Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Maksim Shuli: Krimi i madh me naftën, të ndalet urgjentisht privatizimi (flet per ARMO, Albpetrol, Bankers, Stream)

Prof.As.Dr.Maksim Shuli  është ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ish-president i Kompanisë Kombëtare të Naftës Shqiptare, ish-president i Petrolimplexit të Naftës në Shqipëri dhe ish-n.kryetar i Agjencisë Kombëtare të Energjisë për Shqipërinë. Në një intervistë të gjatë për gazetën “DITA”, inxhinieri me pervoje te gjate ne kete sektor  ka analizuar në detaje një nga proceset më të rëndësishëm të privatizimeve, atë të “Albpetrol”-it duke  nisur që më tërheqjen totale të shtetit shqiptar nga paketa kontrolluese e kësaj kompanie strategjike e duke vazhduar me copëzimin dhe privatizimin e copëzuar të “Albpetrol” dhe të “ARMO”. Në intervistë Maksim Shuli paraqet në mënyrë të detajuar dhe eksperiencat e ngjashme të privatizimit në shtete të tjera, ku duket se rasti i Shqipërisë ka shkuar shumë larg..
Profesor Maksi, nga eksperienca juaj, kur ka nisur për herë të parë privatizimi i “Albpetrol”-it?
Pas viteve 1990, sigurisht pas një sistemi të centralizuar, si kudo, edhe në naftë filluan proceset demokratike të reformimit dhe të transformimit të Kompanisë më të madhe në vend, që në atë kohë jepte rreth 25-30% të GDP-së së ekonomisë së vendit tonë. Fatkeqësisht nuk filloi si duhej. Këtë unë e kam paraqitur qartësisht në librin tim “Nafta dhe Politika”, ku tregohen me argumente se kush ka luajtur faktor negativ dhe pozitiv në atë kohë dhe situatë. Privatizimi i “Albpetrol”-it ka filluar me miratimin në Parlament të Ligjit të Hidrokarbureve në vitin 1993, në kohën kur qeveriste Partia Demokratike, e cila lejonte thithjen e investimeve të huaja nëpërmjet një kornize ligjore tashmë të përcaktuar, por që gjithsesi kishte shumë vend për t’u përmirësuar.  Kjo është edhe koha kur Albpetroli u shndërrua në shoqëri aksionere. Kjo kompani me një peshë të madhe në ekonominë e centralizuar duhet të bëhej një kompani kompatibël dhe të përballej me ekonominë e tregut të lirë, ashtu si u përballën shumë kompani simotra në vendet e Evropës Lindore, të cilat ndoshta ishin në kushte më të disfavorshme se kompania jonë.
Cila do të ishte forma më e duhur dhe pse?
Në vitet 1997-1998 kur unë personalisht kam qenë deputet dhe kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Kompanisë Kombëtare të Naftës, Albpetrol, është bërë një punë e madhe për ristrukturimin dhe përgatitjen e tij për privatizim. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se përgatitja për privatizim e një kompanie të madhe, siç ishte Albpetroli, ishte një pune e vështirë dhe me pengesa të jashtëzakonshme. Përgatitja për privatizim kërkonte vite pune të vështira, sepse ishte një nga problemet më themelore të shtyllave të ekonomisë. Pasi, në fund të fundit, do të kishte të bënte me rritjen e vlerës së shitjes të Albpetrol-it, problem që sot është aq i diskutueshëm dhe kryekëput i korruptuar, pa transparencë në publik, në Parlament dhe midis firmave të cilat sot po ofrohen për të blerë, dhe tashmë është shpallur dhe fituesi, këtë kompani strategjike për nga pesha dhe rëndësia që ajo ka në ekonominë e vendit tonë. Janë diskutuar dy variante që në vitin 1997-‘98 për ristrukturimin e kompanisë së naftës.
Mund të na jepni detaje rreth tyre?
Varianti i parë: kompania të ruante formën që kishte, të ruante aktivitetin e saj me cikël të mbyllur (up-stream and doën-stream). Kjo formë i përshtatej shumë mirë interesave të vendit tonë, por që në fakt të gjitha kompanitë simotra në vendet e Evropës Lindore ruajtën këtë formë dhe ia dolën shumë mirë mbanë, duke u bërë kompani shumë të suksesshme dhe duke kontribuar në ekonominë e vendit të tyre deri në 30% të të ardhurave.
Me këtë variant, nëse do të realizohej, ne do të kishim të ardhura maksimale dhe kompania do të ishte një kompani tepër e suksesshme në aktivitetin e saj, por për më tepër vlera e saj do të rritej së tepërmi nga pozicioni gjeografik që ne kemi, nga rezervat ekzistuese dhe ato që presim nga zbulimi i vendburimeve të reja.
E çuditshme është se pikërisht sot po ndodh ajo që po insistohej atëherë: të interesuarit që blenë “Armo”-n, po blejnë edhe “Albpetrol”-in. Lindin disa pyetje: Pse vallë kërkojnë që t’i bashkojnë përsëri tani? Dhe kur kjo pronë tashmë nuk është më pronë publike por private? Përse vallë duan t’i bashkojnë aktivitetet e këtyre dy kompanive? Përse i shpërbënë këto kompani vite më parë? A u realizua qëllimi i vërtetë i ndarjes? Cila ishte vlera që u privatizua “Armo”? Cila do të jetë vlera që në fakt do rezultojë që të shitet “Albpetrol”-i?
Varianti i dytë: Kompania jonë të ndahej në tre pjesë, pra në tre kompani: në kompaninë “Albpetrol”, në kompaninë “Armo” dhe në kompaninë “Serkom”. Ky ishte krimi më i madh që i është bërë shtetit shqiptar. Sepse ndarja e kompanive solli falimentimin për së pari të kompanisë së shërbimeve, e cila ishte e pambrojtur në atë kohë përballë ekonomisë së egër të tregut, më pas të shitjes së kompanisë “Armo” në një vlerë të papërfillshme, të cilën sot po e shikojmë se në çfarë gjendje është. Dhe çfarë është më e keqja, gjendjen e kompanisë “Albpetrol” sot, e cila po privatizohet në një kohë kur vlera e saj është nga më të ulëtat dhe kohën më të papërshtatshme, pa diskutuar këtu transparencën dhe formën e privatizimit.
Po bëhet një mashtrim i madh me këtë privatizim: Po i rritet vlera duke i shtuar licenca të pamerituara, ndoshta tepër abuzive, të cilat në një shtet me demokraci të pastër, ky veprim do të quhej kriminal. Por nafta po rikthehet në pozicionin e mëparshëm, duke u bashkuar përsëri, por duke ndryshuar edhe pronarin, sigurisht.
Kjo duhet analizuar mirë në kushtet e sotme në prizmin se: Sa kontribuon ajo në ekonominë e vendit? Sa të ardhura merr shteti sot dhe sa përfiton kompania që e zotëron? Në këto kushte sa përfiton shteti nga ky bashkim? Dhe a është në gjendje që kjo kompani që është afruar të menaxhojë këtë pasuri?
Shteti po mundohet t’i shesë 100% aksionet. A është e drejtë kjo, sipas jush?
Për mua si ekspert i naftës, që mendoj se e njoh mirë se çfarë kontributi duhet të japë ajo në ekonominë e vendit tonë dhe se çfarë kontribuon realisht, më dhemb kur shikoj që një pjesë e shokëve dhe kolegëve të mi bëhen pjesë e këtij shkatërrimi, kjo pastaj i kalon kufijtë e normales duke kaluar në anormale e në kaos. Dhe sigurisht që zgjidhja e problemit në të ardhmen do të bëhet edhe më e vështirë, kërkohen operacione të vështira dhe kosto ndoshta mjaft të larta dhe pastaj nuk i dihet se sa do të normalizohen apo do të zgjidhet problemi. Në fakt, ne kemi përvoja të hidhura për këto probleme në prishjen e kontratave, si: prishja e kontratës me kompaninë Amerikane “General Electric” për hekurudhën, kontrata me KFW gjermane, kontrata me TEC-in në Vlorë, kontrata me CEZ-in që po vete shumë keq dhe po të na hedhin në gjyq kanë për të na penalizuar shumë keq, e shumë e shumë raste të tjera. Mendoj se këtu ka dy probleme të cilat janë thelbësore:
Problemi i parë: Cila është vlera reale e kapitalizuar e Albpetrol-it? Këtu pastaj janë shumë pyetje të tjera: Përse nuk ka transparencë në këtë proces privatizimi? Si dhe pse u zgjodh kjo formulë e privatizimit dhe, a ishte kjo më e mira në interes të vendit? Pse pikërisht në këto momente po bëhet ky privatizim kur vetë kompania është pothuaj e falimentuar? Pse po i shtojnë licencat Albpetrol-it (e ashtuquajtura lista C)? Kam parasysh këtu licencën e zonave të reja të kërkimit dhe licencën e përpunimit të naftës apo licencën e ruajtjes nëntokësore të gazit? Dhe shumë licenca dhe të drejta të tjera që një zot e di, sepse siç e thashë janë në një mungesë të plotë transparencë.
Ne e dimë shumë mirë se para disa vitesh nga Albpetroli u shkëput Armo me të vetmen arsye për t’i rritur vlerën dhe për ta bërë atë me tërheqëse, por pamë se çfarë ndodhi me Armo-n, dhe po shikojmë sot që po tentojnë t’i japin përsëri Albpetrolit një Armo tjetër apo dhe ndoshta vetë Armon, sepse dihet tashmë që ajo është e falimentuar. Pse duhet që Albpetrolit t’i jepen licenca të tjera për kërkime për naftë dhe gaz? A e dinë ekspertët se këto lloj licencash jepen me lloj të tjera kontratash, një formë e të cilave është kontrata me ndarje prodhimi, dhe tashmë është më e mira dhe më përdorshmja në Evropë dhe në bot. Si ka mundësi kur dihen se këto lloj licencash janë, në fund të fundit, para për popullin, këto lloj licencash jepen falas apo për momentin “gjoja për t’i rritur vlerën Albpetrolit”, këtë nuk e përtypin dot njerëzit e thjeshtë, po le të  mençurit që ka ky vend, dhe dihet që ky vend ka prodhuar gjithmonë njerëz të mençur dhe faktikisht i ka, i ka pasur, kanë udhëhequr edhe botën dhe nuk i kanë munguar kurrë këtij vendi, kaq të etur për dituri, por të etur dhe për tradhti ndaj atdheut të tyre.
Cila duhet të ishte formula më e mirë e privatizimit të Albpetrolit?
Ne e dimë tashmë që privatizime të tilla bëhen me ligj në Parlamentin Shqiptar. Në ligj përcaktohen edhe forma e privatizimit 100% apo me përqindje aksionesh, sa do të jenë pjesëmarrës punonjësit në këto aksione, sa do të mbajë shteti apo kompania dhe shumë probleme të tjera të cilat janë të rëndësisë së veçantë dhe pikërisht ligji është për privatizim strategjik të ekonomisë së vendit.
E di mirë, por këto ligje kërkojnë një maxhorance absolute, sepse janë ligje që i përkasin themelit të ekzistencës së një shteti. Jo vetëm nafta, por edhe bakri, kromi, qymyri, uji, toka, rrugët, pyjet e shumë të tjera, janë pasuri të cilat kërkojnë që të mbrohen me ligj me dy të tretat në parlamentin shqiptar dhe të miradministrohen nga njerëzit e ditur dhe të mençur të këtij vendi, të cilët asnjëherë nuk i kanë munguar por që janë zëvendësuar gjithmonë nga pushtetarët me servilët, mediokrit, të paaftët, dallkaukët, të cilët sot dhe gjithë ditën nuk është e vështirë t’i dallosh, sepse vishen me kostum, lyejnë flokët me xhel dhe ecin me këmbë të hapura.
Mendoj se forma më e mirë për thithjen e investimeve të huaja (këtë e kam thënë edhe herë të tjera) qofshin ato private apo shtetërore është ajo e dhënies me kontrata koncesionare, por jo më shumë se 20-25 vjet. Këto lloj kontratash janë shumë efektive sot në Evropë dhe në botë, japin investime 3-5 vjet dhe po brenda 3-5 vjet rikthejnë investimin e kryer dhe pastaj vazhdojnë shfrytëzimin e vendburimeve në përputhje me kushtet e kontratës. Nëse nuk zbatohen këto kushte, ato largohen duke mos marrë asnjë investim të kryer.
Në përgjithësi shteti këto lloj kompanish i mban publike, nuk i privatizon totalisht, sepse janë ekonomi strategjike dhe ruajnë strukturën ekonomike të një vendi dhe për më tepër vendet e vogla, siç jemi ne. Pra, nuk janë thjesht objekte turistike, hotele apo fabrika makaronash, të cilat nesër mund t’ua ndërrosh destinacionin sipas interesave vetjake. Shembuj të shteteve fqinje apo në Evropë apo në botë kemi sa të duash, po disa për t’u mbushur mendjen disa pushtetarëve të cilët nuk mendojnë asnjëherë për këtë vend, kur në fakt në atë vend pune janë pikërisht për të mbrojtur interesat e këtij vendi.
Në Poloni, kompania “Grupa Lotos”, e cila ka në përbërje 17 filiale, është një shoqëri aksionere ku shteti zotëron 50% të aksioneve. Kompania “Gazprom” është një shoqëri anonime ruse e njohur kryesisht për përpunimin, trajtimin dhe transportin e gazit natyral pothuaj në të gjithë Evropën. Shteti rus mban 51% të aksioneve. ENI, shoqëria Kombëtare e Naftës Italiane, e themeluar në 1953-shin, e ka filluar privatizimin në 1998 dhe shteti italian mban ende 30% të aksioneve, duke menduar se në përbërje të kësaj është edhe “Axhipm AGI”, “Snam Rete Gaz”. “Rompetroli”, kompania rumune e naftës është një kompani publike shtetërore, e cila ruan ende rreth 25% të aksioneve mbasi pjesën tjetër ia ka shitur kompanisë austriake OMV.
Shembuj të tjerë ka sa të duash, si: kompania “Helenik Petroleum”, kompania greke kombëtare e naftës, e themeluar në vitin 1975 (shumë vite pas kompanisë tonë kombëtare të naftës), e ka filluar privatizimin në vitin 1998 dhe është një shoqëri anonime. Shteti grek mban ende 35,5% të aksioneve dhe 39% të aksioneve të tjera i kontrollon “Latsis Group”, një kompani greke, pra, brenda territorit grek.
Në përgjithësi edhe atje ku janë bërë privatizime të pjesshme të naftës, këto nuk janë larguar jashtë shtetit të vet, por u janë dhënë kompanive të tyre. E përgjithshmja është që në përgjithësi atje ku janë privatizuar kompanitë e naftës, nuk janë privatizuar totalisht, një pjesë të aksioneve e mban shteti dhe një pjesë të mirë ua jep kompanive private të shtetasve të tij, të cilët ushtrojnë aktivitetin në vendin e tyre dhe kontribuojnë me të ardhura në shtetin e tyre.
Atëherë lind pyetja: Pse qeveria jonë e privatizoi (nëse do e privatizojë atë) totalisht naftën? Çfarë fshihet pas këtij privatizimi jotransparent? Çfarë bën opozita në këtë moment historike, do të thosha, mbas kujt fshihet? Ku i ka ekspertët e saj për këtë fushë? Ku janë deputetët kryesisht të zonave të naftës, një pjesë e mirë e të cilëve vetëm dhjamoset?
Mendoj se i kam bërë dhe i bëj thirrje opozitës që ta kundërshtojë ligjin e privatizimit të naftës në Gjykatën Kushtetuese, të kërkojë pezullimin e privatizimit të naftës të paktën për këtë periudhë apo për 3-5 vitet e ardhshme. Pastaj, me mendje të qetë, është e domosdoshme që në një qeveri normale, duke u mbështetur nga parlamenti, të përmirësohet ligji dhe të kryhet procesi i privatizimit në përputhje me rregullat dhe ligjet, si në të gjitha shtetet e tjera në Evropë dhe në botë. Duhet të ndalojnë këtë privatizim, sepse jemi futur në vitin elektoral dhe një qeveri në muajit e fundit të largimit të sigurt të saj nuk duhet të bëjë privatizime të tilla të cilat janë pasuri që i takojnë brezave.
Çfarë do të sugjeronit ju, çfarë keni parasysh kur flisni për veprime?
Po ua them me pika:
A. Parlamenti dhe institucionet e tjera duhet të hetojnë të gjitha kontratat koncesionare, përfshi këtu edhe kontratën koncesionare të naftës, e cila në fakt është mjaft e përfolur dhe madje shumë e akuzuar, dhe mbas vlerësimit dhe hetimit të tyre duhet të marrë vendimet e duhura të kësaj pasurie madhore.
B. Nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë, pothuaj gjysma i përket territoreve ku faktikisht nxirret naftë apo në të ardhmen do të nxirret naftë. Atëherë unë bëj pyetjen: Si ka mundësi që duke konsideruar faktin që nafta është një pasuri kombëtare dhe detyrimisht duhet ta ruajnë si sytë e ballit të gjithë deputetët, qofshin këta të majtë apo të djathtë, opozitë apo në pushtet, dhe këta vallë nuk shikojnë dhe nuk dëgjojnë për këtë problem?
Si ka mundësi që pothuaj deputetët e Vlorës, Fierit, Lushnjës, Beratit, Kavajës, Durrësit, Sarandës, por edhe të Tiranës, sepse është një zonë shumë perspektive bashkë me atë të Shkodrës do të jenë shumë shpejt zona naftëmbajtëse dhe me shumë interes dhe në një ditë si kjo këta deputetë, që janë mbi gjysma e parlamentit shqiptar, sot po flenë? Turpi i kohës do t’i mbulojë këta, sepse duhet të bëhen të ndërgjegjshëm për detyrën fisnike që kanë, në pozicionin që janë aktualisht, dhe detyrimin që duhet të japin në këto momente tepër të vështira për vendin tonë.
C. Për kompanitë të cilat nuk kanë zbatuar termat e marrëveshjes hidrokarbure të lidhura midis shtetit tonë dhe kompanive të huaja, menjëherë duhet t’u hiqet e drejta e shfrytëzimit të vendburimeve të naftës dhe të gazit. Ndërsa për ato kompani të cilat kanë bërë abuzime dhe mashtrime, duke filluar kjo që nga periudha e lidhjes së kontratave dhe kanë vazhduar deri më sot, duhet menjëherë t’u ndërpritet marrëveshja dhe ajo kompani të paguaje penalitetet.
A e dini se një nga kompanitë që sot ushtron aktivitetin në shfrytëzimin e vendburimit të naftës, kompania “Banker’s Petroleum”, faktikisht po arrin sot të nxjerrë naftë deri në një milion tonë në vit, duke kapur shifrat e kompanisë së naftës në kohën e sistemit komunist, por duhet të dini, dhe këtë e dua publikisht nga kompania:
-Sa është sasia e naftës që merr shteti shqiptar apo edhe i kthyer në euro ose dollar?
-Sa kanë qenë të punësuar punonjësit tanë dhe sa janë aktualisht në punë, sa prej tyre kanë marrë asistencën dhe sa prej tyre janë hedhur në rrugë?
-Sa është fitimi i kompanisë dhe sa është investimi i saj për të nxjerrë këtë sasi nafte?
-Ku shkon kjo sasi nafte dhe a është kjo në përdorim të shtetasve shqiptarë të cilët kanë mundësinë ta përdorin këtë naftë, sepse e kanë në territorin e tyre dhe sigurisht që kostoja e përdorimit duhet të jetë më e vogël?
-A e dini sa shënohet faktikisht kostoja e nxjerrjes së naftës me qëllim që fitimi në fund të vitit të dalë pothuaj zero apo minimal?
-Çfarë bën Kontrolli i Shtetit apo Prokuroria?
-Duhet të dijë populli shqiptar, populli i ndershëm, se kjo kompani ka paguar vlera qesharake tatimesh dhe taksash, aq sa nuk mund të imagjinohet, dhe nga ana tjetër ka paga dhe shpenzime katastrofike për administratën e saj me qëllime të caktuara. Dhe e gjithë nafta, kjo pasuri e madhe kombëtare, merret sikur të ishte mall pa zot. Dhe kulmi është se kjo kompani ka dhënë edhe një ofertë qesharake për të privatizuar “Albpetrol”-in.
Nga konstatimet tuaja, si paraqitet ecuria e kontratave koncesionare të deritanishme të lidhura mes Albpetrol-it dhe kompanive private?
E thashë edhe pak më parë. Në naftë sot ushtrojnë aktivitetin disa kompani për të cilat unë kam rezervat e mia. Në korrik të vitit 2004 Albpetrol-i lidhi kontratë koncesionare me “SAXON Ltd” me VKM nr.477 dt. 07.2004, e cila nga ana e saj kishte detyrimin që deri më 30 tetor 2005 duhej të paraqiste Planin e Zhvillimit të Marrëveshjes Hidrokarbure, duke kaluar kështu periudhën e provës, si një nga termat e rëndësishme të marrëveshjes, por që në fakt përfundoi me nënshkrimin e një kontrate tjetër me një kompani tjetër që sot ushtron aktivitet në naftë dhe që quhet “Bankers Albanian Petroleum LTD”.  Për mua ka shumë pyetje ndër të cilat do të veçoja:
Pse kompania ndryshoi emrin duke mos kaluar periudhën e provës? Pse janë marrë kurbat e rënies së prodhimit të larta (duke iu marrë naftë padrejtësisht “Albpetrol”-it) për investimet që janë kryer më parë? Sa naftë shtesë përfiton kompania “Albpetrol” dhe shteti nga kjo kompani? Cili është numri i puseve të fondit të ndalur dhe me çfarë debiti është marrë nga kompania? Sa është dëmi që i është shkaktuar kompanisë dhe shtetit? Si po e shfrytëzon kompania sot vendburimin e naftës Patos-Marinëz, a është ai në përputhje me kriteret dhe kushtet teknologjike? Çfarë po ndodh sot në Zharrëz të Fierit? Kur do të ndalojnë tërmetet e përditshme të cilat jo vetëm që po shkatërrojnë shtëpitë e të gjithë zonës, por po shkatërrohet edhe nëntoka nga e cila nxirret nafta? Kush e mban këtë përgjegjësi për këtë shkatërrim makabër? Ku është shteti, i cili nëpërmjet institucioneve të tij, duhet ta monitorojë rreptësisht këtë problem? Çfarë përgjegjësie ka kompania Banker’s, a e ndjen ajo veten bashkëpërgjegjëse apo jo? Kush mban përgjegjësi për ndotjen e ambientit të gjithë kësaj zone të madhe? A e dinë pushtetarët se kjo zonë vuan nga shumë sëmundje profesionale të cilat kanë si shkak pikërisht këtë ndotje?
Për sa i përket kompanisë tjetër, “Stream Oil”, kjo për mua është një kompani fantazmë. Ajo ka marrë pothuaj të gjitha vendburimet gëlqerorë si; Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal, Gorisht-Kocul dhe Delvinë. Është e pamundur që një kompani e tillë, e padëgjuar dhe inekzistente, të zhvillojë në vendburime si Delvinë, që ka miliarda metër kub gaz dhe disa milionë tonë naftë. Nuk e di se kush qëndron pas kësaj kompanie, por nëse një shtet do të funksiononte normalisht, kjo kompani duhej të ishte larguar me kohë për mosrespektim të kushteve të kontratës, kryesisht të zhvillimit të vendburimit me projekte racionale.
Për sa i përket kontratave të tjera në fushën e vendburimeve të zbuluara, për mua janë fare të vogla dhe të pandikueshme, kurse për ato të strukturave të reja rezervohem të flas, sepse janë sekret shtetëror, por edhe nuk disponoj informacionin e nevojshëm. Në kushte normale, një qeveri e mençur do të dijë që këtë pasuri ta vërë në dispozicion të shtetasve të vet, sepse është një pasuri që i përket brezave, kanë punuar brezat dhe duhet t’u takojë brezave. Ne jemi kalimtarë në këtë pjesë të historisë së vendit tonë dhe duhet të punojmë.
PERMBLEDHJE
Pikat e errëta të privatizimit të  rezervave hidrokarbure
– Ligji i privatizimit të Naftës u bë në mënyrë jotransparente dhe me shumë dritëhije. Shumë ekspertë e quajnë një “ligj kriminal”, i cili jo vetëm nuk e mbron këtë pasuri kombëtare, por i jep akses shkatërrimit të saj. Përse heshtin deputetët të cilët paguhen me taksat e këtij populli?
– Privatizimi i Naftës u bë në një kohë kur kompania kishte vlerën më të ulët të saj dhe në një situatë të errët politike, me maninë të marrim sa të marrim për të mbushur gropën e buxhetit, kjo gropë e mallkuar që asnjëherë nuk mbushet. Përse lejohet një gjë e tillë nga organet përgjegjëse?
– Kompania konsulente amerikane “Patton Boggs” e cila konsultoi Qeverinë, ndoshta me një emër të madh, nuk ia arriti qëllimit të saj, kjo ndodhi për arsyet e përfitimit personal ose nga presioni shumë i madh që ushtroi qeveria. Kjo kompani ka konsultuar edhe privatizime të tjera në ekonominë strategjike dhe gjithmonë nuk ka pasur sukses. Mos vallë duhet riparë në të ardhmen aktiviteti i saj tek ne?
– Për të rritur vlerën e “Albpetrol”-it, Qeveria shtoi edhe një liste “C” e cila kishte të bënte me struktura të reja të përgatitura për kërkimin e naftës dhe të gazit. Në këto struktura janë investuar miliona dollarë nga kompanitë e huaja. Kjo bie në kundërshtim me marrëveshjet e tjera të bëra më parë, siç është edhe marrëveshja me “SKY PETROLEUM”, në blloqet 4,5 dhe zonën e Dumresë. Përse vallë bëhen veprime të tilla të kundraligjshme dhe ku është përgjegjësia?
– Kompanitë që morën të drejtën ligjore për privatizimin e naftës, janë kompani pa përvojë në shfrytëzimin e këtyre vendburimeve dhe për rrjedhojë edhe nëse do ta privatizonin atë, ato nuk do të ishin të suksesshme, gjë që do të çonte në shkatërrimin e mëtejshëm të kësaj pasurie. Dhe përfundimi dihej me ofertën skandaloze të Vetro-Energy.
Atëherë përgjegjësia ku do të dalë: Në “ligjin kriminal” të miratuar nga deputetët e dhjamur? Në kompaninë “Patton Boggs” që konsultoi qeverinë? Apo në komisionin e paaftë që renditi vargun e kompanive dhe që shpalli fituesin?
– Qeveria jonë gjithmonë ka dështuar në privatizime të rëndësisë së veçantë. Kjo duket fare qartë tek: CEZ, ku fillimisht u vlerësua mbi 300 milionë dollarë dhe u shit 120 milionë dhe aktualisht është e falimentuar. Kompania ARMO e cila ishte një kompani e rëndësisë së veçantë u shit fare lirë dhe sot aktualisht është pothuaj e falimentuar. Përse vallë të gjitha privatizimet me rëndësi duhet të dështojnë.

Gazeta Dita, 13.02.2013