Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Grupi rus aksioner me Fazlliç në Porto-Romano

Grupi rus i investimeve “RBC Information Systems” rezulton bashkëpronar në investimin e bërë nga Fazlliç në Porto Romano. Krahasimi i ekstrakteve tregtare në Qipro dhe shpalljeve në bursën ruse zbulojnë pronësinë e rusëve mbi projektin energjitik.
Një grup i fuqishëm investitorësh rusë janë prezent dhe aksionarë në projektin energjitik në Porto-Romano të përfaqësuar nga Damir Fazlliç. Bëhet fjalë për grupin rus “RBC Information Systems” i cili duket se zotëron gjysmën e investimit në parkun energjitik të iniciuar nga Fazlliç dhe të mbrojtur e mbështetur nga qeveria shqiptare. Për vite me radhë grupi rus duket se i ka fshehur mirë gjurmët e veta. Nuk e ka patur të vështirë ta bëjë një gjë të tillë, pasi kompania e Fazlliç “Crown Aquisition” që operon në “Porto Romano” është e regjistruar në shtetin e Qipros dhe paketa e aksionarëve të vërtetë të saj është thuajse e pamundur të zbulohet pasi Qipro është zonë “off shore” dhe garanton anonimatin e pronarëve të  kompanive të regjistruara. Por disa të dhëna të deklaruara në bursën e Moskës dhe në organet tatimore ruse në dy vitet e fundit duket se kanë nxjerrë në pah edhe disa lidhje interesante mes një grupi rus investimesh dhe projektit prej 60 milionë eurosh të Fazlliç në Porto Romano.
Lidhjet
Është një zinxhir i komplikuar pronësie mbi kompani të regjistruara kryesisht në Qipro ai që orienton prezencën e aksionarëve rusë në Porto Romano. Por le ti marrim të dhënat me radhë. Investimi në Porto Romano është zyrtarisht në pronësi të kompanisë “Croën Aquisition” e regjistruar nga Fazlliç në Tiranë. Kjo e fundit nga ekstrakti dhe dokumentet zyrtare që ka dorëzuar në Tiranë rezulton se është në pronësi të një kompanie qipriote të quajtur “Altaria Research Limited”. Vetë “Altaria” rezulton se ka në pronësi grupin serb të investimeve “Rudnap” me qendër në Beograd, por të dhënat që vijnë nga Qipro japin indicie që e tejkalojnë Beogradin, indicie që të çojnë në Moskë. Kjo ndodh sepse “Altaria Research Limited” në Qipro rezulton si kompani e themeluar prej dy kompanive të tjera të quajtura “Avomar Limited” dhe “Amerito Limited”. Të dyja këto kompani zotërojnë përkatësisht nga 50 përqind të kompanisë “Altaria”, pra zotërojnë praktikisht nga 50 përqind të investimit në Porto Romano. Por në lidhje me kompaninë qipriote “Amerito Limited” së fundmi janë bërë publike disa të dhëna interesante që orientojnë drejt pronarëve të vërtetë të saj.
Blerja
Në vitin 2006 një kompani e quajtur “Edi S Press Holding” e regjistruar në Qipro dhe me seli në Londër, nisi procedurën e saj për shitjen drejt një grupi rus. Në të dhënat e aktit të shitjes që ka deklaruar kjo kompani në vitin 2006, ndër të tjera është bërë konfirmimi se ““Edi S Press Holding” ka 100 përqind në pronësi të saj, ndër të tjera dhe kompaninë qipriote “Amerito Limited”. Kjo e fundit, sikundër dihet, është 50 përqind pronare në Porto Romano. Por çfarë përfaqëson kompania “Edi S Press Holding” dhe kush e kontrollon atë? Për këtë fakt na vjen në ndihmë buletini i bursës së Moskës, kjo e fundit në vitin 2006 ka bërë të ditur se kompania “Edi S Press Holding” ka kaluar në pronësi të një grupi rus investimesh të quajtur “RBC Information Systems”. Ky i fundit është një ndër grupeve më të fuqishme mediatike në rusi, me një kapital prej rreth 1 miliardë dollarësh dhe është lider në performancën teknologjike të mediave që zotëron në Rusi. Gjithashtu “RBC” njihet edhe si një grup investimi. Për pronarët e këtij grupi dihet shumë pak pasi grupi kryesisht përfaqësohet nga drejtorët e emëruar dhe drejtorët administrativë, por vlen për tu theksuar se pjesën dërrmuese të aktivitetit dhe të kapitaleve të veta ky grup i ka të përqëndruara në Rusi, Ukrainë, Kazakistan etj.
Fazlliç shiti në Qipro kompaninë që investoi në Porto Romano
Më datën 9 korrik 2007, Fazlliç kreu zyrtarisht shitjen e kompanisë “Croën Aquisition” (me vendim gjykate) për llogari të një firme të regjistruar në Nikozia të Qipros, e cila quhet “ALTARIA RESEARCH LIMITED”. Praktika e ndjekur për shitjen tregon se firma qipriote nuk solli ndonjë përfaqësues të sajin në Shqipëri, por autorizoi me një prokurë të posaçme avokaten Flutura Kola, pjesëtare e studios së Argita Berishës. Dokumentet tregojnë se firma qipriote e ka lëshuar prokurën e përfaqësimit që në datën 14 maj 2007 (kohë në të cilën administrator ishte z.Isufi, KUNATI), ndërsa avokatja Kola më datën 20 qershor 2007 firmosi kontratën e shitjes. Nga termat e kontratës del se firma “CROWN ACQUISITIONS” u shit për një vlerë prej 1 milion e 700 mijë eurosh, ndërsa në kontratë nuk përcaktohej asnjë aset i firmës. Duke qenë se në prokurën e lëshuar nga Qipro, avokates i kërkohej të bënte blerjen dhe më tej regjistrimin e firmës për llogari të qipriotes “ALTARIA RESEARCH LIMITED” . Nga hetimet në Qipro, rezulton se “ALTARIA RESEARCH LIMITED”, është e njëjta kompani me Rudnap, e cila ka një seli në Qipro, në Zagreb, në Beograd dhe së fundmi në Tiranë, pronar i së cilës është po Fazlliç dhe një partner malazez. Por duket se kompania Qipriote ka një paketë më të sofistikuar kontrolli pasi ajo rezulton kompani bijë e “Amerito Limited” dhe kjo e fundit rezulton se kontrollohet nga grupi rus i investimeve RBC.

Gazeta Dita, 07.02.2013