Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rikthehet hidrocentrali i Banjës, rreth 1500 hektarë pyje dhe kullota së shpejti nën ujë

Rikthehet hidrocentrali i Banjës. Rreth 1421,39 hektarë pyje parashikohet të përmbyten së shpejti nga liqeni, që do të krijohet si rezultat i ndërtimit nga shoqëria “Devoll Hydropoëer”, sh.a., të hidrocentraleve të Banjës, Koklit dhe Moglicës, në kaskadën e lumit Devoll. Në bazë të ligjit të miratuar në Kuvend në fund të janarit, botuar dje në Fletoren Zyrtare, kjo sipërfaqe pyjore që ndodhet në zonat Gostimë – Koprrik, Mollas, Galigat – Strorë, Gramsh – Vinë, Vidhan – Skënderbegas, Darëzezë – Sult dhe Dushku i Bulçarit të qarkut të Elbasanit, si dhe Lavdar – Opar, Voskopojë, Lozhan dhe Moglicë të qarkut të Korçës, do të hiqen nga Fondi Pyjor dhe Kullosor Kombëtar dhe çregjistrohen nga kadastra kombëtare e pyjeve. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pasi të përcaktohen nga drejtoria përkatëse e shërbimit pyjor, në bashkëpunim me njësinë e qeverisjes vendore në terren dhe në hartë, kufijtë e rinj të Fondit Pyjor dhe Kullosor Kombëtar, që rezultojnë nga heqja e sipërfaqeve të këtyre ngastrave, do të bëjë çregjistrimin e saj nga kategoria “Tokë e zënë, kullotë” dhe “Tokë e zënë, pyll” dhe do ta regjistrojë në sipërfaqe ujore (liqen) dhe truall për ndërtimin e HEC-eve, në pronësi publike. Ndërkaq, shoqëria “Devoll Hydropoëer”, sh.a., brenda 3 viteve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të duhet të pyllëzojë me fondet e veta, një sipërfaqe prej 1347,8 hektarë me pyje dhe të përmirësojë një sipërfaqe prej 73,6 hektarë kullotë, në ngastrat e përcaktuara nga drejtoria përkatëse e shërbimit pyjor, në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore.
Historia e hidrocentralit të Banjës
Hidrocentrali i Banjës u studiua dhe u projektua nga inxhinierët e Institutit të Studimeve e Projektimeve Nr. 3 të Tiranës. Ai nuk u quajt thjesht hidrocentral i Banjës, mbasi vepra nuk ishte vetëm për të prodhuar energji elektrike, pa e ndotur mjedisin, por rëndësi vepra do të kishte edhe për zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri. Dhe prandaj u quajt kompleksi hidroenergjetik i Banjës, vepër e cila filloi të ndërtohej më 15 qershor 1986. Kompleksi hidroenergjetik i Banjës, që do ndërtohej mbi lumin Devoll rreth 25 km. larg qytetit të Elbasanit dhe rreth 15 km. larg qytetit të Gramshit, përveç përfitimeve ekonomike ka avantazhet e tija në ekologji. Ky hidrocentral i përbërë nga dy grupe veprash, i parë me syrin e ekologut cilësohet si një vepër e mirëfilltë ekologjike për dy arsye kryesore: Së pari, përfundimi i tij do të prodhonte 250 milionë kilovat/orë energji elektrike në vit pa e ndotur mjedisin. Së dyti, përveç prodhimit të energjisë elektrike ky hidrocentral me basenin e tij do të shfrytëzohej dhe për të ujitur tokat e zhuritura nga nxehtësia e verës, duke hapur rrugën e krijimit të fermave ekologjike me perspektivë në zhvillimin e agroturizmit. Në vitin 1990 punimet në hidrocentralin e Banjës kishin arritur në 50%. Zhvillimet e reja Demokratike, bënë që Banja të mbetej peng i ndryshimit të sistemeve. Në vitet e tranzicionit hidrocentrali i Banjës iu nënshtrua shkatërrimeve duke shtuar këtu edhe faktorët natyralë. Shumë vite më vonë, Ministria e Ekonomisë, me datën 21 nëntor 2007 është zhvilluar tenderi për shfrytëzimin me koncesion të rezervës hidrike të lumit Devoll. EVN AG, Statkraft AS dhe Devoll Hydropoëer kanë nënshkruar një marrëveshje koncesioni që në 2009 për projektimin, financimin, ndërtimin, pronësinë, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e Projektit Hidroenergjetik mbi lumin e Devollit. Ndërtimi i hidrocentraleve është planifikuar të nisë në vitin 2013 dhe do të zgjasë në total rreth 6 vite. Hidrocentrali i parë do futet në operim në vitin 2016 dhe i fundit në vitin 2019.

Gazeta Sot, 21.02.2013