Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Albpetrol-i, punësime të reja në këmbim të votave

Ndonëse për shkak të mosarritjes së deritanishme të privatizimit të “Albpetrol”-it, shteti nuk arriti të sigurojë 850 mijë eurot, të cilat priteshin të përfitoheshin në prag të fushatës, duket se ndërmarrja e vetme naftënxjerrëse shtetërore do të përdoret jo pak në këtë fushatë. Prej më shumë se një viti, rreth 1400 punonjës të “Albpetrol”-it paguhen duke qëndruar në gatishmëri për shkak se nuk ka një vend pune për ta, pritet që gjatë këtyre muajve të punësohen të tjerë persona. Lajmi është bërë i ditur për gazetën nga burime konfidenciale, të cilat sqaruan se punësimet do të jenë në funksion të zgjedhjeve parlamentare këtë vit. Pritet që të punësuarit të jenë të pakënaqur të PD-së, të cilët për më shumë se shtatë vite kanë qenë të papunë ose të punësuar përkohësisht. Në këto kushte, PD e Fierit pritet të sigurojë votat e lëkundura ose të atyre personave që bëjnë pjesë e elektoratit të demokratëve, por për shkak të pakënaqësive të krijuara gjatë këtyre viteve, nuk denjojnë do të votojnë duke e djegur votën e tyre. Burimet pohojnë se kjo strategji ka qenë orientim i qendrës së PD-së. Kjo për faktin se Qarku i Fierit ka qenë bastion i Partisë Socialiste gjatë 22 viteve të fundit dhe se ka 16 zona elektorale, duke u renditur i dyti, pas Tiranës. Nga burimet mësohet se punësimet do të jenë mjaft të kujdesshme dhe selektive, me qëllim që çdo pagë e dhënë të konvertohet në disa vota të sigurta në favor të PD-së. Punësimi i dhjetëra apo qindra militantëve të PD-së në kompaninë “Albpetrol” pritet të ndodhë gjatë këtyre muajve, ndërkohë që qëndrojnë pa punuar dhe në gatishmëri rreth 1400 punonjës. Këta të fundit u vendosën në gatishmëri pak para fillimit të procesit të privatizimit të “Albpetrol”-it me qëllim nxjerrjen e tyre në asistencë. Por zvarritja e privatizimit dhe dështimi i tij duket se i favorizoi këta punonjës, të cilët vazhdojnë të paguhen edhe pse nuk paraqiten në detyrë, pasi nuk ka një punë për ta. Në këto kushte, “Albpetrol”-i, në një mënyrë apo në një tjetër pritet të jetë një mbështetje e fortë për qeverinë dhe demokratët në këtë fushatë zgjedhore. Prej rreth një viti, punonjësit e “Albpetrol”-it janë përballur shpeshherë me vonesat e pagave. Fundvitin e kaluar të 4 mijë punonjësit e kësaj ndërmarrje u përballën me vonesën tremujore të pagave. Ndërsa tani mësohet të kenë ende një pagë të prapambetur të cilën nuk e kanë marrë.

Gazeta Shqip, 18.01.2013