Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Albpetrol: Shuhet ëndrra “850 milionë euro”

Tashmë që edhe kinezët e vendit të dytë i kanë kthyer përgjigje negative Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) për privatizimin e “Albpetrol”, Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) nuk i mbetet veçse ta anulojë tenderin. Vendimi politik është marrë, nisur edhe nga fakti se vendi po shkon drejt zgjedhjeve dhe me ligj nuk lejohen privatizime në periudha fushatash, por ministrit Haxhinasto dhe ekipit të tij i duhet të bëjë manovra për të deklaruar sa më butë dështimin. Para një jave deklaroi se me “Vetro”-n dhe ofertën 850 milionë euro nuk kishte mundësi ligjore të lidhjes së kontratës dhe se ishin ftuar për negociata kinezët e “Win Business”. Kur ministri jepte këtë deklaratë, në tryezën e tij gjendej shkresa me përgjigjen negative, por me qëllimin për ta zbutur dështimin tha se do të respektohen afatet dhe rrugët e procesit. Ministri e di që edhe “Bankers” e vendit të tretë ka dhënë përgjigje negative, pra që nuk janë të interesuar për ta blerë “Albpetrol”, por edhe në rast të kundërt, METE nuk e shikon të arsyeshme ta shesë për 106 milionë euro, aq sa ishte oferta e datës 7 shtator 2012. Pavarësisht këtyre, rruga e ftesës për negociata do të ndiqet, sipas programit të punës (të KVO-së), për të arritur në muajin prill, kur opinioni do të jetë i ngarkuar me lajmet e fushatës dhe çështja e “Albpetrol” do të jetë harruar.
I ftuar në emisionin ZIP, ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto, nuk pranoi të merrte asnjë përgjegjësi për dështimin e privatizimit. Ai tha ndër të tjera se tenderi do të përsëritet nga e para pas mbarimit të zgjedhjeve, duke lënë të nënkuptuar se kapitulli “Albpetrol” dhe “Vetro” janë të mbyllur dhe bashkë me to, edhe ëndrra amerikane 850 milionë euro.
Ministri thotë se nuk ka asnjë faj ministria për dështimin pasi, sipas tij, shoqëria “Vetro” nuk pranoi të firmoste kontratën e privatizimit, duke akorduar njëkohësisht garancinë prej 20 për qind, afro 170 milionë euro. Po i kujt është faji?
Të dyja palët duket se nuk i kishin të qarta detyrimet, pra si ministria, ashtu edhe kompania e renditur e dyta. Në tetor, kur qeveria e shpalli zyrtarisht fituese, konsorciumi “Vetro Energy” ku Rezart Taçi zotëron 51 për qind të aksioneve, bëri publik planin afatgjatë të investimeve, strategjinë e zhvillimit, me vlerë 220 milionë dollarë. Si biznesmen i fushës së naftës, Taçi e njeh mjaft mirë terrenin shqiptar, mentalitetin dhe punën e të bërit të “punëve”. Ai i kishte pranuar kushtet financiare, të jepte me një këst 850 milionë eurot, gjithnjë në rast se “letrat ‘Albpetrol’” do të ishin në rregull.
Me nisjen e negociatave në javën e parë të muajit tetor, dhe më tej me hapjen e letrave, përfaqësuesit ligjorë të “Vetros” u njohën nga afër me gjendjen e kompanisë shtetërore të prodhimit të naftës. Çështja ishte se rreth 65 për qind e aseteve të kompanisë nuk ishin të regjistruara, kishin probleme dokumentacioni, etj. Kjo shërbeu si argument që kompania të mos i derdhte paratë e premtuara në tenderin e datës 7 shtator. Për çështjen e letrave të kompanisë, ministria nuk sqaroi asnjëherë në mënyrë të drejtpërdrejtë median dhe opinionin publik, por u mjaftua me deklaratën e zëvendësministrit Sokol Dervishaj se “puset nuk shiten, por jepen për përdorim”.
Qeveria kishte mundësi të shtinte në dorë paratë e konsorciumit shqiptaro-amerikan. Në rast se paratë ekzistonin apo jo, METE duhet të provonte se i kishte kryer të gjitha procedurat, pa qenë nevoja të luante me garancinë, afatet, etj., etj.
Fakti që edhe kinezët kanë kthyer një përgjigje negative, e rëndon më shumë procesin, duke e thelluar më shumë dështimin. Përmbajtja e letrës është konfidenciale, por burime të sigurta thonë se argumenti i përdorur nga “Win Business” lidhej me “klimën e papërshtatshme për të investuar”. E vetmja që ka shanse, e cila ishte ndër konkurrentët reale për të blerë “Albpetrol” ishin kanadezët e “Bankers”, por ofruan çmimin më të ulët, 106 milionë euro, afro 8 herë më pak se çmimi i “Vetro”-s. Duhet theksuar se kanadezët zotërojnë mbi 90 për qind të pasurisë së “Albpetrol” dhe nuk kishin interes të jepnin një çmim të “çmendur”.

Gazeta Shqip, 20.02.2013