Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bullgaria, një tjetër dhimbje koke për CEZ

Kompania ndodhet nën presion, teksa pas Shqipërisë problemet e saj në Ballkan kanë filluar të përhapen…
Kriza e kompanisë çeke ČEZ në Bullgari arriti kulmin, kur pas protestave të shumta të qytetarëve, qeveria bullgare vendosi që në 19 shkurt t’i heqë kompanisë licencën e shpërndarjes së energjisë.
Autoritetet, komenton në një artikull të zgjeruar Prague Post, e hoqën licencën pas akuzave për shkelje të ligjeve të prokurimit, pas ankesave të zemëruara të konsumatorëve lidhur me faturat e tyre të energjisë.
Kryeministri tashmë i dorëhequr Boyko Borisov, ka premtuar ulje të çmimeve të energjisë, ndërkohë që njoftoi për heqjen e licencës, megjithëse ČEZ e quajti këtë lëvizje si një shkelje serioze të ligjeve të vendit.
“Institucioni i vetëm që ka fuqinë që të fillojë procedurën për heqjen e licencës është autoriteti i pavarur i energjisë,” tha një deklaratë e kompanisë.
ČEZ i ka mohuar pretendimet e autoriteteve bullgare për një shkelje sistematike të rregullave të prokurimit në marrëdhëniet me nën-kontraktorët.
Situata në Bullgari, një vend që zinte 10% të të ardhurave të ČEZ në 2011-n, komenton media çeke, ofron një paralele të pakëndshme me një tjetër valë të krizës së huaj me të cilën kompania është përballuar gjatë muajve të fundit: në Shqipëri, operatori i shpërndarjes ČEZ’s është zhytur në një krizë jo më pak të ashpër. Atje ČEZ Shpërndarje është shtetëzuar nga ligjvënësit dhe rregullatorët si rrjedhojë e dështimit të kompanisë për të frenuar humbjet në rrjetin e shpërndarjes.
Ditët marramendëse të fundit të viteve 2000s, kur  ČEZ po bënte blerje të fuqishme në Europën Qendrore e Lindore dhe kur synimet ambicioze ndërkombëtare shkonin deri në Rusi, duken tepër të largëta. Është një kujtim i zymtë i asaj që agjencia e vlerësimit Standard and Poor e përshkroi në raportet e fundit si “ekspozim i kompanisë në tregjet evropiane me rrezik të lartë.”
Agjencia duket se pranon një tendencë për blerje të keq-këshilluara, kur ajo sugjeronte se do të ishte më mirë që kompania “të vazhdonte të përqendrohej në biznesin e saj bazë të brendshëm dhe të kufizonte blerjet.”
Këto vende kishin pengesa të tilla, si kompania të mëdha shtetërore që nuk arrinin të paguanin faturat e tyre, që thjesht nuk ekzistojnë në Europën Perëndimore. Për me tepër industria energjetike e vendeve lindore tenton të jetë e varur në një shkallë të lartë nga ndikimi politik.
Megjithatë, kjo nuk e pengoi ČEZ të blinte aktive përtej kufirit, duke filluar nga viti 2005. Që prej asaj kohe ka investuar 72 miliardë Kč jashtë, rreth 20% të totalit të investimeve në atë kohë.
ČEZ, shumica e aksioneve të së cilës zotërohet nga qeveria çeke ka tashmë kuota të madhësive të ndryshme, më se shumti të lidhura me gjenerimin e energjisë, ose tregtimin në Shqipëri, Bullgari, Hungari, Gjermani, Holandë, Poloni, Rumania, Sllovaki dhe Turqi, dhe kuota më të ulëta në Bosnjë dhe Hercegovinë, Qipro dhe Serbi.

Revista Monitor, 21.02.2013