Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Enti, skemë të veçantë për nxjerrjen nga borxhet CEZ-in

ERE bën publike, sistemin e borxheve të CEZ-it në sektorin energjetik.
Enti Rregullator i Energjisë bën publike për herë të parë sistemin e borxheve në sektorin energjetik.
Anëtarja e bordit të ERE-s, Entela Shehu, shprehet gjatë një prononcimi për mediat se, çekët e CEZ, pas ikjes së tyre kanë lënë gjithsej 300 milionë euro borxhe, të cilat ia kanë KESH-it dhe OST-së. Për momentin, kompania e Shpërndarjes së Energjisë edhe pse është nën administrimin shtetëror ndodhet në vështirësi të mëdha financiare, ku çdo para që arkëtohet nga shitja e energjisë me pakicë te konsumatori, ekzekutohet nga përmbarimi për llogari të kompanive të cilave ju detyrohet.
Një nga problematikat që Enti Rregullator po diskuton në mënyrë intensive këto ditë është edhe çështja e importit të energjisë për pjesën e humbjeve në rrjet, të cilat kesh detyrohet t’i kryejë deri në 1 mars.
“Varianti më i vlefshëm është që CEZ të nisë importin në 1 mars, por nuk dihet ende se si do të zgjidhet sistemi i borxheve në këtë mënyrë ne do të detajojmë një fond të veçantë që të shkojnë për mirëmbajtjen dhe furnizimin me energji për pjesën që modeli i tregut detyron kompaninë e shpërndarjes…”, nënvizon më tej Shehu.
Sipas saj, situata në sektorin e shpërndarjes së energjisë është mjaft problematike, sidomos përsa i përket amortizimit të rrjetit dhe pajisjeve të mirëmbajtjes, ku sipas ERE-s konstatohen vazhdimisht ndërprerje të energjisë në zona periferike për shkak të mungesës së investimit në këtë sektor.
Ndërkohë, edhe vetë Administratori i më i ri i CEZ Shpërndarje, Sahit Dollapi është zotuar disa ditë më parë se nuk do të lejojë asnjë shkelje ndaj konsumatorëve të energjisë elektrike.
Pak më parë, Enti Rregullator i Energjisë miratoi organigramën e re të punonjësve, propozuar nga zoti Dollapi.
Bordi i ERE-s miratoi edhe pagën e administratorit shtetëror të CEZ-it, e cila do të jetë në nivelin e 300 mijë lekëve.
Abuzimet me faturat e energjisë, të patolerueshme
Abuzimet me faturat e energjisë elektrike ndaj konsumatorit nuk do të tolerohen dhe do të merren masa të rrepta për ndëshkimin e shkelësve.
Kështu është shprehur administratori i përgjithshëm i “CEZ Shpërndarje”, Sahit Dollapi, gjatë prezantimit të administratorit për zonën e Tiranës, Sulejman Lame.
Sipas administratorit, në menaxhimin e ri të kompanisë, punonjësit do të vlerësohen në bazë të rezultateve që do të arrijnë.
Ai kërkoi normalizimin brenda dy muajve të situatës së furnizimit me energji në të gjithë territorin e vendit.
Kompania e furnizimit me energji elektrike ka kaluar prej një jave nën administrimin shtetëror për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale dhe abuzimeve të shumta në dëm të konsumatorit.
Vetëm gjatë këtij muaji, ankesat e qytetarëve pranë ERE për cilësi të dobët shërbimi dhe dëm të shkaktuar ndaj pajisjeve elektroshtëpiake janë trefishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Premtime për kontrolle më të shpeshta
Kompania e furnizimit me energji elektrike, “CEZ Shpërndarje” do të mund të ushtrojë kontrolle më të shumta në terren falë ndryshimit të strukturës së menaxhimit.
Bordi i komisionerëve të ERE ka miratuar ndryshimet strukturore, që parashikojnë ndarjen në 6 zona në të gjithë Shqipërinë të funksionimit të kompanisë.
Kështu, administratori i zonës do të jetë përgjegjës për uljen e humbjeve dhe mirëmbajtjen e rrjetit, rritjen e arkëtimeve dhe kryerjen e investimeve.
Kreu i ERE, Sokol Ramadani, tha se kjo mënyrë menaxhimi do të rrisë kontrollet, duke përmirësuar situatën dhe do të ulë abuzimet ndaj qytetarëve.
Menaxhimi i kompanisë nuk do të jetë më i përqendruar në zyrën qendrore në Tiranë, por çdo administrator do të jetë përgjegjës për njësinë e tij.

Gazeta Rilindja Demokratike, 21.02.2013