Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Dhjetëra maune me mazut futen në Kosovë pa taksë doganore

Dhjetëra maune me mazut janë futur muajt e fundit në Kosovë si produkt final i rafinerisë së naftës OKTA në Maqedoni, pa paguar taksën doganore, ndërsa dyshohet se origjina e këtij produkti është Greqia.
Bazuar në marrëveshjen për tregti të lirë CEFTA, Kosova nuk e aplikon taksën doganore prej 10 për qind për importet nga Maqedonia, vend ky në të cilin operon rafineria OKTA, shkruan “Koha Ditore”. Vlera e mazutit që është importuar në bazë të burimeve të gazetës arrin në rreth 3 milionë euro. Nga kjo vlerë, importuesi obligohej të paguante mbi 300 mijë euro taksa.   
Zyrtarë të Doganave të Kosovës i kanë konfirmuar informacionet e gazetës. Adriatik Stavileci, zëdhënës i këtij institucioni, ka thënë se Dogana është duke vazhduar hetimet për këtë rast, përderisa në bazë të hetimeve të zhvilluara deri më tani, kompanisë importuese i është caktuar një masë e pagesës së taksave. Bazuar në gjetjet e hetuesve doganorë, pas verifikimit të dyshimeve, Dogana ka lëshuar vendimet për rimbursimin e 10-përqindëshit të taksës doganore për importimin e mazutit. Sipas Doganave, pjesa tjetër e taksave, akciza në importim dhe tatimi mbi vlerën e shtuar, i është paguar mazutit të importuar gjatë procesit të futjes në kufi.
“Një kompani importuese ka deklaruar produktin mazut me origjinë të Maqedonisë për të përfituar të drejtat preferenciale, mospagesën e taksës doganore prej 10 për qind, porse në të kundërtën ai produkt ka pasur origjinë nga një vend tjetër, jo anëtar i CEFTA-s”, ka thënë Adriatik Stavileci.
Sipas tij, pas verifikimeve të bëra, Dogana e Kosovës ka lëshuar vendimet për rimbursimin e taksave për të gjitha importet e bëra nga kompania e njëjtë. Gazeta ka mësuar se importuesi i sasisë së mazutit ka qenë kompania e tregtimit të derivateve të naftës EXFIS nga Prishtina.
Gazeta ka vënë kontakte me njërin prej përfaqësuesve të kompanisë importuese të mazutit. Remzi Muharremi, përfaqësues i kompanisë EXFIS, nuk ka dhënë shumë sqarime në lidhje me arsyet e pagesës së taksës doganore.
“Dogana e ka përcaktuar dhe na ka vendosur një pagesë shtesë. Është fjala për mazutin që është importuar prej OKTA-s. Dogana e ka pa të arsyeshme të paguhet ajo shtesë dhe ne nuk kemi ndonjë problem tjetër”, ka thënë Muharremi.
Pagesën e borxhit të përcaktuar sipas vendimit e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Doganave të Kosovës.
“Kompania nuk ka bërë ankesë, pra ka pranuar vendimin e Doganës. Sipas vendimit të Doganës, borxhi total i kompanisë ishte 326 mijë e 240 euro. Pas pranimit të vendimit, kompania ka filluar të bëjë pagesën dhe deri më tani ka paguar shumën prej 211 mijë e 218 eurove”, ka thënë Adriatik Stavileci.
Ngrohtoret e qyteteve janë konsumuesit më të mëdhenj të mazutit. Përveç këtyre, e njëjta lëndë përdoret edhe nga korporatat dhe fabrikat e industrisë më të rëndë.

Gazeta Koha Ditore, 22.02.2013