Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bullgaria vendos heqjen e liçencës së CEZ. Grupi çek: Vendimi i motivuar politikisht

Pas presionit të madh publik, qeveria e Bullgarisë ka vendosur t’i heqë liçencën e shpërndarjes së energjisë elektrike kompanisë çeke CEZ. Siç raporton prestigjozja “Fox Bussines” lajmin e ka dhënë vetë kryeministri i Bullgarisë Boyko Borisov, i cili shtoi se ka vendosur gjithashtu të gjobisë tre shpërndarës të energjisë.
Përpara kësaj deklarate zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Bullgarisë tha se do të propozojë heqjen e licensës së njësisë bullgare të grupit energjitik CEZ.
Ka reaguar menjëherë CEZ, përmes zëdhënëses Barbara Pulpanova. “E konsiderojmë deklaratën e kryeministri bullgar dhe prokurorisë një shkelje të rëndë të normave ligjore në Bullgari si shtet anëtar i Bashkimit Europian”-tha Pulpanova.
Sipas saj CEZ nuk ka bërë asnjë shkelje nga ana e tij dhe se nuk ka asnjë bazë ligjore për këtë vendim të qeverisë së Bullgarisë, të cilin ajo e konsideroi të motivuar politikisht përpara zgjedhjeve parlamentare që mbahen këtë verë.
Ndërkohë CEZ ka deklaruar se vetëm Enti Rregullator i Energjisë elektrike në Bullgari ka autoritetin t’i heqë licensën dhe ky ent nuk ka marrë asnjë vendim.
Vendimi i qeverisë bullgare vjen vetëm dy ditë pasi dhjetëra mijë bullgarë protestuan në më shumë se 20 qytete të vendit kundër faturave të larta të energjisë elektrike dhe vetëm një ditë pasi policia anti korrupsion në Çeki njoftoi se ka nisur hetimet për katër marrëveshje ndërkombetare të CEZ. Në protestën e fundit 11 vetë mbetën të plagosur në kryeqytetin bullgar Sofje. Në javët e fundit madje vendi është përfshirë nga trazirat politike dhe protestat anti qeveritare çuan në largimin e ministrit bullgar të financave vetëm një ditë më parë duke shtuar presionin ndaj qeverisë. Kështu Bullgaria bëhet vendi i dytë që i heq grupit energjitik çek licensën për shpërndarjen e energjisë elektrike brenda një muaji, pasi Enti Rregullator i Energjisë elektrike në Shqipëri vendosi ti heqë liçencën CEZ-it për shkelje të kontratës.

www.balkanweb.com, 19.02.2013