Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Beqaj publikon performancen e sektorit te energjise ne Kosove

Krahasuar me vitin 2010 kemi rritje të  fitimit të Ndërmarrjeve Publike për 11.8 për qind, pra krahasuar me vitin paraprak kemi një performancë më të mirë, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj para Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike duke prezantuar Raportin mbi Performancën e Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2011.
Ministri Beqaj saktësoi se Raporti që ka para vetes Komisioni, është bazuar në raportet e Auditorit të Jashtëm, zyrat e rregullatorit dhe Raportit Vjetor të NP-ve dhe aty ku ka pasur mospërputhje është marrë parasysh mendimet e rregullatorit.
“Ky raport përmban performancën operative që flet për  rezultatet, efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve nga këndvështrimi ynë përmban perfomancën financiare që flet për qarkullimin, shpenzimet dhe profitet për qeverisjen e korporatave, funksionimin e bordeve, llogaridhënien dhe planifikimin e biznesit që duhet të bëjnë, dhe normalisht të adresojmë edhe perspektiven dhe sfidat për të ardhmen”, tha ai.
Beqaj, tha se kjo nuk është gjendja më e mirë e mundshme, por ky përmirësim është duke ndodhur falë llogaridhënies që është instaluar, falë rregullit dhe monitorimit e funksionimit që është instaluar.
Sipas tij, në këtë kontekst dy kompani kanë rritur ndjeshëm fitimet e tyre financiare, dy kompani janë kthyer në kompani fitimprurëse që kanë pasur humbje, ndërsa 7 kompani kanë zvogëluar humbjet, duke shënuar progres në adresimin e çështjeve të tyre.
Sektori i energjisë
Sa i përket sektorit të energjisë, Beqaj tha se ka shumë probleme që janë të natyrës që Kosova ka nevojë për diku rreth 1300 megavatë në kohën e pikut dhe përkundër se prodhohet rrymë gati 100 për qind nga kapacitetet e instaluara, kjo nuk është e  mjaftueshme.
“Sipas raportit kemi prodhim të qymyrit më shumë dhe më mirë nga viti paraprak, kemi prodhimin e rrymës që është pakrahasimisht më mirë nga viti paraprak, kemi reduktim të humbjeve komerciale dhe teknike, është rritur inkasimi dhe janë ulur humbjet e transmisionit për 0.32 për qind dhe është rritur kapaciteti i transformatorëve  nga 1500 megavat orë në 1800 megavat orë”, tha kreu i MZHE-së.
Beqaj më tutje tha se subvencionimi në këtë sektor ka shkuar në favor të qytetarëve, kur dihet se para 3 viteve kishim 40 milionë subvencione, këtë vit kemi vetëm 11 milionë subvencione, ndërsa ka 25 milionë euro investime në përmirësim të ambientit nga mjete vetanake të KEK-ut dhe nuk ka asnjë biznes që ankohet për mungesë kronike të energjisë gjë që dëmton ekonominë.
“Dimri i vitit 2011 dhe hyrja në 2012 ka qenë ndër vitet më të rënda energjetike në rajon dhe ne nuk kemi pasur shkëputje të energjisë. Në treg energjia është tregtuar jo më shumë se 200 megavat dhe çmimi ka arritur në 300 euro për megavat, që është mbi mesataren tonë që është diku 100 euro, pra flasim për përmirësim të performancës”.

energjia.al, 07.03.2013