjellësin Trans Adriatik (Projekti TAP)”, për shqyrtim e miratim, me procedurë të përshpejtuar,  në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
KRYEMINISTRI
SALI BERISHA

PROJEKTLIGJ PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, REPUBLIKËS së GREqisë DHE REPUBLIKËS SË ITALISË, PËR PROJEKTIN PËR GAZSJELLËSIN TRANS ADRIATIK (PROJEKTI TAP)
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
Vendosi:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Greqisë dhe Republikës së Italisë, për projektin për Gazsjellësin Trans Adriatik (Projekti TAP)”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
KRYETARI
JOZEFINA TOPALLI (ÇOBA)

energjia.al, 13.03.2013