Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosove: Distribucioni me Bord të veçantë

Distribucioni i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), nga fillimi i vitit që vjen, do të menaxhohet nga një bord i veçantë, i cili është formuar para pakë ditësh me një vendim të Qeverisë së Kosovës.
Për rreth pesë muaj sa do të ketë mandat, bordin e ri do ta drejtojë Gani Jashari. Ndërkaq, në cilësinë e anëtareve të bordit do të jenë Naim Hyseni, Burim Basha dhe Gelor Shala.
Zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE) thonë se bordi i ri do të merret ekskluzivisht me distribucionin, deri në ditën kur ai do të kalojë në menaxhim të kompanisë private, e cila është shpallur fituese e tenderit për privatizim.
Gëzim Baxhaku, këshilltar i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, thotë se deri më tash, vendimet për distribucionin i ka marrë bordi i Korporatës Energjetike të Kosovës, por, sipas tij, tash e tutje, ai bord nuk do të ketë asnjë përgjegjësi për distribucionin.
“Tash e tutje përgjegjës për menaxhimin e distribucionit do të jetë bordi i ri, i cili është formuar me vendim të Qeverisë së Kosovës. Ndërkaq, bordi i KEK-u më nuk do të merret me këtë pjesë së KEK-ut, e cila është privatizuar, por ende nuk ka kaluar në menaxhim të kompanisë që blerë”,tha ai për “Zëri”.
Por, në anën tjetër zyrtarë të Korporatës Energjetikes të Kosovës nuk kanë informata që Qeveria e ka krijuar bordin e ri për menaxhimin e distribucionit.
Burime të gazetës “Zëri” brenda kësaj kompanie thonë se për formimin e bordit të ri, Qeveria fare nuk e ka njoftuar, apo edhe konsultuar bordin, apo edhe menaxhmentin e KEK-ut.
“Për këtë çështje neve askush nuk na ka njoftuar deri më tash. Unë e di që bordi ekzistues duhet të menaxhojë distribucionin derisa ai të kalojë në duart të kompanisë turke ‘Limak’, por unë nuk e di se çfarë roli do të luajë bordi i ri i cili qenka themeluar me vendim të Qeverisë së Kosovës”, tha burimi i gazetës brenda KEK-ut.
Por, përkundër kundërshtimeve dhe pakënaqësive të mëdha, para pak kohësh distribucioni i Korporatës Energjetike të Kosovës, është privatizuar nga kompania turke “Calik & Limak” për 26.3 milionë euro.
Në bazë të kontratës, kompania turke “Calik & Limak” pritet që gjatë muajit maj të vitit që vjen ta marrë në menaxhim distribucionin e KEK-ut.
Sipas kontratës, kompania private e ka për obligim që për tre vjet të mos largojë nga puna asnjë punëtor, si dhe të mos ua zbret pagat, po ashtu në një afat prej tre vjetësh.

Gazeta Zeri, 24.12.2012