Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Autoriteti Konkurrences heton sektorin e naftes pa shpallur rezultate

Komisioni I Konkurrencës prezantoi në seancën e Komisionit Parlamentar të ekonomisë, aktivitetin e Autoritetit të Konkurrences për vitin 2012 si dhe dhe prioritetet për vitin që ka filluar.
Autoriteti i Konkurrencës, gjatë viti 2012, ka vepruar në zbatim të Politikës  Kombëtare të Konkurrencës, të  ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, dhe të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2012”.
Mbështetja dhe inkurajimi i vazhdueshëm nga Kuvendi I Shqipërisë dhe Komisioni Europian kanë qënë faktorë të rëndësishëm për rritjen e performancës së institucionit dhe vlerësimin e drejtë të sfidave për një ekonomi sa më konkurruese.
Institucioni i Konkurrencës ka realizuar misionin e tij si mbikëqyrësi I konkurrencës në tregje, duke rritur forcën zbatuese të ligjit nëpërmjet përdorimit të të gjithë instrumentave ligjorë, duke synuar mirëfunksionimin e tregjeve si një nga kushtet bazë të përdorimit me eficencë të burimeve ekonomike të vendit dhe rritjen e mirëqënies konsumatore.
Përmirësimi dhe përsosja e instrumentave të ndërhyrjeve në treg, si dhe rritja e efikasitetit të tyre, është konsideruar si një sfidë e vazhdueshme e Autoritetit, për më tepër në kushtet e një ekonomie me pak ekseperiencë krahasuar me historinë e gjatë të zhvillimit të vendeve të tjera në ekonominë e lirë të tregut.
Kombinimi në mënyrë sa më optimale, i instrumentit të saksioneve ndaj ndërmarrjeve për praktikat antikonkurruese, në formën e marrëveshjeve të ndaluara apo të abuzimit me pozitën dominuese, me instrumentin e advokacisë dhe kulturës për nxitjen e konkurrencës, ka qënë karakteristika kryesore e veprimtarisë së institucionit të konkurrencës.
Përgjatë kësaj periudhe kohore, Komisioni i Konkurrencës ka marrë 48 vendime:
• 7 (shtatë) vendime për gjoba, nga të cilat 2 vendime me gjoba të rënda për praktika antikonkurruese dhe 4 vendime për gjoba të lehta për refuzim bashkepunimi për realizimin e procedurave hetimore dhe mos njoftimin e përqëndrimeve;
• 9 (nënte) vendime për autorizimin e kontrollit të përqendrimeve;
• 5 (pesë) vendime për dhënie rekomandimesh për institucionet publike dhe entet rregullatore në kuadër të advokacisë së konkurrencës (pa përfshirë opinionet e Komisionit të Konkurrencës të dhena jo në formë vendimi) ;
• 5 (pesë) vendime për bazën ligjore sekondare;
• dhe vendimet e tjera janë procedurale (përfshirë vendimet për hapje hetimi paraprak, hapje hetimi të thelluar, etj).
Sikurse është identifikuar edhe në raportimin e vitit të kaluar, institucioni i konkurrencës po konsolidon profilin publik, si institucioni që mbron interesat e atij biznesi, që kërkon të zbatojë rregullat e lojës së tregut.
Numri i ankesave është indiktori i drejtëpërdrejtë i kësaj karakteristike institucionale. Gjatë vitit të kaluar janë depozituar 20 ankesa nga të cilat 14 ankesa kanë patur objekt në përputhje me ligjin kudrejt 6 rasteve të tilla të paraqitura në vitin 2011.
Bazuar në objektin e ankesave rezulton se, 7 ankesa janë për marrëveshje të ndaluara apo sjellje të bashkërenduara, 5 ankesa janë për abuzimin me pozitën dominuese të një apo disa ndërmarrjeve, 2 ankesa janë për rishikimin e akteve nënligjore të enteve rregullatore apo të institucioneve të tjera si dhe 6 ankesa që nuk ishin objekt i ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.
Tregjet për të cilat adresoheshin këto ankesa ishin kryesisht: prokurimet publike për shërbimin e ruajtjes dhe sigurisë fizike, I telekominikacionit, i sigurimeve, transporti publik qytetas i udhëtarëve, tregu i shitjes me shumice të vajit vegjetal.
Bazuar në këto ankesa, si dhe në sinjalet e marra nga mediat apo edhe nga shqetësimet e ngritura nga anëtarë të Parlamentit Shqiptar, Autoriteti i Konkurrencës ka realizuar monitorime dhe hetime në disa tregje, si në ato të rregulluara, edhe në tregjet e liberalizuara plotësisht.  Më konkretisht:
Kanë përfunduar procedurat hetimore të trashëguara nga viti 2011 si:
• në tregun e ngarkim/shkarkimit të gazit të lëngshëm natyror në rrugë detare (mbyllur me penalitet ndaj operatorit për abuzim me pozitën dominuese)
• tregun e prokurimit të shërbimit të ruajtjes dhe sigurisë fizike (mbyllur me penalitet për operatorët që janë vërtetuar pjesëmarrës në marrëveshje të ndaluara në prokurimet publike);
• tregun e shërbimit të telefonisë fikse të kartave me parapagesë (mbyllur me rekomandime për të nxitur konkurrencën në treg drejtuar AKEP-it);
• tregun e transportit detar të pasagjereve në portin Vlora 1 (mbyllur duke mos evidentuar shkelje të ligjit).
Gjatë vitit 2012, kanë filluar dhe përfunduar procedurat hetimore në tregun e sigurimeve, për  produktin e TPL-së së brendshme, ku operatorët e këtij tregu u penalizuan për pjesëmarrje në marrëveshje të ndaluar duke fiksuar çmimin e tregëtimit të policës së sigurimit.
Gjithashtu, janë në përfundim të procesit hetimet e thelluara në tregjet:
•    prokurimeve publike të ruajtjes dhe sigurisë fizike në qytetin e Korcës
•    e prodhimit, importit dhe tregtimit me shumice te vajit të lulediellit;
•    transportit të udhëtareve në qytetin e Tiranës;
•    importit, prodhimit dhe të shitjes me shumicë të çimentos rifuxho;
Gjatë vitit 2012 janë realizuar monitorime në:
• tregun financiar, me objekt marrëveshjet mes bankave dhe ndërmarrjeve të sigurimit;
• tregu i farërave e fidanëve, tregu i pesticideve dhe i plerave kimike;
• monitorimi i tregut te transportit ajror;
• tregu i importit dhe i shitjes me shumicë te produkteve ushqimore: sheqer, oriz, vaj ushqimor,
• tregu i importit te grurit;
• tregu i manaxhimit te mbetjeve urbane në landfill-in e Bushatit;
si dhe monitorohen ndryshimet e strukturave të tregut për importuesit e gazit të lëngshëm dhe të karburanteve.(po rezultatet ???)
Një nga objektivat kryesore te Autoritetit të Konkurrencës gjatë vitit të kaluar ka qënë rritja e pavarësisë reale bazuar në rritjen e profesionalizimit, përshpejtimin e procedurave si dhe në përmirësimin e instrumentave investigative dhe të hetimit.
Për herë të pare, gjate vitit 2012, janë realizuar në të njëjtën kohë inspektimet në ndërmarrje të ndryshme si dhe është përmirësuar teknika investigative duke shfrytëzuar teknologjinë e informacionit. Në këtë aspekt, sfidë kryesore mbetet rritja e nivelit të qartësisë së raporteve dhe argumentimi juridik i veshur me analiza më të hollësishme ekonomike dhe më bashkëkohore lidhur me shqyrtimin e rasteve.
Gjatë vitit 2012, Autoriteti i Konkurrencës, ka qënë proaktiv për të realizuar detyrimin ligjor të kontrollit të përqëndrimeve, si instrument i kontrollit të ndryshimeve në strukturat e tregjeve. Ky qëndrim është bërë i mundur në sajë të bashkëpunimit me Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, ku bazuar në informacionet mbi transaksionet e ndodhura dhe vlerësimi i tyre nga pikëpamja e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, janë iniciuar procedurat e kontrollit të përqendrimeve për katër raste nga vetë institucioni i konkurrencës, transaksione të cilat nuk ishin njoftuar nga palët. Gjatë vitit janë shqyrtuar 9 raste përqendrimesh lidhur me përftimin e kontrollit apo bashkimin e ndërmarrjeve në tregje të ndryshme (bankar, mediat elektronike, ndërtim,etj.), të cilat kryesisht kanë ndodhur jashtë territorit të Shqipërisë.
Konsolidimi i legjislacioni sekondar në zbatim të amendimeve të Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” (i ndyshuar), si dhe për përafrimin e legjislacionit shqiptar me të drejtën europiane në fushën e konkurrencës, ka qënë një nga aspektet e punës së Autoritetit. Gjatë vitit 2012, Komisioni i Konkurrencës ka miratuar katër akte nënligjore, kryesisht rregulloret specifike për përjashtimin në bllok të marrëveshjeve, dhe udhezuesin për vlerësimin e kontrollit të përqendrimeve ndërmjet ndërmarrjeve. Procesi i miratimit të këtyre akteve nënligjore ka qënë transparent dhe është realizuar nëpëmjet konsultimeve publike dhe organizmit të tryezave të rrumbullakta me grupet e interesit. Puna për plotësimin dhe përditësimin e kuadrit ligjor dytësor, është realizuar në përputhje të Planit Kombëtar të Zbatimit të Masave të Stabilizim – Asocimit dhe në funksion të plotësimit dhe përafrimit të legjislacionit dytësor.
Për realizimin e misionit të tij, Autoriteti i Konkurrencës e konsideron jetike bashkëpunimin me entet rregullatore dhe institucionet publike, nëpërmjet të cilit zbatohet advokacia, si shtylla e katërt e Ligjit.  Për këtë qëllim janë përmirësuar më tej instrumentat e komunikimit jo vetëm në organizimin e tryezave të përbashkëta në nivel ekspertësh dhe të bordeve vendimmarrëse por, edhe nëpërmjet takimeve për të ndarë shqetësimet apo opinionet midis drejtuesve të institucioneve. Gjate viti 2012 janë realizuar mbi 5 tryeza të rrumbullakta me entet rregullatore apo me institucionet qëndrore, si me Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Enti Regullator i Energjisë (ERE), Enti Regullator i Ujit (ERU), Agjensia e Prokurimeve Publike (APP), etj në të cilat janë diskutuar problematikat e identifikuar gjatë proceseve të monitorimit apo të hetimeve të tregjeve respektive. Si rrjedhojë i këtij bashkepunimi janë realizuar një sërë rekomandimesh nga Komisioni i Konkurrencës si në tregun e energjisë elektrike dhe atë të gazit, në tregun e komunikimit elektronik, prokurimet publike, tregun e sigurimeve, etj.
Krahasuar me vitin 2011, vihet re se gjatë vitit 2012, është gati dyfishuar numri i akteve nënligjore të ardhura për mendim pranë institucionit të konkurrencës, nga institucionet shtetërore, një tregues ky i rëndësishëm për rritjen e advokacisë, si një instrument për të mbrojtur, promovuar dhe nxitur konkurrencën nga ndërhyrjet në treg. Duhet theksuar se një rol shumë të rëndësishëm në këtë aspekt ka luajtur theksimi në rezolutën e Kuvendit i kërkesës drejtuar organeve ekzekutive për të bashkëpunuar me Autoritetin e Konkurerncës për të shmagur miratimin e akteve që sjellin kufizime sasiore për hyrjet në treg dhe tregtimin apo kufizime të tjera sipas parashikimeve të nenit 69 të Ligjit.
Gjatë vitit të kaluar është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit me Autoritetin e Aviacionit Civil, i cili ka si objekt bashkëpunimin  e ngushtë midis institucioneve për të mundësuar monitorimet mbi faktorët që ndikojnë në mirë funksionimin e këtij tregu; si dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit i cili ka si objekt bashkepunimin për të evidentuar marrëveshjet e ndaluara në prokurimet publike. Nëpërmjet, bashkëpunimit me APP-në, Institutin e Trajnimeve të Administratës Publike si dhe me ekspertet e projektit IPA-2008, u mundësua trajnimi ne një numër të konsiderueshëm të nënpunësve të institucioneve publike që realizojnë procedurat e prokurimeve publike mbi kuptimin dhe përdroimin e “Udhëzuesit për të evidentuar dhe luftuar marrëveshjet e ndaluara në prokurimet publike”.
Aspektet e advokacisë, gjithmonë janë parë të lidhura ngushtë me aspektet e rritjes së kulturës së konkurrencës. Risia e vitit të kaluar ka qënë që pothuajse të gjitha rregulloret dhe udhezuesit janë miratuar pasi kanë kaluar procesin e konsultimit publik duke u publikuar në faqen zyrtare të Autoritetit, si dhe sensibilizuar palët e interesit nëpërmjet njoftimeve për mediat, të cilat kanë qënë koherente për të gjitha vendimet finale te Komisionit të Konkurrencës. Pjesë e tryezave konsultative me publikun nuk kanë qënë vetem përfaqësuesit e biznesit, por edhe studiot ligjore si pjesë e sistemit të zbatimit me korrektësi të Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Gjithashtu, institucioni i konkurrencës ka përdorur mundësitë e financimit të projektit të binjakëzimit IPA-2008, për të forcuar lidhjet me rrjetin akademik të universiteteve në Shkodër dhe Elbasan, si dhe me përfaqësuesit e pushtetit vendor të tyre.  
Eficienca dhe ndikimi real në treg i vendimeve të Komisionit të Konkurrencës lidhet ngushtësisht me procesin e rishikimit gjyqësor të tyre, pasi pothuajse të gjitha vendimet që kanë konkluduar me shkelje të ligjit dhe që përmbajnë penalitete për ndërmarrjet i janë nënshruar apelimit në gjykatë. Nëse i referohemi statistikave, të cilat janë mjaft të detajuara në raport, janë apeluar gjithësej 26 vendime të Komisionit të Konkurrencës, nga të cilat vetem për 3 prej tyre kanë përfunduar plotësisht procesin e rishikimit gjyqësor. Shume prej tyre janë fituar në shkallën e parë apo në shkallën e dytë, por vazhdojnë të jenë në proces dhe 9 raste përsëri janë duke u shqyrtuar në Gjykatën e Lartë.
Por, përtej statistikave, shqetësimi kryesor i Komisionit të Konkurrencës është përthithja e filozofisë së konkurrencës nga gjyqësori, pasi është shumë e rëndësishme arsyetimi bazuar në interesin publik të vendimeve të tyre.
Prandaj, sfida kryesore e institucionit të konkurrencës ka qënë dhe është ndërtimi dhe konsolidimi i instrumentave të absorbimit të filozofisë së konkurrencës nga anëtarët e gjyqësorit të të gjitha niveleve. Për këtë qëllim, gjatë vitit 2012 janë realizuar trajnime me gjyqëtarët në bashkepunim më Shkollën e Magjistraturës dhe me ekspertët e projektit të binjakëzimit të financiar nga bashkimi Europian.
Forcimi i kapaciteteve institucionale është konsideruar si instrumenti i rritjes së pavarësisë së instutucionit të konkurrencës. Shtimi jo vetëm në numër, por edhe investimi duke përdorur buxhetin dhe financimin e Bashkimit Europian, janë rrugët e përdoruara për realizimin e këtij objektivi edhe për vitin 2012. Gjatë vitit të kaluar i gjithë stafi i Autoritetit, nëpërmjet projektit te binjakëzimit, është trajnuar sipas programit te miratuar nga partnerët (gjithësej 118 ditë trajnimesh). Gjithashtu, janë realizuar trajnime të fokusuara në përdorimin e analizat ekonometrike për trajtimin e praktikave antikonkurruese.
PRIORITETET PËR VITIN 2013
Autoriteti i Konkurrencës për përcaktimin e prioriteteve bazohet në vlerësimin objektiv të eksperiencave dhe problematikave të vitit të kaluar si dhe në identifikimin e sfidave të së ardhmes, duke u udhëhequr nga vizioni i Komisionit të Konkurrencës, për një rritje të vazhdueshme të efektivitetit të ndërhyrjeve në treg të institucionit të konkurrencës.
Forcimi i instrumentave të bashkëpunimit më gjyqësorin do të jetë një nga prioritet për vitin e ardhshëm të Autoritetit të Konkurrencës, pasi vetë eksperienca jo pozitive me gjyqësorin gjatë vitit të kaluar, shtron si domosdoshmëri përcjelljen dhe absorbimin e filozofisë së konkurrencës, si një fenomen bashkëshoqërues i ekonomisë së tregut, ku mosrespektimi i lojës së lirë të operatorëve në treg rrit ndjeshëm kostot e të mirave publike dhe për rrjedhojë ul mirëqënien konsumatore.
Sfidat e së ardhmes janë orientuesit e ndërtimit të strategjive nga Komisioni i Konkurrencës, jo vetëm per mbrojtjen e konkurrences, por edhe për të rritur rolin e Autoritetit per promovimin dhe nxitjen e saj si një nga rrugët e sigurta për rritjen ekonomike të vendit.
1. Zbatimi i ligjit të konkurrencës
Objekti i punes së institucionit të konkurrencës gjatë vitit 2013 është përfundimi i procedurave hetimore të nisura gjatë vitit të kaluar, vazhdimi i monitorimeve, si dhe leximi në mënyrë sa më optimale të të gjithë shenjave që vijnë nga ankesat, mediat e shkruara apo vizive, komuniteti i biznesit apo konsumatori.

Fillimi i 2013 tregoi për një rritje të ndjeshme të numrit të transaksioneve të shit/blerjes së aksioneve të njoftuara pranë Autoritetit të Konkurrencës. Edhe gjatë këtij viti do të vazhdojë bashkëpunimi me QKR për të identifikuar transaksionet e përqëndrimeve që nuk janë njoftuar, i cili përbën jo vetëm një instrumënt të zbatimit të ligjit, por edhe një instrument të forcimit të kulturës ndaj ligjit të konkurrencës tek komuniteti i biznesit.
2 Përafrimi i legjislacionit
Një aspekt të rëndësishëm në procesin e draftimit të akteve të reja do të jetë hartimi i një kuadri nënligjor të përafruar me legjislacionin europian në fushën e konkurrencës. Më konkretisht gjatë vitit 2013 do të përshtaten dhe miratohen:

1) Rregullorja “Për kategoritë e marrëveshjeve në sektorin e transportit ajror”
2) Rregullorja “Për kategoritë e marrëveshjeve në shoqëritë e linjave të transportit të mallrave”.
3) Udhëzimi “Për kategoritë e marrëveshjeve në shoqëritë e linjave të transportit të mallrave”.
4) Udhëzimi “Mbi sjelljen abuzive perjashtuese e ndermarrjeve me pozite dominuese ne zbatimin e neneve 8 dhe 9 të Ligjit 9121 datë 23.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës’’
3. Forcimi i advokacisë dhe i kulturës së konkurrencës
Në mënyrë të vazhdueshme Komisioni i Konkurrencës thekson se sa jetike është bashkepunimi real dhe interaktiv midis institucionit të konkurrencës dhe gjithë enteve rregullatore, si mbikëqyrësit e drejtëpërdrejtë te tregjeve specifike. Eksperienca e vitit të kaluar na tregoi se duhet të përmirësohen instrumentat e komunikimit për të realizuar një mirëkuptim dhe bashkëpunim real me entet rregullatore. Gjithashtu, duhet t’i kushtohet një vemendje e veçante jo vetem institucioneve të qeverisjes qendrore, por edhe atyre vendore, te cilat luajnë një rol relativ rregullues për tregjet rajonale.
4. Forcimi i kapaciteteve administrative
Për Autoritetin e Konkurrencës mbetet sfidë e vazhdueshme forcimi i kapaciteteve institucionale të cilat konceptohen në dy drejtime kryesore :
Rritja e efektivitetit të instrumentave investigative nepermjet përsosjes se metodave, mjeteve dhe menyrave të investigimit, bazuar ne teknologjine e informacionit për zbulimin kryesisht të marrëveshjeve të ndaluara.
Forcimi i kapaciteteve administrative nepermjet  rritjes se shkallës së profesionalizmit të personelit duke konsoliduar instrumentat e analizave ekonomike për të identifikuar ndërlidhjet midis faktoreve që kanë rol përcaktues në një praktikë antikonkurruese.

energjia.al, 13.03.2013