Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

METE thyen ligjin hapur me 4 miniera të bakrit

Çfarë ka ndodhur në Ministrinë e Ekonomisë me tenderin për dhënien e të drejtave të shfrytëzimit minerar për katër miniera të bakrit në Fush-Arrëz, Palucë, Tuc dhe Qaf-Bari. Fituesi anullohet 4 muaj pasi ishte shpallur.
Në Nëntor të vitit 2011 Ministria e Ekonomisë zhvilloi tenderin për dhënien e të drejtave të shfrytëzimit minerar për katër miniera të bakrit në Fush-Arrëz, Palucë, Tuc dhe Qaf-Bari. Në këtë konkurim morën pjesë disa shoqëri, shqiptare dhe të huaja. Pas shqyrtimit të ofertave, komisioni përkatës në Qershor 2012, shpalli fitues një kompani turke me emrin BERALB S0HA.
Duke qënë se asnjë nga kompanitë e tjera pjesmarrëse në këtë garë nuk paraqiti ankim në lidhje me këtë vendim, shoqëria e sipercituar, priti që të merrte njoftimin e shpalljes së fituesit nga ministri Haxhinasto. Sipas ligjit ky njoftim do të duhej të dërgohej jo më vonë se 20 ditë nga data e vendimit të komisionit të vlerësimit të ofertave.
Pasi kaluan më shumë se 20 ditë, rreth 4 muaj më pas, në Tetor 2012 ministri Haxhinasto njofton se janë anulluar procedurat e tenderit dhe se pa asnjë procedure konkurruese të katër këto miniera ja jep shoqërisë kanadeze “Tirex Exploration”.
Ky akt i ministrit Haxhinasto është plotësisht dhe haptasi në kundërshtim me ligjin. Anullimi i procedurave të tenderit, pasi ishte shpallur fituesi, bërë kjo pas 4 muajve pasi ishte bërë kjo shpallje, përbën një skandal ligjor. Shoqëria BERALB SHA, e kundërshtoi këtë akt të ministrit Haxhinasto në Komisionin e Prokurimit Publik. Komisioni i Prokurimit Publik vendosi në Nëntor të vitit 2012 pezullimin e procedurave të mëtejshme në lidhje me këto katër miniera, derisa të përfundonte shyrtimin e ankimit të shoqërisë në fjalë.
I ndërgjegjshëm për thyerjen e rëndë të ligjit, ministri Haxhinasto për më shumë se 3 muaj refuzoi të dërgonte në Komisionin e Prokurimit Publik dokumentet përkatëse të kësaj procedure tenderuese, dokumente të cilat u kërkuan nga Komisioni. Vetëm pas paralajmërimit për marrjen e sanksioneve ministari u detyrua të dërgonte dokumentet në fjalë.
Nga ana tjetër, megjithëse Komisioni i Prokurimit Publik kishte urdhëruar pezullimin e procedurave për lejet për këto miniera, Ministria e Ekonomisë në Janar 2013 pajisi me lejet përkatëse minierare për shfrytëzimin e këtyre katër minierave, kompaninë “Tirex Exploration”.
Në datën 22 Janar 2013, Komisioni i Prokurimit Publik vendosi që të pranojë ankimin e shoqërisë BERALB SHA dhe urdhëroi Ministrin e Ekonomisë që të anulloj vendimin për anullimin e procedurës së tenderit për lejet minierare të minierave dhe për dhënien e këtyre lejeve kompanisë “Tirex Exploration”.
Gjithashtu Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur që Ministri i Ekonomisë të vazhdojë procedurat e konkurrimit dhe të shpallë fitues kompaninë BERALB SHA. Komisioni ka vendosur që ndaj personave që janë përgjegjës për këto shkelje të merren masa ndëshkuese administrative.
Megjithëse kanë kaluar tashmë shumë ditë nga data e marrjes së vendimit nga Komisioni i Prokurimit Publik, ministria e Ekonomisë akoma nuk e ka zbatuar këtë vendim të këtij Komisioni edhe pse ky vendim është i detyrueshëm për tu ekzekutuar menjëherë.
Qëndrimi i Ministrisë së Ekonomisë është shprehje e qartë e interesave joligjore dhe korruptive. Ky institucion në mënyrë arbitrare anullon një tender për një pasuri publike, pasi ka shpallur edhe fituesin e tij dhe pa asnjë garë ja jep këtë pasuri një subjekti tjetër, i cili as formalisht nuk mori pjesë në këtë tender.

Gazeta Dita, 24.02.2013