Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Dollapi i Berishës kthen CEZ në strukturë elektorale të PD, gati rimbushja me militantë për zgjedhjet 2013

Rikthimi i Dollapit të Berishës në krye të CEZ, sistemit të shpërndarje-shitjes së energjisë elektrike në Shqipëri, nuk është thjeshtë një “merak” i Saliut për të “shëruar” plagët e hapura prej CEZ-it çek dhe as masë organizative qeverisëse e tij, për të stabilizuar dhe siguruar furnizimin e rregullt të shqiptarëve me energji elektrike. Atë skemë tinzare, që Berisha kishte projektuar prej kohësh kundër CEZ-it çek, ka nisur ta zbulojë militanti politiko-familjar i Sali Berishës, administratori Sahit Dollapi, që në ditët e para të rikthimit po prej Berishës, në krye të kësaj kompanie. Sipas skemës “Berisha”, nën drejtimin e Dollapit, kompania CEZ e “birësuar” përsëri nga qeveria shqiptare, nuk do të ketë detyrë të shpërndajë dhe shesë vetëm energji elektrike, por do të ketë mision parësor politik, të shpërndajë propagandë elektorale, për të blerë vota familjarësh e biznesesh në mbarë vendin, për sigurimin e pushtetit të tretë të qershorit 2013 për PD. Vetëm 2 ditë pas regjistrimit të emrit në Ekstratin e QKR si “guvernator” i plotfuqishëm i CEZ-it, Sahit Dollapi është parë të futet në selinë e PD, për të marrë instruktazhet e misionit real të veprimtarisë që do të zhvillojë në vazhdim kompania CEZ. Nuk ka më asnjë dyshim, që Dollapi i Sali Berishës është “mjeti” i duhur, i vendosur në vendin e duhur, në kohën e duhur, me misionin e duhur për të “prodhuar” vota pushteti për shefin e tij politik, shpirtëror, familjar e gjeografik.
Ai ka përvojë në konvertimin e pasurisë kombëtare, të investimeve e të vendeve të punës, në vota. Këtë e ka dëshmuar plotësisht, kur ishte në krye të sektorit të shpërndarje-shitjes së energjisë elektrike në 2 fushatat elektorale, në 1 vendore dhe 1 parlamentare, kur e përdori postin e drejtorit për numër votash për PD, me shpërndarjen e energjisë elektrike me hartë elektorale. Këtë mision dhe skemë politike-elektorale të “tutorit” Sali Berisha, militanti Sahit Dollapi e ka realizuar dhe gjatë kohës kur ishte drejtor i Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës. Në të dy funksionet si drejtor, ai i mbushi zyrat dhe shërbimet e KESH dhe të Ujësjellësit me militantë e të zgjedhur të PD. Ai ndërtoi hartë elektorale shërbimesh, investimesh, punësimesh dhe mos pagim faturash uji e energjie në lagjet dhe zonat ku u duheshin votat për pushtet. Për këtë është emëruar përsëri në krye të CEZ-it dhe tani, 5 muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2003. Kreu i PD dhe kryeministri Sali Berisha, i gjendur në ankth prej humbjes së pushtetit, po përdor e shfrytëzon gjithë mundësitë, gjithë kapacitetet shtetërore e financiare për të mos e lëshuar pushtetin.
Një nga këto kapacitete paraelektorale është dhe CEZ, i kontrolluar dhe i përdorur nga Dollapi i tij. Sipas informacioneve, misionari i Berishës ka nisur “riorganizmin” në CEZ. Faza e parë e skemës është zëvendësimi i gjithë administratës dhe personelit të shërbimit, me militantë e të zgjedhur të PD, që nga zëvendësit e tij e deri tek pastruesit e zyrave. Që nga rojet e kabinave e deri tek elektricistët e shtyllave. Që nga magazinierët e deri tek faturistët. Me urdhër të Berishës, CEZ ka nisur të bëhet “BLU”, ose më saktë qendër PD-je, me struktura elektorale për të grumbulluar vota. Faza e dytë është përcaktimi i zonave që votojnë për PD, të cilave do t’u falen faturat e papaguara gjatë “sundimit” të CEZ-it çek. Faza e tretë është vendosja e transformatorëve dhe shtrirja e linjave elektorale, në zonat ku votat janë të lëkundura. Tashmë ka nisur zbatimin faza e parë, pra mbushja e vendeve të punës me militantë. Sipas burimeve nga brenda PD, degët e partisë kanë përpiluar listat e militantëve dhe të besuarve të PD që do të punësohen e do të rikthen në CEZ. Ndërsa sipas burimeve nga brenda CEZ, janë hartuar listat e atyre që do largohen nga puna. Synimi nuk është ristrukturimi i shërbimit ndaj qytetarëve, por përdorja e CEZ për votat që i duhen Sali Berishës pas 5 muajsh.

Gazeta Sot, 24.01.2013