Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zbardhen ndryshime te rendesishme ne VKM per akcizat

VENDIM Nr. 128, datë 20.2.2013 PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR. 612, DATË 5.9.2012 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT “PËR AKCIZAT””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 108 e 109 të ligjit nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Në vendimin nr. 612, datë 5.9.2012 të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në pikën 4 të nenit 18 “Procedurat e përjashtimit”, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
“Nuk i nënshtrohen detyrimit për ngjyrosje rastet e përjashtimeve të shkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 të nenit 10 të ligjit për akcizat.”.
2. Në fund të pikës 1 të nenit 21, shtohet fjalia me këtë përmbajtje:
“Nga importimi i nënprodukteve të naftës që lidhet me përdorimin për nevojat e veta, përjashtohet karburanti që përdoret për automjetet rrugore të subjekteve.”.
3. Në nenin 43 bëhen këto ndryshime:
a) në pikën 1, referimi për shkronjën “f” ndryshohet në “d”.
b) pika 2 ndryshohet si më poshtë vijon:
“2. Subjektet duhet të paraqesin pranë degës doganore ku janë regjistruar:
a) planimetrinë e objektit;
b) të dhëna për impiantet (kaldajat dhe furrat) që përdorin lëndën djegëse për prodhim, të pajisur me matës të certifikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë dhe të plumbosur nga autoritetet doganore;
c) konfirmimin nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për datën e fillimit të aktivitetit prodhues;
ç) normativat e konsumit të lëndës djegëse për njësi produkti të gatshëm (karta teknologjike), shoqëruar edhe me të dhënat e mëposhtme për:
i) llojin e lëndës djegëse, të përdorur në procesin teknologjik;
ii) fazat në procesin teknologjik, ku përdoret lënda djegëse;
iii) llojin e kaldajës apo të furrës, ku përdoret lënda djegëse dhe lidhjen me procesin teknologjik gjatë prodhimit të produktit.
Karta teknologjike duhet të jetë e konfirmuar/certifikuar nga një institucion i njohur, që ka aftësinë teknike të konfirmimit të kartave teknologjike, si: Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), Instituti i Materialeve të Ndërtimit, Drejtoria e Përgjithshme e Standardeve, Drejtoria e Patentave dhe Markave, institucione që miratojnë kartat e ndryshme teknologjike apo çdo institucion tjetër që ka aftësitë dhe lidhet me proceset teknologjike të produkteve, që përdorin këto lëndë djegëse.”.
c) Pika 5 ndryshohet si më poshtë vijon:
“5. Subjektet përfituese të rimbursimit, brenda datës 10 të muajit pasardhës, paraqesin pranë autoritetit doganor kërkesën për rimbursim, shoqëruar me dokumentacionin e mëposhtëm:
a) kopje të dokumenteve të përcaktuara në pikën 2 të këtij neni, kur bën kërkesë për herë të parë;
b) kopje të dokumenteve DSHA/DAV me akcizë të paguar ose faturën tatimore të blerjes;
c) kopje të librit të shitjes me TVSH të muajit paraardhës që ka dorëzuar te drejtoria rajonale tatimore për sasinë e shitur me faturë TVSH- je.”.
4. Neni 45 ndryshohet si më poshtë vijon:
“Neni 45
Prodhimi dhe mbajtja e biokarburanteve realizohen në magazinat fiskale të produkteve energjetike ose nën regjime doganore pezulluese.”.
5. Shkronja “o” e pikës 4 të nenit 51 ndryshohet si më poshtë vijon:
“o) Konfirmimi për shlyerje korrekte të detyrimeve të akcizës ndaj administratës fiskale, si dhe konfirmimi nëse ka konsumuar shkelje në fushën e akcizës dhe shkelje doganore. Në momentin e aplikimit, shoqëria nuk duhet të ketë asnjë detyrim akcize të pashlyer.”.
6. Pas pikës 2 të nenit 76 shtohen pikat 3 dhe 4 me këtë përmbajtje:
“3. Për qëllime të pikës 2 të nenit 105 të ligjit, dokumenti i garancisë duhet të përmbajë të paktën të dhëna të hollësishme për:
a) garantuesin, apeluesin ndaj të cilit del garant, përfituesin (që është Drejtoria e Përgjithshme e Doganave) dhe shumën e përgjithshme të sanksionit/eve për të cilën/cilat lëshohet garancia, si dhe referencat (numrin, datën dhe degën doganore që e ka nxjerrë aktin) e vendimit ku është përcaktuar masa e penalitetit;
b) angazhimin e garantuesit për garantimin e vlerës së plotë të penalitetit dhe afatin e vlefshmërisë së garancisë, i cili do të jetë 6 (gjashtë) muaj nga momenti i lëshimit. Ky afat mundet të zgjatet sipas kërkesës dhe nevojës së Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, rast pas rasti;
c) angazhimin e garantuesit për pagesën prej tij pa kushte të shumës së përgjithshme të sanksioneve të aplikuara për shkeljen, menjëherë pas kërkesës dhe pa qenë nevoja për argumentim të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
4. Formati i garancisë përcaktohet në aneksin 23, që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.
7. Në nenin 77, pas përcaktimit “… të neneve 25 dhe 26 …” shtohet përcaktimi “… si dhe të nenit 105 …”.
8. Në nenin 78, pas përcaktimit “… të pikës 3 të nenit 26 …” shtohet përcaktimi “… si dhe të nenit 105 …”.
9. Pas pikës 6 të nenit 157 “Dispozita transitore”, shtohen pikat 7, 8, 9, 10 dhe 11, me këtë përmbajtje:
“7. Për subjektet e akcizës që janë në proces kontrolli nga administrata tatimore dhe për të cilat aktkontrolli përkatës del pas datës 1 tetor 2012, detyrimet tatimore, gjobat, penalitetet dhe procedurat e nxjerrjes së akteve, nxjerrjes së detyrimeve tatimore, penaliteteve dhe mbledhjes së tyre të bëhen bazuar në ligjin nr. 8976, datë 12.12.2002 “Për akcizat”, të ndryshuar, dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij, si dhe në ligjin e procedurave tatimore.
8. Subjektet e akcizës që në datën 1 tetor 2012 janë në proces kontrolli nga administrata tatimore, për rimbursimin e akcizës, si dhe subjektet e akcizës, të cilat kanë plotësuar kërkesën për rimbursimin e akcizës për periudhën para datës 1 tetor 2012, do të vijojnë procedurat e kërkimit dhe të marrjes së shumës së pretenduar për rimbursim tek administrata tatimore, në bazë të ligjit nr. 8976, datë 12.12.2002 “Për akcizat”, të ndryshuar, dhe të të gjitha akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.
9. Për borxhin ekzistues për detyrimet e akcizës, të kontabilizuar në administratën tatimore para datës 1 tetor 2012, si dhe për borxhet që mund të lindin pas datës 1 tetor 2012, për detyrimet e akcizës, të rezultuara deri më 1 tetor 2012, administrata tatimore do të vijojë procedurën e mbledhjes së borxhit edhe pas datës 1 tetor 2012, sipas ligjit të procedurave tatimore.
10. Për subjektet e akcizës, që u janë pranuar e proceduar nga administrata tatimore kërkesat për shkatërrimin e produkteve të akcizës para datës 1 tetor 2012, sipas ligjit nr. 8976, datë 12.12.2002 “Për akcizat”, të ndryshuar, dhe të gjitha akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, administrata tatimore të vijojë këto procedura deri në përfundimin e tyre.
11. Për subjektet e akcizës që kanë dorëzuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve para datës 1 tetor 2012 ose do të sjellin edhe pas kësaj date pulla akcize të dëmtuara deri në datën 1 tetor 2012, administrata tatimore të zbatojë procedurat e pikës 50 të udhëzimit nr. 7, datë 16.6.2003 të Ministrit të Financave “Për akcizat”, të ndryshuar, dhe në përfundim të tyre, i dërgon administratës doganore në rrugë zyrtare, sasinë e pullave të akcizës, për të cilat nuk duhet paguar akciza (rimbursimi i akcizës së paguar), por vetëm kostoja e pullave të reja, që do të porositen përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Këto procedura të përfundojnë brenda datës 30 qershor 2013.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha

energjia.al, 12.03.2013