Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rivalët e gazsjellësit TAP fitojne terren, azerët duan aksione te “Nabucco”

Dy janë projektet kryesore që garojnë për të përfituar gaz nga burimi i Shah Deniz në Azerbajxhan. I pari është TAP-i, i cili kalon përmes territorit shqiptar dhe kushton më pak, dhe “Nabucco”, me tjetër gjurmë transmetimi të gazit, duke anashkaluar vendin tonë. Aktualisht beteja po zhvillohet mes vendeve më të fuqishme të Europës, të cilat garojnë për t’i mbushur mendjen azerëve se cili duhet të jetë projekti më i volitshëm.
Pas lobimit kundër që Senati i SHBA-së po i bën projektit “Trans Adriatic Pipeline” (TAP), duket se mundësia për të fituar nga projekti 25 miliardë dollarë bëhet më e komplikuar. Mësohet se shoqëria shtetërore e Azerbajxhanit për sektorin e gazit, pronare e vendburimit në Shah Deniz ka shprehur interesin dhe është në tratativa për të blerë 50 për qind të aksioneve të gazsjellësit “Nabucco”, konkurrent të TAP-it. Lajmi doli në fillim më 20 dhjetor 2012, nga Korporata Bullgare e Energjisë, e cila është pjesë përbërëse e projektit “Nabucco”, sipas së cilës negociatat pritet të mbyllen në ditët e ardhshme të janarit. “Ne jemi në bisedime pothuajse çdo ditë. Ne presim që Shah Deniz të blejë 50 për qind të aksioneve të konsorciumit të Nabucco-s”, deklaroi Mikhail Andonov, shefi i korporatës bullgare.
Lidhur me këtë lëvizje, zyrtarë të Entit Rregullator në Tiranë shpjegojnë për gazetën “Shqip” se kjo “është një manovër e logjikshme, bazuar mbi interesa të ngushta”.
Sipas ERE-s, pronarët e Shah Deniz kanë vepruar me të njëjtën mënyrë edhe me aksionerët e TAP-it. “Azerët duan të jenë të pranishëm në njërin nga projektet, qoftë TAP apo Nabucco. Vendimi përfundimtar do të merret në qershor 2013 dhe deri atëherë, duan të jenë të sigurt që kushdo të jetë fituesi, të bëhen pjesë e gazsjellësit”, thotë ERE. Analistët e fushës japin një tjetër argument pro TAP-it, duke u ndier optimist se do të miratohet, për vetë faktin se aksionerët e këtij gazsjellësi kanë shpenzuar mbi 200 milionë euro për studime të ndryshme, tregues i vendosmërisë së tyre për finalizimin e këtij varianti. Megjithatë, me shqetësim shihet edhe oferta ruse e “Gazprom” për të blerë kompaninë publike greke të gazit (DEPA), e cila zotëron edhe linjat e transmetimit dhe për rrjedhojë, do të jetë pjesë përbërëse e gazsjellësit TAP. Në rast se rusët (kundërshtarët e projektit) arrijnë të blejnë DEPA-n, atëherë procesi ndërlikohet më tej.
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt gazsjellësi për gazin natyror. Gazsjellësi do të transportojë gazin nga fusha e Shah Deniz-it në Azerbajxhan nëpërmjet Greqisë dhe Shqipërisë dhe përmes Detit Adriatik në Italinë Jugore dhe më tej në Europën
Perëndimore. Projekti ka si qëllim rritjen e sigurisë së furnizimit, dhe larmishmërinë e furnizimit me gaz për tregjet europiane. TAP-i do të hapë të ashtuquajturin Korridorin Jugor të Gazit për në Europë dhe do të krijojë një treg të ri për gazin natyror nga Deti Kaspik. Projekti është hartuar për të zgjeruar kapacitetin e transportimit nga 10 në 20 miliardë metër kub normal në vit. TAP parashikon edhe një rrjedhje fizike të kundërt deri në 80 për qind, si dhe mundësinë e zhvillimit të depozitave të gazit natyror në Shqipëri, për të përforcuar më tej sigurinë e furnizimit gjatë ndonjë ndërprerjeje operative të shpërndarjeve të gazit.
TAP-i po pret që të përzgjidhet si zgjidhja e preferuar e transportit të gazit nga konsorciumi i Shah Deniz në Azerbajxhan në vitin 2013. Pas marrjes së vendimit përfundimtar të investimit për gazsjellësin dhe të gjitha miratimeve të nevojshme, TAP-i do të fillojë ndërtimin e gazsjellësit (parashikohet në 2015). Rruga e kalimit të TAP-it në Shqipëri u identifikua gjatë studimeve të gjera të përcaktimit të rrugës së kalimit të gazsjellësit në vitet 2009-2012. Në veçanti, vëmendje e veçantë iu kushtua shmangies së mjediseve natyrore të ndjeshme.
Gazsjellësi TAP në Shqipëri do të jetë rreth 209 kilometra i gjatë në tokë dhe 60 kilometra në det në pjesën e Shqipërisë në Detin Adriatik, me një vlerë investimi që arrin në rreth 1 miliard euro.
Aksionerët
TAP – Aksionerët e TAP-it janë “Axpo” nga Zvicra (42,5%), “Statoil” nga Norvegjia (42,5%) dhe “E.ON Ruhrgas”, nga Gjermania (15%)
Shah Deniz – Aksionerët janë BP (kompania britanike “British Petroleum”), “Statoil” dhe shoqëria shtetërore azere SOCAR dhe “Total”
“Nabucco” – Korporata bullgare e energjisë (BEH), OMV (Austria) MOL (Hungaria) FGSZ (Turqia) dhe rumunët e “Transgaz”
Anashkalimi – “Nabucco” nis në Turqi dhe kalon përmes Bullgarisë, Rumanisë dhe Hungarisë për të përfunduar në Austri, pra e anashkalon Shqipërinë
Gjurma – Projekti i gazsjellësit TAP, që mbështetet nga qeveria shqiptare kalon në Turqi, Greqi dhe përmes Shqipërisë përfundon në Itali
Amerikanët – Senati në SHBA është shprehur pro projektit të gazsjellësit “Nabucco”, pasi parashikon më shumë përfitim për disa vende

Lobimi: SHBA, kundër projektit TAP?!
Një senator republikan nga shteti i Indianës, i ka propozuar administratës amerikane të rreshtohet qartazi në mbështetje të gazsjellësit “Nabucco”, projekti rival i variantit “Trans Adriatik”, që mbështet qeveria shqiptare. Richard Lugar, senator prej 35 vjetësh, ka dorëzuar para Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit një raport voluminoz, ku i bën thirrje qeverisë amerikane të mbështesë fuqimisht “Nabucco”-n dhe të lobojë kundër gazsjellësit “Trans Adriatik”, të vetmit që përfshijnë Shqipërinë në rrjetin botëror të gazit, deri në vendosje sanksionesh. “Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin projektin ‘Nabucco’, i cili është strategjikisht më superior, pasi transporton menjëherë gaz në shtetet e Europës Lindore dhe asaj Juglindore, që janë më të varura nga Rusia. Megjithëse ekziston mundësia që përmes projektit tjetër TAP të furnizohen disa vende të Ballkanit, këto propozime nuk janë të përfshira në projektin aktual dhe planin e tij të financimeve”, thotë Lugar në raportin e tij. “Ndonëse interesi i Shteteve të Bashkuara nuk qëndron në ndërtimin e ‘Nabucco’-s në vetvete, ky projekt ofron progresin më të rëndësishëm në dy objektiva. Së pari furnizon me gaz shumë aleatë europianë të Shteteve të Bashkuara në nevojë dëshpëruese për të diversifikuar burimet energjetike dhe së dyti ofron potencialin për të transportuar sasi më të mëdha gazi në të ardhmen”, vëren Lugar në raport.

Gazeta Shqip, 08.01.2013