Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ i Dollapit nis me 8% humbje

Më 21 janar 2012, ERE vendosi t’i heqë licencat “CEZ Shpërndarje”, ku çekët zotëronin 76 për qind të aksioneve, duke mos u dhënë mundësi të ofronin shërbimet. Për të mos krijuar vakum, ERE emëroi në ditët e fundit të janarit administratorin e përkohshëm shtetëror, Sahit Dollapin, njohje e vjetër e sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike.
Drejtori i shitjeve pranë “CEZ Shpërndarje” Ilirjan Shkëmbi në konferencën e zhvilluar dje për mediat nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjes së gazetarëve lidhur me performancën financiare të kompanisë në më shumë se 1 muaj nga menaxhimi i ri. “Rezultatet do të jepen nga vetë administratori (Dollapi) në ditët e ardhshme”, tha Shkëmbi, edhe ky, njohje po aq i vjetër i sistemit, i rikthyer pas katër vjetësh qëndrimi në Drejtorinë e Ujësjellësit të Tiranës.
Gazeta “Shqip” mëson se arkëtimet në muajin shkurt ishin 8 për qind më të ulëta se i njëjti muaj për vitin 2012, kur sistemi menaxhohej nga çekët. Diferenca është rreth 0.4 milionë euro, ndërsa të ardhurat në këtë periudhë ishin diku te 31 milionë euro.
Rënia e arkëtimeve lidhet me mungesën e shërbimit të pagesave nga bankat, i cili ka munguar në muajin shkurt, ndërsa një pjesë e madhe e konsumatorëve janë ankuar për mungesën e faturave. Megjithatë, edhe pse me rënie, drejtuesit e rinj të CEZ, po ndryshojnë kurs në zgjidhjen e disa ngërçeve, siç është rasti i nisjes së importeve, proces që ishte stopuar prej disa muajsh, duke vendosur KESH-in në vështirësi. Në periudhën pas ikjes së çekëve, CEZ ka nisur të likuidojë disa fatura të vjetra dhe të njohë të gjitha detyrimet.
Nuk mund të thuash për ndërprerjet, të cilat vazhdojnë të jenë problematike. Ankesa të shumta kanë ardhur edhe për mbifaturimet, kryesisht për muajin janar. ERE ka nisur hetimet për raste të ndryshme, por rezulton se problemi buron nga koha kur shoqëria drejtohej nga çekët.
Faturat e larta të muajit janar janë trajtuar nga Enti Rregullator i Energjisë, duke u nisur nga ankesat e depozituara nga Shoqata e Mbrojtjes së Konsumatorëve. Edhe për këtë çështje, Ilirjan Shkëmbi nuk pranoi të jepte sqarime, por u mjaftua vetëm duke thënë se “nuk na ka ardhur asnjë ankesë lidhur me atë çfarë thoni për mbifaturimet”.
Shkëmbi foli gjerë e gjatë për faqen e re të internetit, e cila ka ndryshuar, me ngjyrë blu, nga portokalli që ishte, përfshi dhe logon. Ai ka pohuar se në faqen e re të internetit, cezshperndarje.al është rikthyer shërbimi i ri e-bill, që mundëson nxjerrjen e faturave online, do të vendoset dhe një numër ku të gjithë konsumatorët mund të ankohen për çdo shqetësim apo problem, si dritat, faturat etj
Shkëmbi tha gjithashtu se ka radhë të gjata për pagesat e faturave, prandaj do të shtohen pikat, ndërkohë që ka sqaruar se në janar faturimi është kryer nga “CEZ Albania”, pra nga çekët. ”Jemi duke përmirësuar dhënien dhe marrjen e të dhënave. Nuk mund të jap informacion për shifrat e arkëtimeve dhe humbjeve”, tha ai.
“Përveç qendrave të kujdesit ndaj klientit, do t’i shtojmë pikat e shërbimeve dhe arkëtimeve edhe në qytete të mëdha, në Fier, Durrës etj., dhe ndërkohë po marrim masa për të rritur shërbimet”, shtoi në fund Shkëmbi.
Shteti shqiptar e mori drejtimin e “CEZ Shpërndarje” në situatë të vështirë ekonomike, me borxhe të akumuluara, me nivel humbjesh deri në 50 për qind dhe arkëtime në nivele të ulëta. Çekët ndërprenë investimet në muajin gusht, pasi kishin planifikuar 50 milionë euro për vitin 2012, kurse në vitin 2011 realizuan vetëm 50 për qind të planit të miratuar nga ERE.
Drejtuesit e rinj të CEZ deklaruan se gjendja e trashëguar nga çekët ishte dramatike, me magazina bosh, ku mungonin edhe kabllot, përfshi pajisjet më elementare.

Pajisjet: Vijojnë shpenzimet e luksit. Administratori i ri premtoi të kundërtën “CEZ Shpërndarje” porosit 150 iPhone 5 për shefat
Struktura e re e CEZ përbëhet nga 10 drejtori rajonale dhe katër divizione sipas sektorëve
Kreu i CEZ kërkoi një pagë 5 mijë dollarë, por ERE miratoi nivelin e 3500 dollarëve
Kur Sahit Dollapi prezantoi strategjinë e tij bashkë me CV, si kandidaturë për drejtimin e “CEZ Shpërndarje”, një prej pikave kryesore ishin shpenzimet e luksit, që sipas tij kishin rrënuar shoqërinë nën drejtimin e çekëve.
Pasi fitoi garën e lançuar nga ERE mes 5 konkurrentëve, Dollapi nisi fushatën në drejtoritë rajonale, duke evidentuar problemet e kompanisë dhe çfarë do të bënte më mirë. Sipas tij, të ardhurat që krijonte CEZ nga faturimet nuk shkonin për investime, por për shpenzime luksi, për paga të majme, shpërblime, makina, dieta, etj., ndërsa tani e tutje do të ndodhë e kundërta.
Si fillim, kur mori detyrën, kreu i ri i CEZ-it kërkoi të kishte një pagë mujore prej 5 mijë dollarësh, por ERE e refuzoi dhe vendosi ta kishte 3500 dollarë. Çështja e pagave ishte diskutuar më herët nga qeveria, duke kritikuar çekët.
Struktura e re krijoi 10 drejtori, kur më parë ishte e ndarë në tre rajone, të decentralizuar, me detyra të ndara. Së fundmi, mësohet se “CEZ Shpërndarje” ka porositur 150 celularë të markës iPhone 5, modeli i fundit “smartphone”, ku një copë kushton të paktën 500 euro. Aparatet do të përdoren për shefat e kompanisë dhe për të qenë sa më afër me shërbimet e fundit, kanë menduar se një markë e tillë do t’ju bëjë punë.
Por drejtues të CEZ sqarojnë se malli ishte porositur me kohë dhe se furnizimi përkon me këtë periudhë. Aparatet do të ofrohen nga një kompani e vetme, sipas kontratës dhe vlera arrin 75 mijë euro, pra jepen me çmim preferencial.
Kompania numëron rreth 4500 punonjës dhe një hierarki drejtorësh prej të paktën 15 vetash, 10 rajonalë, katër të divizioneve dhe një administrator.
Në kohën kur CEZ drejtohej nga çekët, opozita akuzoi se drejtuesit e kompanisë merrnin paga të majme, ku drejtori kryesor paguhej me 60 mijë euro në muaj. Në fakt, paga reale e tij ishte shumë herë më e vogël se kaq, por diferenca jepej nga Praga, si politikë që ndjekin korporatat për degët që disponojnë.
Nëse CEZ Shpërndarje është marrë nga shteti për qëllime politike, atëherë sistemi mund të rrezikojë më keq se çekët e lanë në muajin janar. Nëse pyetja shtrohej se çfarë ndodhte me 25 milionë euro të faturuara në muaj, tashmë misteret vërtiten rreth hartimit të bilancit dhe vërtetësisë së shifrave. Në ditët e ardhshme administratori i përkohshëm shtetëror do të dalë në konferencë për shtyp për të shpalosur rezultatet e dy muajve të parë të punës.

Privatizimet: Të ardhurat, 1.7 miliardë lekë
“Open Data Albania” ka kryer një hulumtim mbi të ardhurat nga procesi i privatizimeve gjatë viteve 2010-2013 në vendin tonë, duke iu referuar parashikimeve në buxhetin fillestar dhe realizimit faktik për këtë zë. Për vitin 2013, pavarësisht përpjekjeve për finalizimin e disa privatizimeve strategjike, janë parashikuar vetëm 500 milionë lekë të ardhura nga ky proces.
Viti 2012 është viti me nivelin më të lartë të të ardhurave faktike nga privatizimi për periudhën e marrë në shqyrtim. Nga 300 milionë lekë të parashikuara, ato arritën në 880 milionë lekë apo rreth 3 herë më shumë. Ndërkohë, vitet 2010 dhe 2011 shënojnë nivele relativisht të ulëta të të ardhurave nga privatizimi, përkatësisht 411 milionë lekë dhe 438 milionë lekë. Megjithatë, duhet theksuar se këto shifra janë gjithsesi më të larta sesa nivelet e parashikuara në buxhetin në fillim të vitit. Në total, të ardhurat nga privatizimi për vitet 2010-2012 kanë rezultuar 1 737 milionë lekë, duke bërë që rreth 99% e deficitit të kësaj periudhe të financohet me borxh të brendshëm apo të jashtëm. Krahasuar me vitet e mëparshme, sidomos me vitet 2000-2001 apo 2004-2009, periudha gjatë të cilave të ardhurat nga privatizimet shkuan gjithsej në rreth 67 miliardë lekë, të ardhurat për vitet 2010-2012 paraqiten vërtet modeste.

Gazeta Shqip, 08.03.2013