Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rihapet hetimi, CEZ fryu faturat, mashtroi Tatimet

Prokuroria e Tiranës rihap hetimet ndaj kompanisë “CEZ” për abuzime me miliona euro në mbledhjen e detyrimeve nga debitorët e saj në Shqipëri. Me urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme, Njësia Task- Force ka rinisur hetimin për një skemë abuzimi nga kompania “CEZ” gjatë kohës që ajo ka ushtruar aktivitet nën drejtimin e pronarëve çekë. Sipas hetimeve të deritanishme, abuzimi ka ndodhur në dy drejtime: në dëm të qytetarëve dhe të organeve tatimore. Pasoja e parë e ardhur nga veprimet e kompanisë “CEZ” ka qenë mbifaturimi ndaj qytetarëve në mënyrë të qëllimshme dhe të përsëritur, ndërsa pasoja që i ka ardhur shtetit ka qenë deklarimi i pasaktë pranë organeve tatimore. “Nga shqyrtimi i materialeve në dosje ka rezultuar se kompania ‘CEZ’, e cila filloi të administrohej zyrtarisht nga më 30 mars 2009, e ka nisur aktivitetin e saj me një numër të madh faturash të papaguara nga individët, bizneset dhe institucionet. Edhe pas vitit 2009, CEZ nuk ka arritur të likuidojë detyrimet që kishte gjetur, por në vazhdimësi ka krijuar detyrime të tjera që nuk janë paguar”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, duke qenë se vlera e detyrimeve të papaguara ishte e konsiderueshme, në vitin 2010 CEZ nënshkroi një kontratë me një kompani të dytë, e cila u zotua të mblidhte detyrimet që qytetarët, bizneset dhe institucionet kishin krijuar me faturat e prapambetura të energjisë elektrike. Organi i akuzës beson se pikërisht këtu ka nisur abuzimi, që mund të shkojë deri në 3-4 milionë euro.
ABUZIMI
Në dosjen e Prokurorisë janë mbledhur prova që tregojnë se CEZ nënshkroi kontratë me kompaninë e dytë, duke i premtuar asaj 50 për qind të vlerës në rast mbledhjeje të detyrimeve të papaguara. Kështu, kontrata parashikonte se në rast arkëtimi të një shume p.sh. 100 mijë lekë të rinj, 50 për qind shkonin për CEZ dhe gjysma tjetër për kompaninë e nënkontraktuar, me qëllim mbledhjen e detyrimeve nga debitorët. Abuzimi me organet tatimore ka ndodhur pikërisht në këtë rast, pasi CEZ e ka deklaruar si investim nga arka e saj 50 përqindëshin që i ka lënë kompanisë me të cilën firmosi për mbledhjen e faturave të prapambetura. Mënyra e dytë e abuzimit ka qenë direkt në dëm të qytetarëve. Sipas hetimeve, CEZ ka rritur fiktivisht shumat e detyrimit në fatura, duke nxitur në këtë mënyrë mospagimin e tyre në kohë nga qytetarët, bizneset dhe institucionet. “CEZ ka krijuar pengesa në shumë raste të qëllimshme për shlyerjen e faturave me anë të rritjes fiktive e të pashpjegueshme të tyre, por edhe me anë të mosdërgimit në adresë apo mosnxjerrjes në kohë të të dhënave, duke u bërë shkak për tejkalimin e afatit dhe rezultimin e qytetarëve si debitorë”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, pas kësaj ka ndodhur hyrja në lojë e kompanisë që ishte kontraktuar për mbledhjen e detyrimeve të prapambetura. Cikli i abuzimit ka vazhduar me vite, ndërsa çështja ka mbërritur në Prokurori në vitin 2012. Pas më shumë se një viti, Njësia Task- Force ka rinisur hetimet në lidhje me skandalin.

Burimi: http://www.panorama.com.al/2013/02/24/rihapet-hetimi-cez-fryu-faturat-mashtroi-tatimet/#ixzz2LpNkR8xw