Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Përse e ndryshoi 2 herë Genc Ruli këtë kontratë?

Historia e një koncesioni që zë fill që prej vitit 2002. Si ndryshuan kushtet dhe parametrat kryesorë të kontratës duke e modifikuar atë dy herë, në 2007 dhe në 2009. Ministri Ruli ndryshoi kushtet e kontratës duke shmangur garën dhe procedurën ligjore që i imponon ligji i ri për koncesionet…
Ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli duket se ka shkelur ligjin tre herë rresht duke modifikuar në mënyra dhe kohë të ndryshme kontratën e koncesionit me një kompani hidroenergjitike shqiptaro-italiane. E gjithë historia fillon në vitin 2002, kur me vendimin e qeverisë nr.467 datë 03/10/1002 kompanisë shqiptaro-italiane “Essegei Spa“ i jepen me koncension 25 hidrocentrale vendore të vegjël me fuqi totale 8490KV për prodhim të energjise elektrike 38.21 milionë kvh/vit. Kjo kontratë koncesioni parashikonte që nga ana e kompanisë të kryhej vlera e investimit në masën e 8 milionë e 636 mijë euro dhe afati për kryerjen e investimeve të ishte brenda vitit 2008. Ky vendim qeverie është i botuar në fletoren zyrtare nr 59 në muajin Tetor 2002. Kjo kontratë është lidhur nëpërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë private bazuar në atë që njihet si ligji i vjetër i koncesioneve, i hartuar që prej vitit 1995. Por ky ligj është shfuqizuar në vitin 2006, kohë kur erdhi në pushtet qeveria Berisha dhe shpalosi projektin e ri për koncesionet duke miratuar një ligj të ri, ishte pikërisht koha kur shqiptarët nisën të dëgjonin nga qeveria për Shqipërinë 1 Euro.
Ndërhyrja e parë
Në vitin 2006 ndryshoi dhe ligji për koncesionet ndërsa një vit më vonë, Ministria e Ekonomisë çoi në qeveri propozimin për ndryshimin e termave të kontratës koncesionare me kompaninë italiane. Kjo kontratë u ndryshua me vendimin e qeverisë nr. 148 datë 22 mars 2007 Me këtë ndryshim kontrate rezulton se është modifikuar fuqia dhe vlera e fuqisë së përgjithshme të hidrocentraleve  duke e çuar atë në 15.240KV, pra gati dyfish në krahasim me kontratën e parë, gjithashtu kishte ndryshuar dhe koifiçenti i prodhimit të energjisë elektrike në 60.45 milionë kvh/vit, ndërsa vlera e investimit u përcaktua 10 milionë e 661 mijë euro. Si afat i modifikuar për kryerjen e investimeve u parashikua viti 2009. Ky vendim qeverie për modifikimin e parë të kësaj kontrate është i botuar ne fletoren zyrtare nr 41 të vitit 2007. Por mbi ç’bazë ndryshoi dhe u modifikua kontrata?! Ligji i ri i koncesioneve, pra ligji i vitit 2006, e sqaron më së miri këtë pjesë pasi në nenin 35 të këtij ligji shkruhet e zezë mbi të bardhë se: “Ky ligj nuk zbatohet për kontratat e koncesionit, të nënshkruara para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kontratat nuk mund të ripërsëriten ose të shtyhen, veçse në përputhje me dispozitat e këtij ligji”. Por me ndryshimin e bërë në vitin 2007, Ministria e Ekonomisë dhe ministri Genc Ruli kanë ndryshuar fuqinë, prodhimin, si vlerën e investimeve dhe vitin e kryerjes së investimeve gjë që nuk e lejon paragrafi i dytë i nenit 35 të ligjit për Koncesionet i cili përcakton se  “Kontratat nuk mund të ripërsëriten ose të shtyhen, veçse në përputhje me dispozitat e këtij ligji”. Nëse qeveria do të respektonte ligjin e ri për koncesionet, ministri Ruli do të duhej të zhvillonte tender të hapur për shtesën e fuqisë dhe tregusesit e tjerë në perputhje me kërkesat e këtij ligji. Rritja e fuqisë ka kërkuar që të merret më shumë ujë nga HEC-et respektive që po merreshin me koncesion, e për më tepër duhej të bëhej dhe pagesë shtesë koncesionare në favor te shtetit.
Ndërhyrja e dytë
Por nuk ishte e thënë që shkeljet dhe modifikimet e kontratës koncesionare të përfundonin me ndërhyrjen e parë në kontratë. Një modifikim i dytë ka ndodhur edhe në vitin 2009. Me vendim qeverie me numër 930 datë 02 Shtator 2009 Ministria e Ekonomisë e ndryshoi përsëri kontratën koncensionare. Ndërhyrja e re në kontratë ulte numrin e hidrocentraleve nga 25 në 22 hidrocentrale duke e ulur fuqinë e përgjithshme në 14.440KV, prodhimin e energjise elektrike  e modifikoi në shifrën e 57.73 milionë kvh/vit, ndërsa vlerën e investimit e reduktoi në 9.916 milionë euro e njësoj si në ndërhyrjen e parë, e shtyu afatin e përfundimit të investimit deri në vitin 2010. Ky vendim që zbardh ndërhyrjen për herë të dytë në kontratë është i botuar në fletoren zyrtare nr 142 të vitit 2009. Sërish edhe në ndërhyrjen e dytë në kontratë ministri ka modifikuar dhe ndryshuar parametrat e fuqisë, prodhimit, investimit dhe afatit të realizimit, në kundërshtim të hapur me ligjin e ri për koncesionet, duke shmangur garën dhe përfitimet publike që sjell gara për çdo ndryshim kontrate, sikundër e imponon dhe ligji.
Ruli u hetua për koncesionin e kromit
Ish-Ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë, Genc Ruli, pak para se të lërë këtë detyrë ka toleruar koncesionarin austriak, “ACR”, pa vënë në dijeni institucionet kompetente. Kontrata që quhet të kalonte më parë te Kuvendi i Shqipërisë është ndryshuar nga ministri i atëhershëm, Ruli, duke rishikuar afatet e investimeve, pa dijeninë e ligjvënësve, ndërsa veprimi i dytë lidhet me tolerimin që iu bë kompanisë lidhur me pagesën e penalizimeve, kompetencë kjo e ministrit të Financave, Bode. Për këtë veprim të ministrit prokuroria nisi dhe një hetim vitin e kaluar dhe sikundër e kërkon “zakoni” i prokurorisë në të atilla raste në Shqipëri, hetimet u pushuan. Koncesioni i parë që u dha ishte në vitin 2001.
Fillimisht ishte kompania italiane “DARFO”. Por, pas disa vitesh, ku vetëm shfrytëzoi rezervat pa bërë asnjë investim, “DARFO” e shiti koncesionin te një tjetër kompani e huaj, austriakes “ACR”. Dhe historia duket se përsëritet. Koncesioni i votuar në Kuvend, detyronte qartë “ACR”-në që deri në fund të vitit 2010 duhet të kishte investuar të paktën rreth 22 milionë euro, për të rinovuar teknologjinë dhe për të përmirësuar kushtet e sigurisë në punë. Genc Ruli, pak ditë para se të lërë detyrën e tij në vitin 2009, ndryshon programin e investimeve të minierës së kromit, pa e kaluar marrëveshjen në Kuvend. Në datën 7 korrik të vitit 2009, kompania “ACR” i drejtohet zyrtarisht ministrisë, duke kërkuar shtyrjen e afatit të investimeve. Vetëm dy ditë më vonë ish-ministri Ruli firmos marrëveshjen duke shtyrë mbi 13 milionë euro investime për vitet 2009-2013, edhe pse sipas marrëveshjes investimet duhet të ishin kryer sakaq. Asokohe, në minierë dhjetëra punëtorë humbnin jetën. Por ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli e kishte rritur edhe më shumë dozën e lehtësive për kompaninë “ACR”.

Gazeta Dita, 06.03.2013