Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zbardhet organika e plote e CEZ-it “te ri”

VENDIM Nr. 21, datë 18.2.2013 MBI KËRKESËN PËR MIRATIM TË TABELAVE TË KLASIFIKIMIT TË PERSONELIT DHE STRUKTURËS SË PAGAVE PËR PUNONJËSIT E “CEZ SHPËRNDARJE” SHA (NË ADMINISTRIM TË PËRKOHSHËM).
Në mbështetje të nenit 8 pika 2 dhe 9 të ligjit nr. 9072, datë 22.5.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, vendimin nr. 5, datë 21.1.2013 “Për vendosjen e shoqërisë “CEZ Shpërndarje” sh.a., në administrim të përkohshëm dhe emërimin e administratorit të shoqërisë “CEZ Shpërndarje” sh.a., në zbatim të vendimit të Bordit të Komisionerëve të ERE nr. 4, datë 21 janar 2013 “Për heqjen e licencave për aktivitetin e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe aktivitetit
të furnizimit publik me pakicë të energjisë elektrike të shoqërisë “CEZ Shpërndarje” sh.a.”, rregullores “Për procedurat e emërimit të administratorit dhe kompetencat e tij”, miratuar me vendimin nr. 1, datë 10.1.2013, Bordi i Komisionerëve të ERE-s në mbledhjen e tij të datës 18.2.2013, pasi shqyrtoi relacionin e drejtorive teknike të ERE-s VENDOSI: 1. Miratimin e klasifikimit të personelit dhe strukturës së pagave për punonjësit e shoqërisë “CEZ Shpërndarje” (bashkëlidhur). 2. Deri në saktësimin e detyrimeve që “CEZ Shpërndarje” ka ndaj palëve të treta, fondi i pagave mos të tejkalojë realizimin faktik të vitit 2012. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Ky vendim botohet në Fletoren Zyrtare. KRYETARI Sokol Ramadani
STRUKTURA E “CEZ SHPËRNDARJE” 1. Administratori 2. Kabineti – Sekretaria – Këshilltarët – Marrëdhëniet me Publikun 3. Njësia e Tregtimit të Energjisë 4. Departamenti i Shpërndarjes Dispeçeria Qendrore – Drejtoria e Menaxhimit të Rrjetit – Sektori TM/TU – Sektori TL/Nënstacion • Drejtoria e Planifikimit, Zhvillimit, Projektimit dhe Standardizimit Sektori i Analizës së të Dhënave Sektori i Projektimit • Drejtoria e Asistencës Teknike Matja, verifikim/kolaudim – Me drejtoritë e tjera – Me privatë – Me të tretët • Drejtoria e Llogaritjes dhe Analizës së Humbjeve – Humbjet TL/Nënstacion – Humbjet TM/TU – Drejtoria e Riparimit të Transformatorëve dhe Likuidimit të Avarive – Drejtoria e Sigurisë në Punë, Shëndeti dhe Ambienti 5. Departamenti i Shitjeve dhe Arkëtimeve • Drejtoria e Faturimit – Billingu – Menaxhimi i Humbjeve – Menaxhimi i Shitblerjes së Energjisë – Stafi Qendror – Specialistët Rajonalë
• Drejtoria e Arkëtimeve – Menaxhimi i Debisë – Menaxhimi i Arkave – Stafi Qendror – Specialistët Rajonalë • Drejtoria e Marrëdhënieve me Klientët – Kujdesi ndaj Klientit (zyrat e ankesave, verifikuese) – Merketingu – Stafi Qendror dhe Specialistët • Drejtoria e Asistencës Teknike – Menaxhimi i Lidhjeve të Reja (TM/TU) – Menaxhimi i Matjes (TM,TU) 6. Departamenti i Administrimit të Përgjithshëm • Drejtoria e Burimeve Njerëzore – Sektori i Menaxhimit të Burimeve Njerëzore – Sektori i Administrimit të Personelit (pagat) • Drejtoria Ligjore – Njësia e Pasurive të Paluajtshme – Stafi Qendror – Specialistët Rajonalë • Drejtoria e Shërbimeve Mbështetëse – Njësia e Prokurimit – Sektori i Shërbimeve të Brendshme – Protokoll/arkiv • Drejtoria e Teknologjisë dhe Informacionit – Sektori i Menaxhimit të Sistemeve (Billing, Financë etj.) – Njësia e Mirëmbajtjes Rrjetit/Pajisjet 7. Departamenti Ekonomik • Drejtoria e Kontabilitetit – Stafi Qendror – Specialistët Rajonalë – Drejtoria e Financës – Stafi Qendror – Specialistët Rajonalë – Drejtoria e Planifikimit të Kontrollit – Stafi Qendror – Specialistët Rajonalë – Drejtoria e Logjistikës – Stafi Qendror – Specialistët Rajonalë 8. Drejtoritë rajonale: Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Korçë, Shkodër, Burrel, Berat, Gjirokastër, Njësia Kukës 9. Drejtoritë e Tensionit të Lartë (Fier, Elbasan, Burrel dhe Tiranë).
PËRGJEGJËSITË DHE DETYRAT KRYESORE TË NJËSIVE ORGANIZATIVE TË “CEZ SHPËRNDARJE” SHA 1. Administratori Mbështetur në vendimin nr. 1, datë 10.1.2013 “Mbi procedurat e emërimit të administratorit dhe kompetencat e tij” në zbatim të nenit 18 pika 4/c të ligjit nr. 9072, datë 22.5.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike”. Gjatë ushtrimit të rolit të tij hyn në marrëdhënie me organet e kompanisë dhe me institucionet ekonomiko-politiko, sociale referuese. Detyrat dhe kompetencat e administratorit përcaktohen në bazë të legjislacionit për shoqëritë tregtare dhe rregullores. Kabineti – Mbështet administratorin me përgatitjen e materialeve dhe kushteve të nevojshme për zhvillimin normal të punës së tij. – Kujdeset për marrëdhëniet me institucionet dhe organizma të tjerë, mediat dhe publikun. – Përgatit materialet e administratorit për qëllim të raportit në organet mbikëqyrëse të shoqërisë (ERE). – Kujdeset për marrëdhëniet me institucionet dhe organizmat e tjerë të vendit apo të jashtme. – Mbikëqyr aktivitetin e departamenteve, drejtorive rajonale dhe Drejtorisë së Tensioneve të Larta në përmbushjen e objektivave dhe detyrave të përcaktuara nga administratori. Përgjegjësitë kryesore: 2. Sekretaria – Trajtimi i problemeve të Sekretarisë. – Përgatitja e përgjegjësive të postës së administratorit, kur nevojitet. – Asistimi i administratorit për aktivitetet që janë ngarkuar prej tij. 3. Këshilltarët – Përgatitja e dokumenteve për administratorin. – Përgatitja e dokumenteve për institucionet e ndryshme të qeverisjes qendrore dhe lokale. – Përgatitja e vendimeve, urdhrave, udhëzimeve, kur kërkohet nga administratori për çështje të rëndësishme. – Trajtimi i marrëdhënieve me persona fizikë dhe juridikë, kombëtarë ose të huaj. – Studimi i tarifave të energjisë bazuar në studimin e kostos së saj dhe parashikimin e kërkesës për energjinë elektrike. – Mbikëqyrja e procesit të zbatimit të politikave të kompanisë. 4. Marrëdhëniet me publikun – Monitorimi i marrëdhënieve dhe konsulencë për raportet me median dhe publikun. – Menaxhimi i raporteve me median. – Njoftimi i shtypit dhe aktivitetin e gjithanshëm të “CEZ Shpërndarje” sh.a. – Mbrojta e imazhit publik të kompanisë, replikat me median. – Përgatitja dhe organizimi i konferencave të shtypit të drejtuesve të “CEZ Shpërndarje” sh.a. – Koordinimi i bashkëpunimit me mediat, kontaktet e përditshme. – Informimi i drejtuesve me shtypin e përditshëm. – Përgatitja e fushatave publicitare për risitë në sektorë të ndryshëm. – Organizimi i konferencave të shtypit në “CEZ Shpërndarje” dhe rrethe. 5. Njësia e Tregtimit të Energjisë Elektrike Funksioni i kësaj njësie është argumentimi, zhvillimi, administrimi dhe koordinimi i sigurimit nga importi i energjisë elektrike të nevojshme për mbulimin e humbjeve të rrjetit në sistemin e shpërndarjes, në bazë të modelit të tregut të energjisë elektrike. Planifikimi dhe krijimi i programeve në bazë orare, ditore, javore, mujore dhe vjetore të energjisë elektrike për të mundësuar një furnizim të pandërprerë me import të klientëve tariforë.
– Argumentimi i sasisë së energjisë elektrike të nevojshme për t’u siguruar nëpërmjet procedurave përkatëse të prokurimit, si dhe argumentimi i përzgjedhjes së llojit të procedurave përkatëse të prokurimit për sigurimin e energjisë elektrike. – Organizimi, administrimi dhe koordinimi i blerjes së energjisë elektrike. – Koordinimi dhe mbikëqyrja e procedurave të negocimit. – Komunikimi dhe raportimi me drejtuesit e “CEZ Shpërndarje” mbi ecurinë e procedurave përkatëse lidhur me blerjen e energjisë elektrike. – Negocimi dhe mbikëqyrja e kontratave për blerjen e energjisë elektrike. – Përgatitja e programeve ditore dhe orare të importit të energjisë elektrike për OST sh.a. dhe KESH sh.a. – Ndjekja e ecurisë së pagesave të kryera për shoqëritë furnizuese me energji elektrike. – Rakordimet e rregullta mujore të importit të energjisë elektrike me OST sh.a. – Rakordimi i humbjeve me importin e “CEZ Shpërndarjes”, në bashkëpunim me Divizionin e Shitjes. – Azhurnimi i vazhdueshëm lidhur me çmimet e energjisë elektrike në rajon dhe më gjerë në funksion të procedurave të blerjes. – Mbajtja e korrespondencës dhe kontakteve me shoqëritë e huaja. – Informohet mbi ankandet e rajonit dhe ankandin e OST sh.a. për përdorimet e kapaciteteve të transmetimit, gjithashtu, dhe azhurnohet për aktivitetet dhe zhvillimet që ndodhin për kapacitetet e transmetimit. – Ndjek zbatimin e ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”, modelit të tregut të energjisë elektrike, rregullave të tregut të energjisë elektrike, si dhe të gjitha akteve të tjera nënligjore që prekin këtë njësi. – Aktivitete të tjera të ngarkuara nga supervizori i drejtpërdrejtë. 6. Departamenti i Shpërndarjes Përgjegjësitë kryesore: – Menaxhon dhe koordinon aktivitetin e kontrollit, mirëmbajtjes dhe zhvillimit të impianteve dhe rrjetave të TL-TM-TU, në administrim të “CEZ Shpërndarje” sh.a. – Menaxhon dhe koordinon aktivitetin e kontrollit teknik të impianteve dhe rrjetave të shpërndarjes së energjisë elektrike. – Koordinon dhe asiston drejtoritë rajonale dhe drejtoritë e tensionit të lartë, në varësi të “CEZ Shpërndarje” sh.a., për problematikat që kanë karakter teknik. – Menaxhon aktivitetin e planifikimit dhe zhvillimit të sistemit të shpërndarjes në përputhje me standardet e projektimit. – Përgatit në bashkëpunim me Departamentin e Shitjes dhe interpreton bilancin energjetik të Kompanisë, mbikëqyr humbjet teknike në impiante dhe rrjetat TL-TM-TU të shoqërisë. – Menaxhon dhe koordinon aktivitetin e verifikimit dhe të kolaudimit të matjes, planifikon në bashkëpunim me Departamentin e Shitjes nevojat për njësinë matëse dhe sigurimin e tyre. • Drejtoria e Menaxhimit të Rrjetit – Siguron monitorimin e parametrave të cilësisë së shërbimit dhe përpunon raporte periodike (ditë/muaj/vite) mbi cilësinë e shërbimit. – Koordinon aktivitetin e impianteve elektrike në administrim dhe në varësi të “CEZ Shpërndarje” sh.a. – Menaxhon sistemet e telekontrollit dhe telekomunikimit. – Përpunon sisteme automatike dhe të kontrollit të rrjeteve. – Menaxhon rinovimin dhe mirëmbajtjen e rrjeteve shpërndarëse. • Drejtoria e Planifikimit, Zhvillimit, Projektimit dhe Standardizimit – Siguron planet shumëvjeçare të zhvillimit dhe të kontrollon realizimin e tyre.
– Në bashkëpunim me drejtoritë rajonale dhe TL kryen studimet e nevojshme për zhvillimin optimal të rrjeteve shpërndarëse. – Studion, përcakton dhe siguron standardizimin e elementeve dhe pajisjeve të impianteve në administrim të “CEZ Shpërndarje” sh.a. – Cakton buxhetin për fushën teknike. – Përgatit ndarjen e buxhetit për drejtoritë rajonale dhe DTL. – Kontrollon analizën ekonomike-pasurore dhe jep siguri për kontrollin dhe menaxhimin. – Përmirëson dhe përhap kriteret e projektimit. – Kujdeset për topografinë dhe kartografinë e territorit. • Drejtoria e Asistencës Teknike, Matje, Verifikim, Kolaudim – Menaxhon sistemet e matjes dhe drejton punën e kolaudimit të matësave. – Kolaudimi i matësave kryen kolaudime të specifikuara të sistemit të matjes, organizon mbledhjen, kontrollin dhe kolaudimin e matësave nga drejtoritë rajonale. – Kujdeset për shpërndarjen e modaliteteve për përdorimin e materialeve dhe komponentëve të ndërtimit të impianteve TL/TM/TU dhe kontrollon përdorimin e saktë të tyre. – Kryen kolaudimin e materialeve dhe pajisjeve pranë furnitorëve në përputhje me specifikimet teknike të kontratave përkatëse. – Merr pjesë në kryerjen e vlerësimit të specifikimeve teknike, të firmave ofertuese. • Drejtoria e Llogaritjes dhe Analizës së Humbjeve – Llogaritja e ngarkesave, flukseve të energjisë dhe humbjeve përkatëse. – Në bazë të analizave përcakton masat e duhura për zbulimin e humbjeve, duke rritur eficencën e rrjetit shpërndarës. • Drejtoria e Riparimit të Transformatorëve dhe Likuidimit të Avarive – Në koherencë me direktivat e administratorit të “CEZ Shpërndarje” sh.a. dhe me bashkëpunim me Departamentin e Shpërndarjes, merret me koordinimin nga pikëpamja operative të Nën/st dhe Rrjetit 35 kV, me organizimin sa më të shpejtë të likuidimit të avarive dhe riparimit të transformatorëve. – Menaxhon mirëmbajtjen e Nën/st dhe Rrjetit 35kV. – Koordinon në bashkëpunim me DTL ndërhyrjen e shpejtë në rastet e avarive dhe merr masa për eliminimin e tyre. – Merret me përcaktimin e modaliteteve për përdorimin e materialeve dhe komponentëve të Nën/st, Rrjetit 35kV dhe kontrollon përdorimin e duhur të tyre. – Studion, përcakton dhe zgjidh në bashkëpunim me DTL fuqizimin e nënstacioneve. – Merret me riparimin e transformatorëve të dëmtuar. – Preventivon bazën materiale që nevojitet për riparim. – Menaxhon dhe monitoron përdorimin e bazës së materialeve të nevojshme për riparimin e transformatorëve. – Studion përshtatjet organizative të arrira nga drejtimi sa më i mirë i proceseve. – Menaxhon dokumentacionin e plotë mbi gjendjen teknike të transformatorëve dhe evidenton lëvizjen e tyre nga jashtë në këtë sektor dhe anasjellas. • Drejtoria e Sigurisë në Punë, Shëndeti dhe Ambienti – Drejton, planifikon dhe kontrollon të gjithë punën që bëhet për zbatimin e rregullores së zbatimit teknik në të gjithë organizmat e “CEZ Shpërndarje” sh.a. – Analizon aksidentet në punë dhe nxjerr konkluzionet përkatëse, si dhe merr masat e duhura për minimizimin e tyre. – Në bashkëpunim me Drejtorinë e Burimeve Njerëzore projekton dhe kryen ndërhyrjen për trajnimin dhe formimin profesional të punonjësve. 7. Departamenti i Shitjeve dhe Arkëtimeve Përgjegjësitë kryesore:
– Kujdeset për mbarëvajtjen, rinovimin shpërndarjen dhe përdorimin e legjislacionit dhe dokumentacionit të shitblerjes së energjisë elektrike. – Koordinon veprimtaritë tregtare blerje-shitje të energjisë elektrike ndërmjet drejtorive rajonale, drejtorive TL dhe OST dhe KESH. – Merr dhe përpunon informacionin, përcakton nevojat për sigurimin me energji elektrike të konsumatorëve. – Përgatit dhe interpreton bilancin përmbledhës kwh dhe lek (Cash-flow) të arkëtimit dhe debive të energjisë. • Drejtoria e Faturimit – Përgjegjës për mirëmbajtjen e llogarisë së abonentit. – Kuadron arkëtimet nga Posta Shqiptare. – Kontrollon kreditimet nga Posta dhe bankat. – Monitoron dhe kuadron gjendjet pozitive të tepricave kreditore (saldo) dhe të pagesave të pakredituara. – Përgatit raportet për mbylljen e fondeve/llogarive bankare. – Menaxhon leximet me anomali. – Menaxhon leximet e pakaluara. – Menaxhon lidhjet e reja në sistem. – Menaxhon zëvendësimet e matësave, vulave etj. – Proceson dëm ekonomik, nënfaturimin dhe energjinë e pamatur. – Menaxhon ndryshmin e të dhënave të abonentit (tarifë, kategori, koeficient etj.). – Proceson ankesat nga klienti. – Kontrollet ditore para faturimit. – Gjeneron strukturën mujore të shitjes, si edhe paketën e raporteve për mbylljen e muajit. – Kontrollon lëvizjet me kontratat e pezulluara ose të shembura. – Krijon PDF dhe kontrollon që faturat të jenë në formatin e duhur. – Koordinon me shtëpinë printuese aktivitetin e printimit dhe shpërndarjen e faturave të energjisë. – Rakordon me agjentët që shpërndajnë faturën. – Mirëmban arkivin e shkresave që janë procesuar. – Menaxhon procesin e faturimit, regjistrimit e leximeve. • Drejtoria e Arkëtimeve – Menaxhon procesin e arkëtimeve në të gjitha pikat e arkëtimit të faturës së energjisë elektrike. – Koordinon marrëdhëniet me të tretët (banka, posta, institucione të tjera) për arkëtimin e faturës së energjisë elektrike. – Ndjek dhe menaxhon procesin e azhurnimit të pagesave, si dhe regjistrimin e tyre. – Përpunon informacion lidhur me arkëtimet, interpreton dhe është pjesë e planifikimit të programit të zhvillimit të kompanisë. – Menaxhon përpunon urdhëresat e udhëzime për mbarëvajtjen e procesit të ndjekjes së debitorëve. • Drejtoria e Marrëdhënieve me Klientët • Drejtoria e Asistencës Teknike – Bën verifikim e sistemit të matjes me konsumatorët e “CEZ Shpërndarje” sh.a. dhe ndjek ndërhyrjet për përmirësimin e tyre. – Planifikon nevojat për përmirësimin e sistemit të matjes. – Mban kontakte të drejtpërdrejta me ERE-n për probleme të ndryshme. 8. Departamenti i Administrimit të Përgjithshëm
– Menaxhon shërbimet që janë në mbështetje të realizimit të akteve të shpërndarjes dhe të furnizimit me energji elektrike. – Mbështet strukturat e shoqërisë me opinione ligjore, ndjek dhe realizon përfaqësimin në gjyq të proceseve gjyqësore në të cilat përfshihet shoqëria. – Realizon administrimin e burimeve njerëzore konform parashikimeve ligjore dhe nënligjore të marrëdhënieve të punës, – Mbështet strukturat e tjera me shërbimet mbështetëse (automjete, shërbimet e mirëmbajtjes etj.). • Drejtoria e Burimeve Njerëzore Përcakton dhe promovon politikat, planet dhe procedurat për drejtimin dhe zhvillimin e burimeve të “CEZ Shpërndarje” sh.a., mbështet ekipin drejtues të kryejë detyrat e tyre në drejtimin e personelit. Mbështet ndryshimet duke promovuar integrimin dhe përfshirjen e të gjithë punonjësve. Përgjegjësitë kryesore: – Merret me administrimin, drejtimin dhe zhvillimin e personelit. – Kujdeset për raportet me sindikatën, bën interpretimin dhe aplikimin e kontratës kolektive të punës. – Studion dhe propozon ndryshime organizative, organizon dhe menaxhon manualet e BNJ, përfshirë dhe ndryshimet në strukturë. – Ideon të gjitha procedurat dhe sistemet për drejtimin e personelit, të cilat kërkohen për marrje në punë, caktimin e detyrave, personat përkatës, përshkrimin e punës dhe vlerësimin, pagesat dhe përfitimet sociale, karrierën dhe planet në vazhdim, trajnimin e personelit dhe planet për zhvillimin e tij, vlerësimin e personelit të tij. – Përcakton dhe kryen politikat e pagesave të “CEZ Shpërndarje” sh.a. në lidhje me personelin dhe kujdeset për zbatimin e tyre. – Përcakton dhe drejton strategjitë për marrëdhëniet e punës, si dhe bashkëpunimin me sindikatat. – Krijon planet vjetore për zhvillimin dhe trajtimin e personelit, të cilat shkojnë në mënyrë të përbashkët me atë të strukturave përkatëse të kompanisë. – Drejton procesin e administrimit të personelit dhe kryen parashikimet për shpenzimet, si dhe monitoron vazhdimësinë dhe kontrollin e tyre. – Drejton sistemin e pagesave (rrogat, pensionet dhe përfitimet sociale) në përputhje me politikat e pagave të “CEZ Shpërndaje” sh.a. – Koordinon punën për politikat e punësimit, si dhe menaxhimin e përfundimit të kontratave të punës së punonjësve. – Përcakton procesin e përpunimit të të dhënave, si dhe sistemin e mbajtjes së informacionit (të dhënat bazë). – Administron dosjet personale të punonjësve dhe kujdeset për azhurnimin e tyre në bazë të të dhënave të secilit punonjës. 9. Drejtoria Ligjore Përgjegjësitë kryesore: – Ndihmon administratorin e “CEZ Shpërndarje” sh.a. në zhvillimin e aktiviteteve të kompetencës. – Drejton dokumentacionin juridik të shoqërisë. – Ndjek dhe drejton konfliktet gjyqësore në të cilat është përfshirë shoqëria. – Drejton marrëdhëniet me institucionet dhe shoqëritë e tjera. – Shpjegon dhe shpërndan kuadrin ligjor që i përket organizimit të “CEZ Shpërndarje” sh.a. – Jep konsulencë në fushën juridike për strukturat përkatëse të kompanisë. – Përpilon kontrata dhe marrëveshjet e nënshkruara nga shoqëria me subjektet e treta. – Mbledh dhe përpunon evidencat e konflikteve gjyqësore dhe kallëzimeve penale.
– Përfaqëson pranë gjykatës në të gjitha shkallët e gjykimit, çështjet gjyqësore që i përkasin shoqërisë. – Ndjekin korrespodencat e përditshme. – Në koherencë me direktivat e administratorit të “CEZ Shpërndarje” sh.a. plotëson në kohë procedurat ligjore të akteve për realizimin e shpronësimeve. – Plotëson në kohë procedurat e akteve ligjore për regjistrimin e të gjitha pasurive të paluajtshme që kanë në administrim “CEZ Shpërndarje” sh.a. 10. Drejtoria e Shërbimeve Mbështetëse Përgjegjësitë kryesore: – Nxjerr urdhrat dhe ndjek procedurat, sipas ligjit, për blerjet e vogla, në lidhje me sigurimin e bazës materiale të nevojshme për pullën e stafit të “CEZ Shpërndarje” sh.a. – Menaxhon shërbimin e ruajtjes së objektit. – Menaxhon të gjitha mjetet e transportit të stafit qendror të “CEZ Shpërndarje”. – Brenda afateve të përcaktuara në rregullat e prokurimit publik, harton regjistrin vjetor të parashikimit të prokurimeve, në bazë të programeve të dërguara nga departamentet e tjera. – Ndjek procedurat e prokurimit të nevojshëm sipas kërkesave të specifikuara (specifikimet teknike të departamenteve të tjera), mbështetur në legjislacionin në fuqi. – Parapërgatit dokumentacionin për çdo procedurë prokurimi dhe e menaxhon atë deri në nënshkrimin e kontratës. – Gjatë vitit kalendarik brenda afateve të përcaktuara në rregullat e prokurimit publik, dhe në bazë të të dhënave të dërguara nga departamentet, përgatit dhe dërgon në Agjencinë e Prokurimit Publik, regjistrin e realizimit të prokurimeve publike së bashku me ndryshimet. – Menaxhon kancelaritë pajisjet për të gjithë selinë e stafit qendror. – Përgatit materialet për blerjen/ose riparimin e mjeteve kancelarike, bojërave, pajisjeve etj. – Menaxhon problematikën që lidhet me sigurinë e objektit. – Menaxhon shërbimet e pastrimit të centralit telefonik. – Drejton protokollin e “CEZ Shpërndarje” sh.a. – Administron dhe ruan dokumentet e depozituara. – Administron dhe merret me arkivin e “CEZ Shpërndarje” sh.a. 11. Drejtoria e Teknologjisë dhe Informacionit Përgjegjësitë kryesore: – Sipas udhëzimeve dhe programeve të autorizuara nga administratori i “CEZ Shpërndarje” sh.a., kujdeset për zhvillimin e rrjetit informatik të “CEZ Shpërndarje” sh.a. dhe të nevojave të digjitalizimit. – Menaxhon nevojat për pajisje dhe instrumente informatike, duke u kujdesur për blerjen e tyre (përgatitja e specifikimeve teknike). – Përgjigjet për administrimin dhe zhvillimin e sistemeve informatike në funksion të një administrimi elektronik të informacionit. – Planifikon dhe menaxhon projektet që lidhen me teknologjinë e informacionit. 12. Departamenti Ekonomik Sigurimi dhe menaxhimi i burimeve financiare dhe i materialeve të nevojshme për të mundësuar që “CEZ Shpërndarje” sh.a. të arrijë objektivat e saj, ndërkohë që përmbush buxhetin, politikat dhe strategjitë e përcaktuara, duke siguruar që informacioni i brendshëm dhe i jashtëm të jetë korrekt, si dhe vlerëson fizibilitetin e veprimeve dhe efektet e tyre. Përgjegjësitë kryesore: – Menaxhon burimet financiare të “CEZ Shpërndarje” sh.a. – Përcakton politikën e kontabilitetit të “CEZ Shpërndarje” sh.a. – Përgatit planet, programet, buxhetin ekonomik-financiar afatshkurtër, afatmesëm, afatgjatë.
– Në bashkëpunim me departamentet e tjera harton planin e bazës materiale të “CEZ Shpërndarje” sh.a. • Sektori i Kontabilitetit – Përcakton politikën e kontabilitetit për “CEZ Shpërndarje” sh.a. – Menaxhon përgatitjen e pasqyrave financiare në nivel sistemi energjetik. – Koordinon veprimet me të tretet, nëpërmjet bashkëpunimit me drejtoritë rajonale, që kanë të bëjnë me detyrimet ndaj shtetit, si tatime dhe taksa etj. • Sektori i Financës – Menaxhon burimet financiare të “CEZ Shpërndarje” sh.a. – Menaxhon raportet me bankat dhe institucionet e tjera financiare. – Menaxhon projektimin e fluksit të arkës, për çdo drejtori rajonale. – Menaxhon kreditë financiare direkte dhe nëpërmjet Ministrisë së Financave, me komunitetin e donatorëve. • Sektori i Planifikimit dhe Kontrollit – Përgatit planet, programet dhe buxhetin ekonomik-financiar afatshkurtër, afatgjatë, afatmesëm. – Monitoron, kontrollon, raporton për realizimin e planeve të miratuara dhe planit të investimeve. – Raporton të dhëna të ndryshme periodike tekniko-financiare. • Sektori Logjistik – Në bashkëpunim me departamentet e tjera, harton planin e bazës materiale të “CEZ Shpërndarje” sh.a. – Merr masat e duhura dhe përgjigjet për administrimin e bazës materiale dhe shërbimeve të tjera të nevojshme. – Kontrollon vazhdimisht gjendjen e materialeve në magazinat e drejtorive rajonale dhe lëshon autorizimet përkatëse për lëvizjet e tyre sipas nevojave. – Përgjigjet për dokumentacionin e magazinave dhe kryen inventarin fizik mbi to. – Kontrollon vazhdimisht gjendjen materiale në magazinat e drejtorive rajonale dhe lëshon autorizime • Drejtoritë rajonale – Realizojnë në bazë funksionet e Departamentit të Shpërndarjes, Departamentit të Shitjes. – Sigurojnë marrjen e masave teknike, organizative për sigurimin e furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve në njësitë administrative që shtrihen rajonet që ata drejtojnë. – Sigurojnë marrjen e masave teknike e organizative për mirëmbajtjen dhe rregullimin e defekteve që konstatohen në rrjetin e shpërndarjes që shtrihet në rajonet që drejtojnë. – Realizojnë administrimin e personelit dhe mbikëqyrjen e punës së punonjësve, të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në këto rajone. – Marrin masa teknike e organizative për mbikëqyrjen e uljen e humbjeve teknike e joteknike në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike. – Marrin masa për mbikëqyrjen e procesit të saktësisë së faturimit të konsumatorëve në këto rajone. – Drejtuesit e drejtorive rajonale raportojnë e përgjigjen tek administratori lidhur me nivelin e humbjeve në rrjet, nivelin e arkëtimeve të energjisë elektrike, procesin e faturimit, rastet defekteve, mirëmbajtjen e rrjetit, si dhe për çdo gjë që ka të bëjë me veprimtarinë e shoqërisë në këto rajone. • Drejtoritë e Tensionit të Lartë Përgjegjësitë kryesore: – Drejton dhe menaxhon aktivitetet e menaxhimit të rrjetit. – Siguron eliminimin e defekteve dhe anomalive në rrjet.
– Siguron realizimin e planit të remonteve dhe përgatit skemat për furnizimin optimal të konsumatorëve me energji. – Siguron zbatimin e rregullores së shfrytëzimit dhe të sigurimit teknik nga ana e dispeçerëve. – Siguron azhurnimin e ndryshimeve të skemave. – Siguron analizat e avarive. – Siguron studimin e ngarkesave, si dhe harton planifikimin e rrjetit që ka në vartësi. – Ndjek me përgjegjësi furnizimin me energji elektrike dhe pa ndërprerje të konsumatorëve dhe siguron qëndrueshmërinë e rrjetit që ka në varësi. – Ndjek dhe përgatit projektplanin vjetor të remonteve TL dhe TM/TU. – Ndjek dhe koordinon me OST planin e remonteve, përpilon këtë plan. – Ndjek dhe dërgon të detajuar për zbatim planin e remonteve TL,TM/TU, Departamenti i Shpërndarjes. – Ndjek planifikimin e manovrimeve në rrjet (vjetore, mujore, javore, ditore) për realizimin e remonteve dhe ia dërgon për zbatim Dispeçerisë dhe Departamentit të Shpërndarjes. – Ndjek dhe kontrollon zbatimin e planit të remonteve dhe manovrimeve në bashkëpunim me Departamentin e Shpërndarjes. – Ndjek dhe përcakton në rastet e remonteve zonat që mbeten pa energji dhe kohëzgjatjen e tyre duke qenë përgjegjës për njoftimin në këtë rast të Zyrës së Komunikimit. – Ndjek dhe grumbullon të dhënat për rrjetin nga specialisti për analizën dhe zhvillimin e rrjetit dhe përpunon gjithçka nevojitet për perfomancën e rrjetit. – Ndjek dhe përgatit performancën e rrjetit dhe është përgjegjës për marrëdhëniet me ERE-n për këtë qëllim. – Koordinon punën e Dispeçerisë dhe të “Operacioneve dhe Mirëmbajtjes” për optizimin e skemave në raste remontesh dhe avarish në rrjet, duke garantuar fuqizimin maksimal të konsumatorëve me energji.

energjia.al, 12.03.2013